Komuna e Istogut nuk e merr qiranë për pronat e saj që nga viti 2008
Foto: Zeri

Komuna e Istogut nuk e merr qiranë për pronat e saj që nga viti 2008

Ekonomia June 01, 2019 - 08:12
Lexo tjera detaje
Image

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), menaxhimi i pronave të dhëna me qira mbetet sfidë për Komunën e Istogut edhe në të ardhmen nga fakti se 41 qiramarrës kishin borxhe të pashlyera, madje 10 prej tyre nuk kishin paguar qiranë që nga viti 2008 dhe vazhdojnë ende t’i shfrytëzojnë pronat e Komunës, shkruan gazeta "Zëri".

Parregullsi të shumta ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2018 për Komunën e Istogut. Në këtë komunë ZKA-ja ka hasur në menaxhim joadekuat të pronave komunale të dhëna me qira, por edhe parregullsi të shumta në procesin e prokurimit. Sipas ZKA-së, rregullorja nr. 23/2013 për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe në këmbim të pronës së paluajtshme, në Nenin 4, obligon Komunën që dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme ta bëjë përmes procedurës së ankandit publik. Sipas auditorit, Komuna e Istogut ka 42 prona komunale të dhëna me qira.

“Në vitin 2018 Komuna ka bërë një progres të lehtë në këtë drejtim, pasi tetë (8) parcela i ka dhënë përmes ankandit publik. Megjithatë ne kemi vërejtur se menaxhimi i pronave të dhëna me qira mbetet sfidë për Komunën edhe në të ardhmen nga fakti se 41 qiramarrës kishin borxhe të pashlyera, madje 10 prej tyre nuk kishin paguar qiranë që nga viti 2008 dhe vazhdojnë ende t’i shfrytëzojnë pronat e Komunës dhe në tri nga katër mostrat e testuara kemi vërejtur se kontratat ishin të skaduara dhe nuk ishte bërë azhurnimi i kontratave përderisa pronat vazhdojnë të shfrytëzohen nga qiramarrësit”, thuhet në raport.

Aty më tutje thuhet se, sipas menaxhmentit të Komunës, arsyeja e kësaj sfide është fakti se në disa prona komunale ka pretendime se pronarët e tokave janë personat që ato toka i konsiderojnë si prona të tyre. Sipas auditorit, veprimet e menaxhmentit në eliminimin e këtyre kontesteve nuk ishin të mjaftueshme për ta ndryshuar gjendjen në menaxhimin e pronave të dhëna me qira, shkruan Gazeta "Zëri".

“Mungesa e kontrollit dhe mosaplikimi i masave adekuate pamundëson arkëtimin e të hyrave nga qiraja dhe rrit rrezikun e vjetrimit të kërkesave. Gjithashtu edhe operimi me kontrata të skaduara privon Komunën nga e drejta për arkëtimin e të hyrave dhe ndjekjen e procedurave gjyqësore në raste të mosinkasimit të borxhit me kohë. Kryetari duhet të analizojë arsyet për menaxhimin jo të duhur të pronës komunale dhe të sigurojë se dhënia në shfrytëzim e pronës së paluajtshme komunale të bëhet vetëm atëherë kur janë plotësuar kërkesat ligjore konform rregullave. Gjithashtu duhet të shqyrtohen në mënyra aktive të gjitha opsionet e mundshme, duke përfshirë edhe mjetet ligjore për të siguruar se të hyrat e dakorduara janë realizuar”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”.

Pagesat e ekzekutuara nga Thesari për vendimet gjyqësore

Po ashtu auditori ka hasur edhe në raste kur Komuna nuk ka paguar në afatin e paraparë ligjor obligimet financiare ndaj kontraktuesve, ku edhe është dëmtuar në aspektin financiar. “Ne kemi identifikuar se Thesari kishte ekzekutuar në bazë të vendimeve gjyqësore pagesa në vlerë prej 162.922 € (ku 2.088 € ishin në kthim). Prej tyre borxhi kryesor ishte 141.845 € dhe shpenzime procedurale të gjykatës (përmbarimit) ishin 21.077 €. Po ashtu kjo formë e pagesave nga Thesari ka ndikuar në marrjen e mjeteve nga kategoritë ekonomike joadekuate. Ne testuam dy pagesa në vlerë prej 119.441 €, prej tyre borxhi kryesor ishte 116.016 €, kurse shpenzimet e gjykatës (përmbarimit) ishin 3.425 €. Sipas Komunës, këto ishin borxhe te bartura nga viti paraprak, mirëpo ne kemi evidentuar se këto dy fatura nuk ishin të përfshira në obligimet e papaguara të raportuara në pasqyrat financiare vjetore të vitit 2017.

“Avokati komunal nuk i kishte kontestuar këto dy lëndë për arsye të mosshkaktimit të kostove shtesë për Komunën, ngase pretendimet e palëve kreditore ishin të drejta. Vonesat në pagesa dhe mungesa e raportimit të të gjitha obligimeve në pasqyra financiare dhe në raportet mujore ka rezultuar me ekzekutim të pagesave me urdhër përmbarimor, duke krijuar kosto shtesë për buxhetin e Komunës e shpeshherë edhe keqklasifikim të shpenzimeve. Pagesat e ekzekutuara në këtë mënyrë rrezikojnë fondet e projekteve të planifikuara. Kryetari duhet të krijojë një sistem efektiv në të cilin të gjitha faturat e papaguara raportohen dhe paguhen brenda afateve ligjore, për të shmangur mundësinë e kostove shtesë. Po ashtu duhet shtuar kujdesin lidhur me mënyrën e menaxhimit të procesit të pranimit dhe të regjistrimit të faturave”, thuhet më tutje në raportin e ZKA-së, shrkuan gazeta "Zëri".

