Kosova ia dhuron Bujanocit 350 kontejnerë të mbeturinave

Kosova ia dhuron Bujanocit 350 kontejnerë të mbeturinave

Ekonomia nëntor 01, 2019 - 19:11
Detajet

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka vizituar komunën e Bujanocit, ku siç bën me dije në njoftimin për media kjo Ministri, ai është pritur nga kryetari i komunës, Shaip Kamberi, kryetari i Asamblesë Komunale, Adnan Salihi dhe deputeti popullor, Fatmir Hasani.

Gjatë kësaj vizite është bërë dorëzim pranimi i 350 kontejnerëve që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës ka ndarë për komunën e Bujanocit.

Me këtë rast, ministri, Fatmir Matoshi ka deklaruar se në kuadër të përkrahjes që MMPH po jep për komunat e Kosovës përmes shperndarjes së kontejnerëve po ndanë edhe 350 të tillë për komunën e Bujanocit.

“Po ndodhë një angazhim më i madh i shqiptarëve në mbrojtjen e mjedisit ku jetojmë dhe veprojmë, krahas kësaj edhe një vullnet më i madh institucional për përmirësimin e gjendjes së mjedisit”, vlerësoi ministri Matoshi.

Ai po ashtu u shpreh i lumtur që po rritet përkrahja e institucioneve të Kosovës për komunat e luginës së Preshevës dhe kjo sipas tij duhet të vazhdojë tutje edhe më fuqishëm.

Gjithnjë sipas njoftimit të MMPH-së, nga ana e tij kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka falënderuar ministrin Matoshi për realizimin e këtij projekti duke thënë se ky është projekti i dytë që Republika e Kosovës po realizon në Bujanoc.

“Ministri, Fatmir Matoshi, me angazhimin e tij, i ka siguruar Komunës së Bujanocit dhe qytetarëve të saj 350 kontejnerë të ri të cilët do t’i kontribuojnë përmirësimit dhe avancimit të ruajtjes së ambientit”, ka vlerësuar kryetari Kamberi.

Ai po ashtu ka thënë se Komuna e Bujanocit do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me çdo ministri të Republikës së Kosovës dhe do të bëjë përpjekje për realizimin e projekteve tjera në të mirë të qytetarëve të komunës së Bujanocit.

Ministri Matoshi gjatë vizitës në Bujanoc ka takuar edhe kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, të cilin e ka falënderuar për kontributin që ky këshill po jep në zhvillimin e kulturës e arsimit në këtë pjesë.