Projekti 'Kosovë e Shëndetshme' i ndan grante organizatave të shoqërisë civile

Projekti 'Kosovë e Shëndetshme' i ndan grante organizatave të shoqërisë civile

Ekonomia July 03, 2019 - 14:16
Lexoni detajet

Organizatat e Shoqërisë Civile që mirren me çështje Mjedisore (OShC-të) janë bërë aktorë të rëndësishëm në trajtimin e problemeve mjedisore të Kosovës. Jo vetëm që e plotësojnë punën e qeverisë në zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Mjedisin, por punojnë gjithashtu për të ndryshuar trendet aktuale të degradimit mjedisor.

Kjo është duke u realizuar me angazhimin e gjithë aktorëve, përfshirë qeverinë qendrore, autoritetet lokale, sektorin privat dhe OShC-të tjera.

Projekti Kosovë e Shëndetshme nënshkroi sot marrëveshje me gjashtë OShC që do të ofrojnë grante me vlerë të ulët për të ndihmuar financimin e zbatimit të politikave dhe standardeve aktuale në lidhje me strategjitë e zvogëlimit të ndotjes së mjedisit.

Kjo përfshin funksionet e vëzhgimit mbi proceset vendimmarrëse, avokimin dhe lobimin për të përmirësuar të drejtat e qytetarëve për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe të pastër.

Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Ulrika Richardson, Koordinatore e OKB-së për Zhvillim falenderoi të gjitha OShC-të për propozimet dhe punën e tyre, që do të ndikojë në cilësinë e jetës së njerëzve në Kosovë: "Të gjithë varemi nga mjedisi dhe degradimi i mjedisit ndikon te të gjithë ne! Prandaj, të gjithë së bashku, duhet të ndërmarrim veprime për të ndaluar prirjet negative të ndryshimeve klimatike, grumbullimit të pakontrolluar të mbeturinave dhe ndotjes së ajrit. Organizatat e shoqërisë civile dhe mediet kanë një rol veçanërisht të rëndësishëm si “watch-dog” -mbikëqyrës , për të rritur ndërgjegjësimin dhe angazhimin e rinisë dhe komuniteteve për veprim individual dhe kolektiv! Ekipi i OKB-së në Kosovë, me projektin “Kosovë më e shëndetshme” të UNDP-së, OBSh-së dhe Vullnetarëve të OKB-së në partneritet me qeverinë e Luksemburgut do të vazhdojnë të punojnë me shoqërinë civile në të gjitha komunitetet. Gjithashtu, urojnë organizatat që sot fituan çmim për kontribut dhe lidership të jashtëzakonshëm!”

Zonja Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së me këtë rast u shpreh: “Ndotja e ajrit është një nga problemet më të mëdha që ndikojnë në jetën e njerëzve në Kosovë, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e njerëzve, veçanërisht të fëmijëve dhe të moshuarve. UNDP i jep prioritet të lartë kësaj iniciative të përbashkët dhe ne jemi të kënaqur që kemi marrë shumë propozime nga OShC-të, të cilat me të vërtetë kujdesen për mjedisin dhe përpiqen t’i ndryshojnë gjërat. Projekti kontribuon në arritjen e disa prej Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ) që edhe Kosova është zotuar t’i arrijë: OZhQ 3: Shëndet i Mirë dhe Mirëqenie për të gjitha moshat; OZhQ 11: Qytete dhe Komunitete të Qëndrueshme; dhe OZhQ 13: Veprim për Klimën.

Kjo iniciativë e përbashkët na lejon të bëjmë partneritet me aktorë të ndryshëm në trajtimin e ndotjes së ajrit dhe rreziqeve që kjo ndotje paraqet për shëndetin e njerëzve. Ne duhet të punojmë me ekspertë, zyrtarë qeveritarë, politikanë, vendimmarrës vendorë, biznese - dhe me komunitetet e prekura. Ne besojmë se OSHC-të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në trajtimin e problemeve mjedisore në Kosovë. Unë pres që të shoh rezultatet e arritura nga këto grante dhe besoj se ato do të kontribuojnë që Kosova të bëhet një vend më i mirë për të gjithë, përfshirë edhe gjeneratat e ardhshme.”

Znj. Fehmije Mydyti nga Ambasada e Luksemburgut deklaroi se: “Është një arritje pozitive që Qeveria e Luksemburgut të mbështesë një iniciativë ose një partneritet në një fushë jetike sic eshte Mjedisi dhe Shëndeti në Kosovë. Ne mezi presim që të shohim rezultatet e Shoqerise Civile dhe përpjekjet e tyre për të zbutur problemin e ndotjes së mjedisit.”

Pas një pune mjaft të vështirë në përzgjedhjen e propozimeve më me peshë nga një numër i madh, juria vendosi të mbështeste OShC-të në vijim për të vazhduar përpjekjet e tyre në arritjen e objektivave të granteve:

  • Science for Change Kosovo
  • International Business College Mitrovica
  • Qendra Rinore Ardhmëria Klinë
  • OJQ-Ekovizioni
  • Kosova Live
  • EkoZ

Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së dhe përfaqësuesit e OShC-ve të përzgjedhura nënshkruan marrëveshjet për dhënien e granteve.

Image 
Image 
Image