Komuna e Skenderajt synon t’i investojë 40 milionë euro për 30 muaj

Komuna e Skenderajt synon t’i investojë 40 milionë euro për 30 muaj

Ekonomia June 27, 2019 - 08:15
Lexo tjera detaje
Image

Sipas Kornizës Afatmesme Buxhetore 2020-2020, Komuna e Skenderajt llogarit që Qeveria e Kosovës të investojë për kompleksin memorial “Adem Jashari” saktësisht 5.340.000 euro dhe për zgjerimin e rrugës Klinë e Epërme - Polluzhë (ka mbi dy vjet që ka përfunduar) 16.000.000, plus 2.400.000 euro, shkruan gazeta "Zëri".

Dy komunat e Drenicës, Skenderaj dhe Drenasi, kanë planifikuar një mori projektesh kapitale, të cilat synojnë t’i realizojnë në 30 muajt e ardhshëm. Komuna e Skenderajt ndonëse për 6 muajt e parë të këtij vitit nuk ka realizuar asnjë projekt kapital nga mbi 80 projekte të planifikuara, synon t’i realizojë 50 projekte me kosto të lartë të investimit në vitet 2019, 2020 dhe 2021.

Sipas hartuesve të Kornizës Afatmesme Buxhetore 2020-2022, “Komuna së bashku me ministritë e Republikës së Kosovës planifikon investime të konsiderueshme në këtë periudhë, nga të cilat disa projekte janë me karakter shtetëror”.

Sipas KAB-së, shuma e planifikuar për tre vjet është 39.760.489 euro (14.159.616 euro në vitin 2019, 13.245.438 euro në vitin 2020 dhe 12.355.435 euro në vitin 2021). Projektet më të mëdha janë tri projekte për kompleksin memorial “Adem Jashari”, që kanë koston e përgjithshme prej 5.340.000 eurosh (3.115.000, 2.000.000, 225.000 euro) dhe të cilat planifikohet t’i financojë Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, pastaj 16.000.000 euro për projektin e zgjerimit të rrugës Klinë e Epërme – Polluzhë (kjo rrugë ka përfunduar para më shumë se dy vjetësh, por në disa segmente punët nuk janë kryer për shkak të problemeve të shpronësimit) dhe 2.400.00 euro për rehabilitimin e së njëjtës rrugë (Klinë-Skenderaj), 2.600.000 euro për zgjerimin e rrugës Mitrovicë – Pejë (Loti Mitrovicë - Skenderaj), 750 mijë euro për ndërtimin e shkollës në Polac, 400 mijë euro për objektin e gjimnazit “Hamzë Jashari”, 2.801.023 euro për “Ndërtimet dhe rinovimet e QKRA-ve dhe shtimet operative Vushtrri, Skenderaj, Deçan, si dhe në qendra tjera”.

Buxheti, më i lartë

E ndërkaq, sipas qarkores buxhetore të Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës, buxheti i vitit 2020 për Komunën e Skenderajt është më i lartë.

Planifikimi i buxhetit në formën siç është paraqitur është kritikuar nga opozita në Skenderaj, e cila vlerëson se tek investimet kapitale për vitin 2020, ku parashihet se nga 3.873.215 euro janë huqur hiq më pak se 2.829.800 euro. “Për projekte të njëjta shuma që ishte planifikuar vitin e kaluar me Kornizën Afatmesme Buxhetore dhe shuma e planifikuar sivjet gjithashtu me KAB ndryshon shumë, jo shumë, por tepër shumë. Askush nuk e ka të qartë se si ndryshojnë kostot për projekte të njëjta vetëm për një vit dallim. Ndoshta kanë lëvizur fshatrat apo çka është bërë?”, ka vlerësuar asamblisti i LVV-së në Kuvendin e Skenderajt, Hysni Mehani, i cili ka numëruar 21 projekte të njëjta, të cilat kanë dallim në vlerat e planifikuara investuese prej hiç më pak se 2.829.800 eurosh. “Janë plus 650.422.54 euro investime kapitale që nuk ishin paraparë fare në Kornizën Afatmesme Buxhetore 2019-2021 dhe tani janë paraparë me Kornizën Afatmesme Buxhetore 2020-2021. Me këtë nivel të dobët të planifikimit, me këtë joseriozitet në planifikimin e investimeve kapitale, me këto lëvizje të mjeteve financiare sa në një projekt, sa në një tjetër, duke u hapur rrugë mundësive për manipulim, nuk ka, nuk mund të ketë e as që do të ketë zhvillim. Me njerëz që nuk mund t'i mendojnë projektet më gjatë se një vit e pamundur të ketë sukses në qeverisje”, ka vlerësuar asamblisti Mehani.

Komuna e Drenasit, 16 milionë euro buxhet

Në anën tjetër, buxheti i përgjithshëm i Komunës së Drenasit për vitin 2020 është 16.490.342 euro, ndërsa nga kjo shumë për investime kapitale janë planifikuar 5.420.459 euro.

Drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Drenasit, Shyqiri Bublaku, ka thënë se buxheti i Komunës së Drenasit për vitin 2020 është më i madh për 8,69 për qind, ndërsa ka shtuar se nga aspekti ekonomik i shpenzimeve do të këtë 5 kategori kryesore të shpenzimeve, ndërsa në aspektin funksional 20 programe e nënprograme.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se nëpërmes dëgjimeve buxhetore merren imputet direkte nga qytetarët dhe kërkesat e tyre. “Komuna për vitet në vazhdim ka planifikuar një buxhet me rritje për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Ju jeni ne dijeni që për këtë vit kemi pasur të planifikuar 4.5 milionë euro buxhet për investime kapitale, por e kemi rritur përmes granteve të fituara, si atë të performancës komunale, të transparencës dhe për mjedis të pastër mbi 5.2 milionë, ashtu do të punojmë edhe për vitet në vazhdim që të rriten mjetet për projekte”, ka thënë kryetari Lladrovci./ZËRI