Komuna e Kllokotit blen telefona pa tender

Komuna e Kllokotit blen telefona pa tender

Ekonomia qershor 20, 2019 - 08:03
Lexo tjera detaje
Image

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Komuna e Kllokotit ka blerë 3 telefona mobilë në vlerë prej 2.769 eurosh pa iu nënshtruar fare procedurave të prokurimit, ashtu siç parashihet me ligj. Sipas ZKA-së, anashkalimi i procedurave të prokurimit të parapara me ligj mund të çojë në favorizim të operatorëve të caktuar dhe në dëmtim të buxhetit përmes mosarritjes së vlerës për paratë e shpenzuara, shkruan sot gazeta "Zëri".

Pa iu nënshtruar fare procedurave të prokurimit, gjatë vitit që lamë pas Komuna e Kllokotit kishte blerë tre telefona celularë. Kjo, por edhe shumë shkelje tjera, janë evidentuar në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”.

Sipas ZKA-së, Komuna sipas faturës nr. 70160086, të datës 1/2/2018, ka kryer pagesën për shpenzimet telefonike, më datën 10/4/2018, në shumën prej 2.769 eurosh.

“Me rishikimin e dokumentacionit të paraqitur është përcaktuar se Komuna ka blerë tre (3) telefona celularë pa zbatimin e procesit të prokurimit publik e kjo është në kundërshtim me procedurat e përcaktuara nga Ligji Nr. 03/L-048 LMFPP, Neni 17. Subjekti ka bashkangjitur një kontratë të pavlefshme në lëndë. Nuk kanë qenë në dijeni se duhet të zhvillohet procedura e prokurimit për ketë blerje, pasi qeverisja e kaluar ka shfrytëzuar ofertën e operatorit për furnizim me telefona mobilë dhe nuk i ka kthyer ata.

Anashkalimi i procedurave të prokurimit të parapara me ligj mund të çojë në favorizim të operatorëve të caktuar dhe në dëmtim të buxhetit përmes mosarritjes së vlerës për paratë e shpenzuara”, thuhet në raportin e auditorit. Aty më tutje thuhet se kryetari duhet të sigurojë ndërmarrjen e masave dhe të procedurave, në mënyrë që secili prokurim të kryhet në përputhje me procedurat e parapara.

Dobësi në ndarjen e subvencioneve

Më 27 shkurt 2018 është bërë pagesa e subvencioneve në vlerë prej 200 eurosh në emër të përdoruesit privat për ndihmë materiale dhe shëndetësore. Kompensimi është paguar me vendim të kryetarit të Komunës së Kllokotit nr. 10023/3, të datës 13/02/2018, por auditori ka gjetur se në dokumentet përcjellëse të datës 28/03/2017 përdoruesi nuk ka pasur ndonjë kërkesë, as specifikimet e duhura për arsyetimin e shpenzimeve, që është në kundërshtim me Nenin 8, 9, 10 dhe 12 të Rregullores së Brendshme për ndarjen e subvencioneve. “Në 7 mostrat e ekzaminuara kemi gjetur se nuk ishin zbatuar nenet 8, 9, 10 dhe 12 të Rregullores për arsyetimin e subvencioneve të dhëna. Mungesa e kontrollit dhe mungesa e angazhimit të njësisë kompetente. Mungesa e raportimit e dobëson përgjegjësinë e përdoruesve dhe stafin e Komunës në trajtimin e lëndëve dhe zvogëlon aftësinë e menaxhmentit për të ndërmarrë veprime efektive dhe në kohë. Kryetari duhet të sigurojë monitorimin e duhur të shpenzimit të subvencioneve, në mënyrë që subvencionet e ndara të arrijnë qëllimin e synuar, njësitë kompetente të kërkojnë raporte kthyese”, thuhet më tutje në raportin e ZKA-së.

Dobësi në zbatimin e procedurës së tenderit

Më tutje në raportin e ZKA-së thuhet se Komuna ka nënshkruar një kontratë publike kornizë me një operator ekonomik më datën 16.7.2018: “Rehabilitimi, ndërtimi dhe asfaltimi i rrugëve në Komunën e Kllokotit”, në vlerë prej 201.221 eurosh, për një periudhë prej 24 muajsh. Ishte kryer procedurë e tenderit të hapur.

