Parku i Biznesit në Drenas zgjerohet për 30 hektarë
Mbi 80 hektarë tokë përballë Parkut aktual të Biznesit në Drenas ishin planifikuar të përfshiheshin në zgjerimin e tij, por për shkak të vendimit për ndërtimin e stadiumit kombëtar kjo hapësirë është zvogëluar për 50 hektarë. Komuna e Drenasit arkëton 70 për qind të të hyrave nga qiraja, ndërsa MTI-ja 30 për qind, shkruan sot Gazeta "Zëri".
Parku i Biznesit në Drenas, i cili shtrihet në 24 hektarë të tokës, do të zgjerohet, por jo edhe për 80 hektarë sa ishte planifikuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Komuna e Drenasit që në vitin 2015, por vetëm për 30 hektarë të tokës, pasi që sipërfaqja tjetër është përfshirë në projektin e ndërtimit të stadiumit kombëtar në Drenas.
LEXO EDHE: Kosova në prag të zgjedhjeve, KQZ-ja e pakompletuar
Komuna e Drenasit në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë kishin kryer fizibilitetin në vitin 2005-2006 e gjithashtu Komuna e Drenasit e kishte shpallur këtë parcelë në interes të përgjithshëm më 29 tetor 2008.
“Parku i Biznesit në Drenas do të rritet edhe për 30 hektarë dhe do të krijohen kushte shumë të mira për bizneset vendore dhe të huaja. Zgjerimin e Parkut të Biznesit në Drenas e ka iniciuar Ministria e Tregtisë dhe Industrisë”, ka thënë Arbëreshë Krasniqi, zëvendësministre e Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës.
Sipas një komunikate të kësaj ministrie, zëvendësministrja Krasniqi ka siguruar se gjatë MTI-ja ka vendosur për krijimin e kushteve për t’u ofruar bizneseve infrastrukturë moderne, që u mundësojnë bizneseve operim më të lehtë dhe hapje të vendeve të reja të punës.
“Zonat ekonomike shërbejnë për qasje më të lehtë në autostradë, në ujë, rrymë e infrastrukturë përcjelljeje. Kemi shpallur 9 zona dhe Parku i Biznesit në Drenas, pjesa e dytë, MTI-ja ka filluar projektin për ndërtim, është një projekt i zgjerimit edhe për 30 hektarë dhe të gjitha investimet janë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. MTI-ja bashkë me MMPH-në dhe me Ministrinë e Financave ka incizuar dhe ka kompletuar për shpronësimin e Zonës Ekomomike në Drenas, kjo zonë përfshin sipërfaqen prej 61-hektarësh dhe më vonë është zvogëluar, ku do ndërtohet stadiumi kombëtar dhe tani kjo zonë pritet të ketë rreth 30 hektarë. Projekti parasheh investime kapitale dhe ndërtimin e qendrës për trajnime profesionale”, ka thënë ajo, sipas së cilës me kompletimin e zonave ekonomike Kosova po krijon kushte për investitorët e huaj dhe vendorë, që njëkohësisht ua ul koston për shkak të qirasë së vogël që kanë këto zona.
Zonë për bizneset e diasporës
“Po ashtu së shpejti fillon ndërtimi i zonës ekonomike në Malishevë, që është e dedikuar veçanërisht për bizneset e diasporës, gjë që për herë të parë po u ofrohen kushte konkrete, që s’ka ndodhur më herët. Edhe Komuna e Skenderajt do të fillojë së shpejti ndërtimin e inkubatorit të bizneseve dhe do të ketë edhe investime të tjera”, është shprehur ajo.
Për ndërtimin e inkubatorit të bizneseve në Skenderaj ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka nënshkruar vendimin mbi dhënien e pëlqimit për themelimin e inkubatorit në komunën e Skenderajt. Inkubatori do t’u shërbejë bizneseve që të kenë kushte sa më të mira të operimit dhe të jenë konkurruese.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke krijuar mundësi për bizneset në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, duke ndërtuar inkubatorë dhe zona ekonomike. Inkubatori në komunën e Skenderajt do të ketë sipërfaqe mbi 9 mijë metra katrorë dhe është një mundësi e mirë për zhvillimin e afarizmit në këtë komunë”, ka thënë ndërkaq ministri Shala, duke shtuar se roli i kësaj ministrie është krijimi i kushteve sa më të mira për bizneset, duke punuar shumë në fuqizimin e tyre që të jenë konkurruese.
Në anën tjetër Parku i Biznesit në Marinë të Skenderajt, që shtrihet në mbi 30 hektarë, do të mund të fillojë të ndërtohet, pasi që mësohet se janë tejkaluar të gjitha pengesat, sidomos ato rreth bartjes së pronës nga AKP-ja në pronësi të Komunës së Skenderajt.
Parku i Biznesit në Marinë do të mundësojë punësimin e një numri të konsiderueshëm të të rinjve të kësaj pjese të Drenicës, si dhe do të ketë përfitim edhe Komuna e Skenderajt. Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se Komuna do të bëjë lehtësira për bizneset që investojnë në Parkun e Biznesit në Marinë.
Komuna merr 70% të të hyrave
Ndërkaq Komuna e Drenasit përfiton 70 për qind të të hyrave nga qiraja nga Parku i Biznesit në Drenas, ndërsa 30 për qind i takojnë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për kryerjen e komunalive, të cilat mjete fillimisht derdhen në konton e MTI-së.
Komuna e Drenasit ka arkëtuar rreth 300 mijë euro në llogarinë e saj nga MTI-ja, për pjesën e saj të papaguar nga viti 2010 deri më 30.06.2017, mbi shfrytëzimin e pronës komunale, të cilat mjete përdoren për përmirësimin e infrastrukturës në komunën e Drenasit.
“Komuna e Drenasit do të vazhdojë të arkëtojë të hyrat që i takojnë, me të vetmin qëllim, përmirësimin e jetës së qytetareve të saj, në të njëjtën kohë duke motivuar dhe duke lehtësuar bizneset që veprojnë në komunën e Drenasit, për të operuar në pajtim me ligjin. Po ashtu Komuna e Drenasit do të ndërmarrë të gjitha veprimet e parapara ligjore për çdo pengesë në arkëtimin e të hyrave të saj nga ana e MTI-së”, kishte thënë kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, posa kishte marrë postin e të parit të Komunës.
Në Parkun e Biznesit në Drenas janë funksionale 40 biznese, ndërsa biznesi i fundit që është vendosur aty (30 qershor 2019) është fabrika italiane “Arkos”.
Në një njoftim të MTI-së thuhet mes të tjerash se MTI-ja përmes Ligjit për Investime Strategjike e ka bërë edhe më të lehtë investimin në Kosovë, sepse janë thjeshtëzuar procedurat dhe është shkurtuar koha deri te marrja e statusit të investitorit strategjik.
“Për MTI-në ka shumë rëndësi nisja e kësaj fabrike, sepse po ndikon në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe në hapjen e vendeve të reja të punës. Italia është njëri nga vendet që ka ndihmuar shumë Kosovën në konsolidimin e shtetësisë dhe hapja e kësaj fabrike tregon se Italia vazhdon ta dëshmojë miqësinë me Kosovën edhe në aspektin ekonomik”, thuhet në njoftimin e MTI-së.