Komuna e Prishtinës, 94 të punësuar me kontratë mbi vepër
FOTO: Laura Hasani

Komuna e Prishtinës, 94 të punësuar me kontratë mbi vepër

Ekonomia June 18, 2019 - 08:11
Lexoni detajet
Image

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Komuna e Prishtinës gjatë vitit 2018 kishte angazhuar 94 persona përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta (MSHV). Gjatë testimit të dosjeve ZKA-ja ka gjetur se 9 raste angazhimi nuk ishte bërë përmes procedurave të thjeshtëzuara të rekrutimit siç kërkohet. Personat ishin angazhuar për 6 muaj dhe më pas kontratat u ishin vazhduar edhe për 6 muaj me kërkesë të drejtorëve përkatës ku ishin angazhuar më parë. Personat punonin në pozita të rregullta të punës, shkruan sot Gazeta 'Zëri". 

Shkelje të shumta ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për Komunën e Prishtinës për vitin 2018.

LEXO EDHE: Dembelët e Gjilanit, reparti me tri operacione në muaj

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Komuna e Prishtinës gjatë vitit 2018 kishte angazhuar 94 persona përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta (MSHV), shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Gjatë testimit të dosjeve ZKA-ja ka gjetur se 9 raste angazhimi nuk ishte bërë përmes procedurave të thjeshtëzuara të rekrutimit siç kërkohet.

Personat ishin angazhuar për 6 muaj dhe më pas kontratat u ishin vazhduar edhe për 6 muaj me kërkesë të drejtorëve përkatës ku ishin angazhuar më parë. Personat punonin në pozita të rregullta të punës.

Sipas Komunës, kjo ishte pasojë e mungesës së pozitave të aprovuara në planifikimin e buxhetit dhe ishte mundësia me e lehtë e angazhimit të tyre.

Sipas ZKA-së, mbulimi i pozitave me MSHV për pozita të rregullta, pa procedura të thjeshtësuara, kufizon konkurrencën dhe si pasojë mund të pranohet staf me kompetencë të ulët, i cili ka ndikim që cilësia e shërbimeve të pranuara të mos jetë në përputhje me nevojat.

“Derisa moszgjidhja e statutit të punonjësve vite me radhë mund të shtojë rrezikun për padi dhe humbje financiare për Komunën. Kryetari duhet të sigurojë se punonjësit përmes MSHV-ve angazhohen vetëm në rastet kur ka kërkesa specifike. Angazhimi të bëhet në përputhje me kërkesat ligjore përmes një procesi konkurrues dhe transparent dhe periudha e angazhimit të bëhet në kuadër të afateve të parapara me ligj. Ndërsa për të gjitha pozitat e rregullta të punës duhet të sigurohet se buxhetohen nga Kategoria e pagave dhe e mëditjeve, si dhe paguhen nga sistemi i pagave”, thuhet në rekomandimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

1.2 milion euro pagesa përmes vendimeve gjyqësore

Sipas auditorit, gjatë vitit që lamë pas Thesari kishte ekzekutuar pagesa në vlerë prej rreth 1.2 milion eurosh nga buxheti i Komunës direkt në llogari të operatorit ekonomik (OE) / Përmbaruesit.

“Nga testimi i 23 pagesave kemi vërejtur se ekzekutimi i tyre përmes përmbarimit kishte shkaktuar shpenzime shtesë për 63.543 €. Pagesat kishin ndodhur meqë punët/shërbimet ishin të përfunduara, mirëpo nuk ishin paguar sipas procedurave të rregullta për shpenzimin e parave publike si rezultat i mungesës së mjeteve buxhetore. Pagesat kishin të bënin me paga jubilare, pagesa për shërbime komunale, investime etj. Pagesat kishin ndodhur si rezultat i mosplanifikimit të buxhetit dhe mungesës së mjeteve për to. Format e pagesës përmes vendimeve gjyqësore rrezikojnë realizimin e projekteve të planifikuara kapitale ose realizimin e shërbimeve nga ku janë marrë mjetet për pagesë. Pagesat e tilla shkaktojnë dëmtim shtesë të buxhetit për shkak të shpenzimeve përmbarimore”, thuhet në raportin e siguruar nga gazeta “Zëri”. Aty më tutje thuhet se

kryetari duhet të marrë veprimet e duhura në mënyrë që të ndërpresë praktikat e krijuara të pagesave dhe të mos vijë deri te pagesat me vendime gjyqësore ose pagesat direkte nga Thesari.

Sipas ZKA-së, shmangia e tyre duhet të bëhet duke respektuar me përpikëri rregullat e prokurimit publik (menaxhim i mirë i kontratave nga planifikimi, ekzekutimi e deri të raportimi i tyre), rregullat e Thesarit lidhur me zotimin e mjeteve me kohë, si dhe hapave tjerë deri në ekzekutimin e pagesave.