Zyra e Prokurimit Publik e ka iniciuar procedurën e prokurimit edhe pse nuk janë identifikuar vendet ku ka nevojë për të investuar. Kjo ka rezultuar në atë që dokumentacioni i tenderit është dorëzuar vetëm me paramasë dhe parallogari, pa projekte përcjellëse të investimeve. “Gjithashtu në bazë të Ligjit të Ndërtimit, respektivisht Nenit 14 dhe 29, në rastin e ndërtimit është e nevojshme pajisja me dokumentacionin e duhur, të tilla si lejet e ndërtimit dhe mbikëqyrja inspektuese, të cilat Komuna nuk i ka siguruar. Përveç kësaj, gjatë vlerësimit të tenderëve, raporti vlerësimit të tenderit evidenton datën fillestare 18.6.2018 të përgatitjes së raportit të vlerësimit, ndërsa raporti i vlerësimit të Komisionit të Tenderëve është nënshkruar/përfunduar më datën 6.7.2018. Edhe pse procesi i vlerësimit të OE-së përfundoi më 06.7.2018, menaxheri i prokurimit i ka informuar kandidatët e pasuksesshëm dhe të suksesshëm më 20.6.2018. Gjithashtu janë kontraktuar çmime jonormalisht të ulëta për pozicione të caktuara. Për shembull, çmimi për pozitën ‘4.3. Ngritja e pusetave ekzistuese të kanalizimit fekal deri në nivelin e projektit të rrugës’. Në çmim të përfshihet edhe furnizimi dhe montimi i kapakëve nga giza për pesha të rënda deri në 40 tonë në kontratë me kompaninë fituese kushton 1€, ndërsa në çmimet e tregut të publikuara nga KRPP-ja vetëm kapaku mund të kushtojë 160 € (duke u bazuar në listën e çmimeve të njësisë mesatare referente për punë ndërtimi dhe ndërtimi i materialeve, KRPP, data 15.07.2015)”, thuhet në raport.

Sipas auditorit, duke pasur parasysh se autoriteti kontraktues duhet domosdoshmërisht ta dorëzojë projektin ekzekutiv në specifikimet e dosjes së tenderit, mungesa e një projekti të tillë është në kundërshtim të plotë me ligjin dhe si i tillë çon në rrezikun që objektivat e Komunës të mos arrihen në nivel të kënaqshëm. Inicimi i projekteve në mungesë të kompletimit të dokumenteve në përputhje me Ligjin e Ndërtimit mund të ndikojë në cilësi dhe në vonesa në zbatimin e këtyre projekteve. Sipas ZKA-së, njoftimi i kandidatëve të suksesshëm dhe të pasuksesshëm para përfundimit të procesit të vlerësimit të ofertave çon në dyshim rregullsinë e procesit të vlerësimit të tenderëve. “Kontraktimi i çmimeve jonormalisht të ulëta mund të reflektojë në dështimin ose në realizimin joefektiv të kontratës ose të punëve në të ardhmen. Kryetari duhet të marrë parasysh arsyet e dështimit të kontrollit me rastin e përgatitjes së tenderëve për kontratat e ndërtimit dhe për të siguruar që projektet e synuara janë të përcaktuara qartë. Gjatë procesit të vlerësimit të ofertave menaxheri i Prokurimit duhet t’i përmbahet LPP-së dhe udhëzimeve të përdorimit. Kryetari duhet të sigurojë që projektet janë të pajisura me dokumentacionin e nevojshëm në përputhje me kërkesat e Ligjit për Ndërtim, me ç’rast fillimisht sigurohet leja e ndërtimit, mbikëqyrja inspektuese gjatë ekzekutimit dhe në fund të projektit duhet të sigurohen lejet e përdorimit”, thuhet në raport.

