Kosova ka shfrytëzuar mbi 300 milionë euro nga fondet IPA

Kosova ka shfrytëzuar mbi 300 milionë euro nga fondet IPA

Ekonomia qershor 25, 2019 - 15:32
Lexoni detajet

Kosova është përfituesja më e madhe për kokë banori në rajon e fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit i njohur si IPA, thonë në Qeverinë e Kosovës. Ndërkohë që përfaqësues të shoqërisë civile kritikojnë institucionet për humbjen e disa fondeve.

IPA është një instrument financiar i Bashkimit Evropian që ka për synim të ndihmojë vendet që janë në procesin e anëtarësimit në BE.

Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se vetëm gjatë viteve 2017–2020, Kosova ka arritur dhe do t’i shfrytëzojë më shumë se 300 milionë euro nga fondet IPA.

“Fondet IPA duhet të shikohen nga viti në vit dhe mund të themi se ka pasur rritje. Në vitin 2017 kanë qenë mbi 70 milionë, ndërsa në vitet 2018–2019 dhe 2020 janë respektivisht nga 100 milionë euro. Kosova për kokë banori është pranuesja më e madhe e fondeve të Bashkimit Evropian pas Palestinës, ndërsa në rajon jemi pranuesja më e madhe e fondeve IPA”, thekson Hoxha.

Megjithatë, mjaft kritik janë përfaqësuesit e shoqërisë civile të cilët konsiderojnë se Kosova po humb disa nga Fondet e IPA-së.

Albana Rexha, hulumtuese e lartë në Grupi për Studime Juridike dhe Politike në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se Qeveria e Kosovës po i humb këto fonde për shkak të neglizhencës dhe mosrealizmit të reformave të cilat dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA) dhe Agjenda për Reformave Evropiane (ERA).

“Paratë të cilat jepen nga BE-ja nuk i jepen Kosovës vetëm se është pjesë e pakos së zgjerimit të BE-së, mirëpo ato mjete financiare janë të kushtëzuara me adoptimin e disa reformave në politika të caktuara, si për shembull në fushën e të bërit biznes, në sundim të ligjit e të ngjashme. Pra, janë pjesë e politikës së kushtëzimit nga ana e BE-së, në mënyrë që ta shtyjnë përpara Kosovën dhe në të njëjtën kohë ta përkrahin në përmbushjen e këtyre reformave”, thotë Rexha.

Ajo thekson rastin e anulimit të një projekti në vlerë prej 12 milionë eurosh për ndërtimin e një deponie të mbeturinave të rrezikshme në Kosovë, ku sipas saj, ky projekt u anulua nga Bashkimi Evropian vetëm për shkak të neglizhencës së institucioneve të vendit.

Për anulimin e këtij projekti kishte njoftuar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. BE kishte shprehur keqardhje për anulimin e këtij projekti, i cili sipas tyre do t’i sillte përfitime të mëdha gjithë popullsisë, duke siguruar deponi të përshtatshme për mbeturinat e rrezikshme.

Rexha thotë se përveç këtij projekti i cili ka dështuar, Kosova po rrezikon të humb fonde edhe për projekte tjera. Sipas saj, këto fonde po rrezikohet të humbin për shkak të mungesës së reformave që BE-ja kërkon nga institucionet e Kosovës në rastin e financimit të një projekti.

“Qeveria e Kosovës i ka nënshkruar dy kontrata për mbështetjen buxhetore për reformën e administratës publike dhe tjetra për mbështetjen buxhetore për menaxhimin e financave publike. Këto janë dy kontrata që Qeveria e Kosovës i ka nënshkruar si ndihëm financiare për buxhetin e Kosovës dhe Qeveria është dashur të tregoj; seriozitet në zbatimin e të gjitha indikatorëve që janë paraparë më këto dy kontratave. Mirëpo, deri më tani edhe pse Kosova e ka nënshkruar kontratën për reformën e administratës publike në vlerë prej 25 milionë euro, buxhetit të Kosovës ende nuk i janë alokuar asnjë shumë nga ky 25 milionë euro dhe Qeveria nuk mund të krenohet se ka nënshkruar një kontratë në kuadër të IPA-së, pasi që këto mjete janë të kushtëzuar me plotësimin e disa indikatorëve”, thotë Rexha.

Në anën tjetër, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha pranon se disa projekte që financohen nga fondet IPA kanë pasur vonesa, por siç thotë ajo, jo gjithmonë me fajin e autoriteteve të Kosovës humben këto fonde.

“Disa nga këto projekte kanë vonesa për shkak të procedurave burokratike të Bashkimit Evropian, por në anën tjetër në disa raste ka pasur vonesa për shkak të procedurave nga ana jonë. Së voni është zhgënjyese të tregojmë faktin kur BE ka lajmëruar se do të anulohet projekti për deponinë e materieve të rrezikshme në Harilaq të Fushë Kosovës dhe kjo për shkak të mosgatishmërisë së asamblesë komunale në Fushë Kosovë që të votojë një lokacion. Pra, Kosova nuk do të arrijë të marr këto 12 milionë euro”, tha Hoxha.

Ministrja Hoxha tregon se përmes fondeve IPA ka pasur edhe projekte të suksesshme të cilat janë realizuar dhe që kanë pasur ndikim të drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Njëri nga projektet më të suksesshme është projekti i bursave ku afër 350 studentët kanë shkuar të vijojnë studimet në universitet më prestigjioze të Bashkimit Evropa dhe ata studentë, të rinj me përfundimin e studimeve master, janë kthyer dhe punojnë në institucionet e Kosovës. Pra kemi ndërtuar dhe arritur që jo vetëm t’i pajisim me diploma, por edhe të reformojnë administratën publike më këta persona. Ky është projekt që në mënyrë të drejtpërdrejt kanë përfituar të rinjtë”, thotë Hoxha.

Asistenca financiare në kuadrin e IPA II për Kosovën për vitet 2014–2020 kap shumën e 645.5 milionë. Asistenca financiare në kuadër të IPA II ndjek katër objektivat specifike në vijim: mbështetje për reformat politike, mbështetje për zhvillim ekonomik, social dhe territorial, forcimin e aftësisë së përfituesve për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian duke mbështetur harmonizimin progresiv, zbatimin dhe miratimin e Acquis të Unionit si dhe forcimin e integrimit rajonal dhe bashkëpunimit territorial. /Rel