Shfrytëzim i pronave me kontrata të skaduara

Në bazë të vendimit të Kuvendit në vitin 2007 ishin dhënë me qira 21 banesa për ish-këshilltarët komunalë. Po ashtu me vendimin e Komisionit për Çështje Banesore në vitin 2008 ishin dhënë edhe 22 banesa tjera me qira për punëtorë administrativë. Ne kemi testuar katër raste dhe kemi gjetur se këto kontrata kanë skaduar e nuk janë vazhduar më.

Qiramarrësit vazhdojnë të shfrytëzojnë banesat. Përveç kësaj, edhe pse kompensimi ishte minimal pagesa e qirasë nuk ishte bërë në kohë të rregullt dhe figuronin borxhe në vlerë totale 16.171 €. Sipas Komunës, aktualisht janë në proces të evidentimit të gjendjes aktuale të këtyre pronave, që më pas të trajtohen sipas ligjit. Sipas auditorit, shfrytëzimi i pronave komunale me kontrata të skaduara dhe pa to privon Komunën nga e drejta për arkëtimin e të hyrave dhe ndjekjen e proceduarve gjyqësore në raste të mosarkëtimit të të arkëtueshmeve me kohë.

Zyra Kombëtare e Auditimit rekomandon se kryetari duhet të marrë masa të shpejta në procesin e shqyrtimit të kësaj çështjeje për të sanuar situatën aktuale përmes përpilimit të kontratave të reja ose edhe formave tjera ligjore që çojnë drejt arkëtimit të të hyrave për Komunën dhe përdorimin legjitim të pronave.

Shfrytëzimi i pronave pa kompensim

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale 03-L040, Nenit 14, Statutit të Komunës, Nenit 33.2- a dhe Ligjit 04/L-144, vihet në pah mundësia - mënyra e dhënies në shfrytëzim dhe në këmbim të pronës komunale. Në vitin 2014 Komuna kishte bërë verifikimin e të gjitha pronave komunale, në mesin e të cilave edhe ngastrat që janë në pjesën e quajtur “Zona Industriale”. Të paktën 37 parcela të kësaj zone me rreth 6 hektarë shfrytëzohen nga biznese të ndryshme pa asnjë kompensim ndaj Komunës. Kjo çështje është ngritur edhe në raportin e vitit të kaluar dhe vazhdon të mbetet peng. Megjithatë, nga Komuna nuk është ofruar ndonjë shpjegim konkret se pse nuk është ndërmarrë asnjë veprim për ta adresuar këtë çështje. “Lënia e pronave komunale në shfrytëzim të bizneseve pa marrëveshje/kontratë dëmton të hyrat e Komunës dhe rrit rrezikun që shfrytëzuesit të manipulojnë me ato prona. Sipas kalkulimit të thjeshtë, duke e krahasuar me qiratë tjera, i bie që Komuna humb së paku 6 €/m2, ose 360.000 €/muaj. Kryetari duhet të rishikojë shkakun e shfrytëzimit të pronave pa kompensime dhe të marrë veprime për të nënshkruar marrëveshje me bizneset - shfrytëzues të pronave për kompensimin e tyre, qoftë përmes qirasë ose përmes formave tjera ligjore”, thuhet më tutje në raport.

Planifikimi i dobët i sasive në kontratë

Sipas rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik (UOPP), njësia kërkuese ka përgjegjësitë të përgatisë vlerësim formal të nevojave për secilin aktivitet të prokurimit, që të sigurohet se bëhen vetëm prokurime të sakta dhe të nevojshme.

Në procesin e prokurimit “Zgjerimi dhe modernizimi i rrjetit të ndriçimit publik” ishte kriter çmimi më i ulët, duke u bazuar në këtë ofertë fituesi ishte me vlerë 164.403 € (kontratë publike kornizë).

“Ne kemi bërë krahasimet me ofertuesin e dytë me radhë dhe doli se për sasitë e njëjta të furnizuara Komuna ka paguar 39.757 € më shumë. Pra si shkak i vlerësimit të dobët të sasive të kërkuara dhe atyre të nevojshme për furnizim Komunës ofertuesi më i lirë i kushtoi më shtrenjtë. Rrjedhimisht për një pozicion ishin kontraktuar 50 njësi dhe janë pranuar 1302 njësi, derisa disa pozicione tjera nuk ishin marrë fare. Planifikimi jo i përafërt i sasive rrezikon shpërblimin e ofertuesve më të shtrenjtë edhe pse në parim gjatë vlerësimit të ofertave mund të perceptohet sikur po shpërblehet oferta me çmimin më të lirë dhe si rrjedhojë të shkaktohet humbje financiare për Komunën dhe gjithnjë ekziston rreziku i keqpërdorimit gjatë tërë procesit të tenderimit dhe ekzekutimit të një kontrate”, thuhet më tutje në raport.