Menaxhim joadekuat i faturave

Sipas Rregullës Financiare Nr. 01/2013, të gjitha faturat duhet të pranohen/regjistrohen përmes zbatimit të procedurave të kontrollit të brendshëm për qarkullimin e dokumentacionit. Në këtë aspekt faturat e pranuara duhet të protokollohen dhe të regjistrohen në librin e faturave/protokollit. “Ne kemi vërejtur se asnjë faturë e pranuar nga OE-ja nuk është protokolluar dhe nuk kishte datën e pranimit nga ana e Komunës, që ka rezultuar me mospërditësim të regjistrit të faturave të papaguara. Përveç kësaj, raporti mbi obligimet e papaguara në fund të vitit zhvillon të dhëna të pasakta, sepse brenda tij ka 20 artikuj në vlerë totale prej 21.188 €, të cilat janë ende brenda afatit ligjor për pagesë (30 ditë). Përveç kësaj, në tri (3) raste është vërejtur prezantim i obligimeve më të larta sesa që ato janë faturuar për 3.085 euro”, thuhet në raportin e ZKA-së. Aty më tutje thuhet se mosprotokollimi i faturave rrit rrezikun e humbjes ose dyfishimit të pagesave të faturave të njëjta dhe mosprezantim të gjendjes aktuale të obligimeve të Komunës. Raporti për obligimet të cilat janë ende në kuadër të afatit të lejuar ligjor për pagesë rrit rrezikun që Komuna t’i japë informacione të pasakta menaxhmentit, derisa prezantimi i obligimeve në masë më të lartë sesa që ato janë realisht rrit rrezikun e pagesës pa obligim fare. Prezantimi i obligimeve edhe në kuadër të obligimeve kontingjente sjell deri te prezantimi i të dhënave të pasakta në PVF. “Kryetari i Komunës duhet të sigurojë që të gjitha faturat e pranuara të regjistrohen në librin e protokollit, në mënyrë që të përmbushen detyrimet e Ligjit për Protokollet. Gjithashtu kryetari i Komunës duhet të forcojë kontrollet e brendshme, në mënyrë që prezantimi i obligimeve të jetë i saktë”, rekomandon auditori.

Dobësi te kontrollet menaxheriale

Sipas ZKA-së, Komuna nuk ka vendosur procedura formale për menaxhimin e rrezikut, të cilat përfshijnë identifikimin, vlerësimin, reagimin dhe monitorimin e ngjarjeve ose të situatave që mund të kenë ndikim negativ në përmbushjen e objektivave të përdoruesve të parasë publike. Po ashtu nuk janë ndërmarrë hapat fillestarë e as përgjegjësi për trajtimin e rreziqeve të mundshme për organizatën. Si rezultat i mosfunksionimit të kontrolleve menaxheriale, menaxhimit joadekuat të të hyrave dhe monitorimit të faturave, kjo solli situatën që obligimet të mos jenë të shpalosura në vlerën e saktë të Pasqyrave Vjetore Financiare (PVF). Dobësi menaxheriale janë vërejtur në fushën e prokurimit, ku ngec menaxhimi i projekteve kapitale përmes marrëveshjeve të përgjithësuara pa identifikimin e projekteve të investimeve të synuara. Llogaritë e arkëtueshme janë rritur, edhe pse nuk janë marrë masa të veçanta për arkëtimin e tyre. Numri i pasurive komunale për efekt të tatimit në pronë nuk është verifikuar, ndërtesat me qira gjithashtu ende janë përdorur në mospërputhje me ligjin. Nga ana tjetër, pasuritë nuk e pasqyrojnë gjendjen e saktë, ndërsa “e-Pasuria” ka vazhduar me mosfunksionim. Komuna gjithashtu nuk ka politika dhe procedura të shkruara për menaxhimin e rrezikut, veçanërisht jo për rrezikun e mashtrimit dhe të parregullsive. “Mungesa e menaxhimit efektiv të rrezikut do të zvogëlojë kontrollin e ngjarjeve të mundshme dhe të situatave që mund të kenë një efekt negativ në arritjen e objektivave të shfrytëzuesve të mjeteve publike. Veprimet proaktive që janë të nevojshme për të shmangur ndikimet e mundshme të çështjeve të tilla nuk do të ndërmerren në mënyrë të planifikuar dhe sistematike. Kryetari duhet të sigurojë vlerësimin e rrezikut duke identifikuar objektivat kryesore, fushat eventualisht problematike, si dhe masat për të ulur rrezikun në një nivel të pranueshëm. Është i nevojshëm delegimi i përgjegjësisë së drejtpërdrejtë për menaxhimin e rrezikut te njëri nga drejtorët përkatës, që në koordinim me drejtuesit e njësive do ta menaxhonte këtë proces dhe në baza mujore të raportojnë për menaxhimin e rrezikut”, thuhet më tutje në raport.

