Të moshuarit në Kosovë ankohen për pensionet
Rreth 6,7 për qind e popullatës në Kosovë janë persona të moshuar dhe të njëjtit përballen me kushte jo të mira jetese e qasje të kufizuar në shërbimet shëndetësore.
Kështu u tha sot në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Moshuar me moton “Rrugëtimi drejt barazisë moshore”.
Naser Ramadani, drejtor i IKSHPK-së, tha se në mënyrë tradicionale po shënohet kjo ditë, me qëllim të mbështetjes dhe përmirësimit të gjendjes së popullatës së moshuar ne Kosovë.
“Objektivat e kësaj dite janë që të ndihmojmë, të ngrisim vetëdijësimin dhe parandalimin e pabarazisë, të shqyrtohen mundësitë për mësimin gjatë gjithë jetës dhe të reflektohet në praktikat më të mira për t’i dhënë fund stereotipeve. Trendi i moshimit eshtë në ngritje në Kosovë. Janë 6,7 për qind të moshimit në Kosovë. Ndryshime të tilla tregojnë se gjatë viteve do të ketë numër të madh të moshuarve”, tha ai.
Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë tha se moshimi nuk nënkupton sëmundjen apo paaftësinë.
“Të moshuarit në Kosovë përballen me kushte jo të mira jetese, me pensione të ulëta. Përderisa edhe qasje në shërbime shëndetësore është e kufizuar”, tha Hoti
Edhe shefi i OBSH-së në Kosovë, Sergy Koryak tha se numri i të moshuarve në botë është në rritje.
“Janë mbi 700 milionë persona në mbi 60 vjet, e në 10 vitet e ardhshme pritet të jetë mbi 1 miliardë e gjysmë. OBSH çështjen e të moshuarve e sheh si e drejtë humane dhe themelore për të moshuarit” tha ai.
Hasan Berisha nga Lidhja e Pensionistëve, tha se të moshuarit në Kosovë kanë pensione të ulëta, pavarësisht kontributit paraprak.