Ura e Ibrit ende e mbyllur, investimet 3-milionëshe të BE-së pa rezultat
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, edhe më tutje insiston se para se të lëshohet ura e Ibrit për qarkullim të automjeteve duhet të definohet kufiri në mes të dy komunave, Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut. Derisa Rakiq insiston që Mitrovicës së Veriut t’i takojnë edhe 5 fshatra shqiptare dhe gjithë rrjedha e lumit Ibër, Bahtiri këmbëngul që kufiri të definohet sipas Pakos së Ahtisaarit dhe ligjeve të Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri".
Qytetarët e Mitrovicës, të Jugut dhe të Veriut, me vite janë duke pritur të hapet ura për qarkullim të automjeteve, në mënyrë që qytetarët, serbë e shqiptarë, të lëvizin lirshëm nga pjesa jugore në veri dhe anasjelltas.
LEXO EDHE: Tunel në qendër të Prishtinës
BE-ja për dy projekte të urës ka investuar mbi 3 milionë euro (saktësisht 3.3 milionë euro), 1.2 milion euro për revitalizimin e urës dhe 2.2 milionë euro për revitalizimin e rrugës “Mbreti Petër”, për ta shndërruar atë në zonë të këmbësorëve.
Frederika Mogerini, shefe e Politikës së Jashtme të BE-së, kishte arritur në Mitrovicë më 4 mars 2017 për ta lëshuar urën, por meqë punët në revitalizimin e saj ende nuk kishin përfunduar, kishte mbetur që hapja e urës së Ibrit të shtyhet për në shtator të të njëjtit vit.
Meqenëse punimet zvarriteshin pafundësisht, vetëm që ato të mos përfundojnë, kryetari i Mitrovicës së Veriut Goran Rakiq gjatë një takimi që kishte pasur me kryetarin e Mitrovicës së Jugut Agim Bahtirin ishte pajtuar që ura të lëshohet për qarkullim të automjeteve në shtatorin e vitit 2018.
“Siç jeni të njoftuar, bashkë me BE-në dhe me kryetarin e veriut Rakiqin jemi marrë vesh që ura të lëshohet në shtator, por ajo nuk ndodhi. Ne nisëm një procedurë që me një këngëtare të famës botërore të jetë një mesazh i qartë për të gjithë qytetarët e Kosovës për të bërë në mënyrë manifestive hapjen e urës. Na doli një pjesë tjetër e politikës, që e ndjek veriun nga Serbia. Pastaj patëm edhe dorëheqjet e kryetarëve serbë të komunave. Tash të shohim kur mund të realizohet kjo”, ka thënë kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, duke folur për medie.
Sipas Bahtirit, procesi do të përfundojë shumë shpejt.
“Të jemi shumë të sigurt që ura do të hapet dhe normalizimi i gjendjes do të ndodhë. Ne jemi duke punuar me BE-në dhe me nivelin qendror që sa më shpejt të kryhet kjo procedurë. Ngjarjet që kanë ndodhur më vonë kanë bërë që të humbim kohë për ta hapur urën. Ne kemi pasur ta lëshojmë urën në shtator të vitit të kaluar, por tani nuk e dimë se kur do të ndodhë”, ka thënë ai.
Se problemi qëndron te definimi i kufirit në mes të dy Mitrovicave e thotë edhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.
Gjatë një takimi që ai ka pasur në urën e Ibrit me ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë Philip Kosnettin, është zotuar se ura nuk do të lëshohet pa u definuar kufiri në mes të dy komunave e që sipas kryetarit të Mitrovicës së Veriut kjo është precizuar në pikën 5 të Marrëveshjes së Brukselit. Sipas Rakiqit, pjesë e Mitrovicës së Veriut, pos Suhadollit, duhet të jenë edhe Gushavci, Vinarci e Vidimiriqi, si dhe gjithë rrjedha e lumit Ibër, me çka nuk është pajtuar kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.
Si do të bëhet definimi i kufirit në mes të dy komunave të Mitrovicës?
“Definimi i kufirit në mes të dy komunave duhet të bëhet saktësisht me ligjet tona në fuqi, me Pakon e Ahtisaarit dhe tjetër opsion nuk ka. Unë kam kërkuar nga Rakiqi që këtë ta respektojë dhe më në fund t’i japin fund kësaj pune, por ai vazhdimisht refuzon. Madje ai në kohë të fundit ka kërkuar që çështja e urës të bëhet temë e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel”, thotë Bahtiri.
Ai e ka porositur Rakiqin të reflektojë në të mirë të qytetarëve të të dyja pjesëve të Mitrovicës dhe ta nënshkruajë Marrëveshjen për Kufijtë. Ai gjithashtu ia ka bërë të ditur Rakiqit se ka përfituar më shumë territor se që në të vërtetë ka Komuna Veriore.