Dobësi në menaxhimin e pasurisë

“Ne kemi kontrolluar nëse procesi i regjistrimit dhe mënyra e mbajtjes së të dhënave është në përputhje me kërkesat e Rregullores Nr. MF. 02/2013 për menaxhimin e pasurive jofinanciare të organizatave buxhetore. Gjatë auditimit ne kemi vërejtur se Komuna ka treguar dobësi në menaxhimin e pasurive si në vijim: Komuna ende nuk ka emëruar zyrtarin e pasurive dhe ende nuk ka procedura të brendshme për menaxhimin e pasurisë në përputhje me kërkesën e Rregullores së Thesarit 02/2013. Nuk është themeluar komisioni për vlerësimin e pasurisë; Nuk ka arritur të regjistrojë pasuritë mbi 1.000 € të blera në vitin 2018 në regjistrin kontabël (Free Balance). Vlera e pasurive të shpalosura në PVF për vitin 2018 arrin në 1.434.633 €, e cila është e bazuar në të dhënat në regjistrin i cili nuk është përditësuar që nga viti 2014; Duke u bazuar në raportet nga Departamenti i Kadastrës në Komunë, ne kemi gjetur se Ambulanca në fshatin Mogillë dhe 45 ngastra të tokës nuk janë regjistruar në regjistrin kontabël të pasurive në SIMFK dhe nuk është shpalosur në PVF; Nuk është formuar komisioni për inventarizimin dhe vlerësimin e pasurive siç kërkohet me Rregulloren për Menaxhimin e Pasurive, Nr. 02/2013 19 dhe 21; Pasuritë nën 1.000 € nuk janë regjistruar nga Komuna sepse softueri ‘e-Pasuria’ nuk është funksional. Në PFV Komuna nuk i ka shpalosur pasuritë nën 1.000 € për mungesë provash, por nuk e kishte as regjistrin e stoqeve në fund të vitit dhe nuk e ka paraqitur vlerën e tyre në PFV”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”.

Sipas auditorit, Komuna ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me ministri të ndryshme për projekte kapitale. Megjithatë, si pasojë e mungesës së pronësisë së qartë të këtyre objekteve në marrëveshje për bashkëfinancim me komunat, pasuria në vlerë prej 135.866 € nuk është transferuar në regjistrin e pronës komunale. Sipas ZKA-së, mospërditësimi i regjistrit të pasurisë, mungesa e dokumentacionit mbështetës për pronën e treguar në regjistër, regjistrimi joadekuat dhe mosharmonizimi i gjendjes së inventarizimit me gjendjen e regjistrit kontabël rrit rrezikun që asetet të keqpërdoren, të tjetërsohen ose të humbin dhe që vlera e pasurive të organizatës e prezantuar në PVF të mos jetë e saktë. “Kryetari duhet të sigurojë që janë forcuar kontrollet në menaxhimin dhe në raportimin e pasurive, në mënyrë që menaxhimi dhe raportimi i tyre të bëhet në përputhje me kërkesat ligjore. Për më tepër, duhet të sigurojë që marrëveshjet e bashkëfinancimit me ministritë ta sqarojnë pronësinë e ndërtesave pas përfundimit të tyre. Është gjithashtu e nevojshme të rritet bashkëpunimi i zyrtarit të pasurisë me Thesarin për të lejuar regjistrimin e investimeve të reja në objektet ekzistuese, si dhe vlerën e shtuar të objektit primar”, rekomandon auditori./ZERI