Aty thuhet se kryetari duhet të sigurojë se njësitë kërkuese vlerësojnë sa më saktë nevojat për punët që do të porositen, në mënyrë që të mos përsëriten rastet e ngjashme.

Kryerja e punëve pa kontratë

Sipas LPP-së, Nenit 38, kontrata publike kornizë nuk mund të zgjatet dhe kushtet e saj nuk mund të ndryshohen. Komuna kishte nënshkruar kontratë publike kornizë për projektin “Punimi furnizimi dhe vendosja e numrave të adresave”.

Kjo kontratë ishte nënshkruar më 20.09.2016, me afat 12 muaj. Nga testimi del se furnizimet, në vlerë 17,959 € të paguara në vitin 2018, ishin bërë rreth 6 muaj mbas përfundimit të kontratës. Sipas menaxherit të kontratës, OE-të kishte filluar zbatimin e kontratës me vonesë, andaj është tejkaluar afati. Sipas kësaj, duket se menaxheri nuk i ka kushtuar vëmendjen afatit të përcaktuar me kontratë. Në anën tjetër, Komuna nuk ka ndërmarrë masat e duhura ndaj OE-së që të fillojë puna me kohë.

“Komuna rrezikon të hyjë në obligime pa kontratë për shkak të menaxhimit joefektiv të kontratave. Kështu pagesat mbas përfundimit të kontratës mund të ndikojnë me humbje financiare për Komunën dhe në arritje të vlerës së dobët për para. Kryetari duhet të sigurojë se janë duke u përfillur kushtet mbi kontratën kornizë, të cilat janë të përcaktuara edhe me LPP-në (mbi kohëzgjatjen) dhe të shtojë forcimin e kontrolleve, me qëllim që kontratat të menaxhohen drejt dhe që punimet/furnizimet të mos kryhen jashtë afateve të përcaktuara me kontratë”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Urdhërblerja pas pranimit të faturës - punëve

Sipas Rregullës Financiare 01/2013, procesit për inicimin e shpenzimit i paraprin kërkesa për blerje, zotimi i mjeteve, urdhërblerja, pranimi i mallit dhe më pas fatura.

Nga 200 pagesa të testuara, në 61 prej tyre, që kishin të bënin me investime kapitale dhe mallra e shërbime, nuk janë respektuar rregullat e lartcekura.

Urdhërblerja dhe zotimi i mjeteve ishte bërë pas pranimit të punëve/furnizimeve, gjegjësisht pas pranimit të faturës. Kjo kishte ndodhur për shkak të moskomunikimit të mirë mes palëve kompetente. Sipas auditorit, hyrja në obligime në mungesë të zotimit të mjeteve/urdhërblerjes mund të shkaktojë rritjen e obligimeve të papaguara dhe si pasojë ekzekutimin e pagesave direkt nga Thesari.

“Kryetari duhet të sigurojë se stafi përgjegjës respekton hapat e përcaktuar ligjor mbi procesin e shpenzimeve, ku me rastin e inicimit të shpenzimit të sigurohet se ekziston zotimi i mjeteve dhe krijimi me kohë i urdhërblerjes”, rekomandon ZKA-ja.

Mangësi në procesin e vlerësimit të tenderëve

Sipas rregullave, në rast se OE-ja ofron çmimin 0.00 € për një artikull të veçantë duhet të dërgohet një pyetje sqaruese tek OE-të, duke kërkuar shpjegim për të.

Te procedura e prokurimit “Ndërtimi i rrugës dhe trotuareve në fshatin Drenoc”, në vlerë 367.972 €, OE-ja kishte ofertuar me çmim 0 për tre (3) pozicione dhe nuk ishte kërkuar fare sqarim. Komisioni për Vlerësimin e Tenderëve nuk i kishte vërejtur këto pozicione me çmim 0.00 € dhe nuk ka kërkuar sqarimin.

“Mosrespektimi i dispozitave ligjore të prokurimit publik mund të ndikojë në vonesa të procedurave të prokurimit, meqë të njëjtat mund të anulohen dhe projektet mund të mbesin pa përfunduar. Kryetari duhet të forcojë kontrollet në Zyrën e Prokurimit lidhur me vlerësimin e tenderëve, në mënyrë që të sigurojë se Komisioni për Vlerësimin e Tenderëve bën ekzaminimin e plotë të ofertave, duke përfshirë pozicionet e caktuara me çmimin 0 €”, thuhet më tutje në raportin e ZKA-së.