Sipas tij, Suhadolli me kadastër i takon Komunës Jugore, por këtë nuk e pranojnë serbët e Suhadollit.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i pjesës së Suhadollit të banuar me serbë, Miço Kragoviq, ka thënë se kjo që thotë Bahtiri nuk është zgjidhja.
“Dikush ia ka dhënë vetes të drejtën që ta tërheqë një vijë të shtrembër aty mbi shtëpitë tona, në atë mënyrë që Mitrovicës së Veriut të mos i takojë asnjë shtëpi, as shqiptare e as serbe. Të gjitha shtëpitë sipas Planit të Ahtiaarit janë në jug, në veri mbesin pronat dhe pasuria jonë deri në Korile. Nëse dikush ka për qëllim që nga ky fshat të krijojë mjedis të pastër etnik, që t’i largojë serbët, atëherë atë plan mund ta realizojnë në vepër”, ka thënë Kragoviq, i cili shton se me këtë plan nuk mund të bëhet që shtëpitë e serbëve të jenë me Komunën Jugore e pronat dhe pasuria e tyre me Komunën Veriore.
E ndërkaq Rakiq idenë e tij që edhe fshatrat shqiptare të jenë pjesë e Mitrovicës së Veriut e lidh me faktin se KQZ-ja kishte vendosur që votuesit shqiptarë të Suhadollit t’i bartë për votim në Mitrovicën e Jugut, ndërsa ata serbë të votojnë në Mitrovicën e Veriut. Rakiq këtë veprim të KQZ-së e merr si argument që Suhadolli tashmë është ndarë dhe këtë e ka bërë vetë Prishtina.
“Ju e dini që votuesit shqiptarë të Suhadollit tash votojnë në jug, ndërsa ata serbë në veri. Kjo do të thotë se vetë Prishtina ka bërë ndarje, ashtu edhe siç ne kemi insistuar më kohë”, ka thënë Rakiqi. Për këtë arsye tabelat e rrugëve, të cilat Komuna e Mitrovicës së Jugut i kishte vendosur në rrugët e Suhadollit, i patën larguar serbët në pjesën e tyre.
Serbët e mllefosur i patën thënë “Zërit” se nuk do të lejojnë që shqiptarët të vendosin tabela në vendbanimet serbe. Ata kishin marrë përkrahje nga të gjitha subjektet politike serbe në veri të Mitrovicës, madje edhe nga politikani i vrarë Oliver Ivanoviq, i cili ishte shumë i zëshëm sa i përket definimit të kufirit të dy Mitrovicave.
Serbët nuk e pranojnë Planin e Ahtisaarit
“Me Planin e Ahtisaarit është caktuar pa asnjë logjikë që vija ndarëse në mes të Komunës Veriore dhe asaj Jugore të Mitrovicës të tërhiqet në atë mënyrë që serbët e Suhadollit t’i takojnë Komunës Jugore. Shteti ynë (Serbia) e ka hedhur poshtë Planin e Ahtisaarit dhe për këtë arsye krejt çfarë del nga ajo pako për ne nuk mundet dhe nuk guxon të jetë e pranueshme.
Për arsye të mospranimit të këtij Plani janë iniciuar edhe bisedimet në Bruksel. SDP-ja përkujton se bisedimet ende janë duke shkuar dhe se për kufirin në mes të dy komunave të Mitrovicës ende duhet të bisedohet.
Sipas marrëveshjes që është arritur, paraprakisht duhet të nënshkruhet një memorandum i mirëkuptimit në mes të kryetarit të Komunës Jugore dhe të asaj Veriore, por kjo ende nuk është bërë.
Mirëpo, për shkak të deklaratave të shpeshta të Prishtinës se për definimin e kufirit nuk do të bisedohet më dhe se për të është e pranueshme vetëm ajo çfarë shkruan në Pakon e Ahtisaarit, është i arsyeshëm shqetësimi i serbëve të Suhadollit”, thuhej në një deklaratë të SDP-së, të nënshkruar nga Ivanoviqi.
Adriana Hoxhiq, aktualisht ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal, derisa ishte duke kryer detyrën e shefes së Administratës Komunale në Komunën Veriore, gjithë projektin e urës dhe situatën e krijuar e pati quajtur me motive politike.
“Mendoj se komplet ajo pjesë është një projekt politik. Unë vetëm shpresoj se projekti së shpejti do të përfundojë, pasi ka mbetur vetëm edhe një segment, që përbën tërësinë e projektit, natyrisht nëse përfundon me kohë”, pati thënë mes të tjerash Adriana Hoxhiq.