Vonesa në realizimin e projekteve

Sipas kontratave të lidhura mes Komunës dhe OE-së janë paraparë edhe afatet kohore për realizimin e projekteve: Nga testimi i 100 pagesave ZKA-ja ka identifikuar vonesat si në vijim: Projekti i ndërtimit të bulevardit mbi kurriz, me vlerë 977.725 euro, për të cilin është nënshkruar kontrata me 12.06.2015, është paraparë të përfundojë pas 180 ditësh, por kontrata nuk është përfunduar ende, derisa Komuna nuk ka aplikuar penale

. “Në fund të vitit 2018 menaxheri i prokurimit, duke u bazuar në raportin e Komisionit të Vlerësimit të Punimeve, ka propozuar që kjo kontratë të mbyllet, por kjo nuk është bërë. Shkak i vonesave ishte menaxhimi joadekuat i kontratës, derisa për përfundimin e kontratës po pritet aprovimi i kryetarit. Kontrata ‘Ndërtimi i urave në pjesën perëndimore të Unazës Qendrore’ ishte nënshkruar më datën 29.07.2016 dhe sipas kontratës duhej të përfundonte brenda 180 ditësh, nuk ka përfunduar ende. Deri në përfundim të vitit 2018 janë realizuar punë në vlerë 706.976 €, ose vetëm 36% e vlerës së kontratës. Po ashtu kontrata ‘Revitalizimi i shkallëve dhe ndërtimi i mbikalimit në lagjen ‘Arbëria’, e nënshkruar më 05.02.2018, duhej të përfundonte për 120 ditë.

Deri në përfundim të vitit 2018 janë realizuar punë në vlerë 102.875 €, ose vetëm 22% të kontratës. Te këto raste shkak i vonesave ishin dobësitë në projekt”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Edhe kontrata “Ndërtimi i sallës së edukatës fizike në shkollën ‘Eqrem Çabej’” ishte nënshkruar më datën 29.10.2014, sipas së cilës do të mbyllej pas 100 ditësh. Punët nuk ishin kryer sipas kontratës në shkollën “Eqrem Çabej”, por në shkollën e Barilevës. Kontrata ka përfunduar gjatë vitit 2018.

Sipas menaxherit, shkak i kësaj ishte vlerësimi joreal i planit të ndërtimit. Kontrata “Ndërtimi i kolektorit mbi lumin Prishtina” ishte nënshkruar më datën 09.08.2016, sipas kontratës duhej të përfundonte për 120 ditë dhe “Ndërtimi i kanalizimit Besi – Barilevë – Lebanë - Kodra e Trimave”, e nënshkruar më 18.08.2017, sipas kontratës duhej të përfundonte për 60 ditë. Deri në përfundim të vitit 2018 për të parin janë realizuar punë në vlerë 1.235,791 euro ose 56% e kontratës dhe për projektin e dytë punët në vlerë 60.000 €, ose vetëm 30%. Këto dy projekte ende nuk kanë përfunduar. Komuna nuk kishte zgjedhur paraprakisht problemet pronësore që lidhen me këto projekte si shkak i të cilave janë vonuar realizimet.

Po ashtu kontrata “Rregullimi i rrugës ‘Reshat Maliqi’, ‘27 Nëntori’ dhe ‘Te Trafoja’, si dhe rregullimi i infrastrukturës në rrugët ‘Aziz Kelmendi’, ‘Malush Kosova’ dhe ‘Elena Gjika’” ishte nënshkruar më datën 24.10.2017 dhe sipas kontratës të gjitha punët do të përfundonin për 150 ditë. Deri në përfundim të vitit 2018 janë realizuar punë në vlerë 50.000€, ose vetëm 14,6% e kontratës.

“Vonesat i kishte shkaktuar operatori i papërgjegjshëm. Menaxherja e projektit ka dërguar vërejtje për OE-në, si dhe ka informuar Zyrën e Prokurimit rreth vonesave, megjithatë gjatë pagesës së situacionit të parë nuk janë aplikuar penale. Mosrealizimi i projekteve sipas planit dinamik dhe kushteve të kontraktuara, fillimi i punimeve pa zgjidhur problemet pronësore ka ndikuar në tejzgjatjen e realizimit të projekteve, gjë që dëmton vetë cilësinë e punimeve dhe mbi të gjitha dëmton perceptimin e qytetarëve ndaj e Komunës. Kryetari duhet të ndërmarrë masat e nevojshme për përfundimin e projekteve të cilat po përcillen nëpër vite. Po ashtu duhet të sigurojë se para inicimit të tyre të bëhen projektet precize, të zgjidhet çështja e shpronësimeve, në mënyrë që të mos ketë ndërprerje të punimeve dhe projektet të realizohen sipas planit dinamik”, thuhet në raportin e ZKA-së.