Pagesa në mungesë të dëshmive të mjaftueshme

Ne kemi vërejtur se janë realizuar dy pagesa pa u siguruar me dëshmi të mjaftueshme për kryerjen e shërbimeve. Pagesa në vlerë prej 4.343 € për “Mirëmbajtën e ndriçimit publik” dhe pagesa prej 10.225 € për “Mirëmbajtjen e hapësirave publike” janë realizuar duke u bazuar në raportin e përgatitur nga menaxheri i kontratës për punët e kryera, sipas së cilit kompania ka bërë mirëmbajtjen e ndriçimit dhe të hapësirave publike në lokalitete të ndryshme të Komunës, por nuk tregohet saktësisht se në cilat rrugë janë realizuar. Kjo gjendje ishte për shkak të një praktike jo të mirë të krijuar nga menaxherët e kontratave, ku raportet e tyre nuk ofrojnë detaje të mjaftueshme lidhur me kohën dhe me vendin e realizimit të punëve/shërbimeve.

Rreziku për pagesat në mungesë të dëshmive ose mosdefinimi i punëve/shërbimeve të pranuara rrit rrezikun e pagesave në mungesë të furnizimit ose të furnizimit jo në përputhje me kontratën. Kjo mund të rezultojë edhe në dëmtim të buxhetit. Rekomandimi “B3”, kryetari duhet të forcojë kontrollet në procesin e pagesave për t’u siguruar se pagesat do të realizohen vetëm pas ofrimit të dëshmive të mjaftueshme për kryerjen e punëve/shërbimeve të kontraktuara.

Lidhja e kontratave në mungesë të fondeve

Sipas auditorit, para inicimit të një procesi të prokurimit, i cili ka për qëllim të rezultojë në ngritjen e një obligimi në vitin aktual fiskal, Organizata Buxhetore i regjistron të gjitha zotimet e fondeve të ndara në SIMFK në përputhje me rregullat e KMF-së.

Te kontrata “Ndërtimi i ndriçimit publik në Banjë”, prej 56.811 eurosh, kishte mjete të zotuara 25.509 euro, ndërsa mjetet financiare të planifikuara për këtë projekt në buxhetin 2018 ishin 50.000 euro dhe nuk kishte mjete të planifikuara për vitin 2019.

Sipas zyrtarëve të Komunës, zotimi i mjeteve është bërë pjesërisht për shkak se financimi i projektit është planifikuar nga të hyrat vetanake dhe mjetet do të zotohen varësisht prej realizimit të të hyrave. Po ashtu në pesë kontrata të mallrave e të shërbimeve zotimi i fondeve nuk ishte i plotë para nënshkrimit të kontratës. Sipas ZKA-së, mungesa ose zotimet më të ulëta se vlera e kontraktuar me rastin e nënshkrimit të kontratave kanë ekspozuar Komunën para një rreziku të hyrjes në obligime përtej shumës që tejkalon fondet e ndara dhe ndikon në prolongimin e realizimit të projekteve të planifikuara. Auditori rekomandon se kryetari duhet të sigurojë kontrolle shtesë, në mënyrë që kontratat të nënshkruhen vetëm atëherë kur ekzistojnë fonde që sigurojnë ekzekutimin e tyre, pa marrë parasysh nëse financimi i tyre është nga të hyrat vetanake ose nga fonde tjera të financimit.

Menaxhim joadekuat i të angazhuarve përmes kontratave të përkohshme

Po ashtu, sipas auditorit, Ligji për Shërbimin Civil Nr. 03/L-149, në Nenin 12, përcakton se emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta”.

Komuna gjatë vitit 2018 kishte 35 punonjës të angazhuar. Prej tyre 30 janë angazhuar me kontrata pune me kohë të caktuar, duke u bazuar në Ligjin e Punës dhe 5 prej tyre ishin me marrëveshje për shërbime të veçanta, duke u bazuar në Ligjin e Shërbimit Civil. Ne kemi vërejtur se: Të gjithë të angazhuarit janë paguar nga “Kategoria e mallrave dhe shërbimeve” edhe pse të angazhuarit me kontrata me afat të caktuar konsiderohen punonjës në marrëdhënie pune dhe pagesa duhet të jetë kryer nga “Kategoria e Pagave dhe Mëditjeve”; dhe ka një konfuzion te këto kontrata, pasi që për të njëjtën pozitë angazhimi bëhet herë me Ligjin e Shërbimit Civil e herë me Ligj të Punës.

Po ashtu vërehet se stafi ishte i angazhuar kryesisht për pozita të rregullta të punës. Sipas zyrtarëve komunalë, mangësitë e identifikuara janë pasojë e mungesës së buxhetit për staf të ri për programet e përhershme dhe aprovimit të kufizuar të vendeve të punës nga Ministria e Financave (MF), duke i krahasuar me kërkesat.

“Mbulimi i pozitave me kontrata të përkohshme rrit rrezikun për rritje të paplanifikuar të shpenzimeve dhe mund të ndikojnë në mosrealizimin e objektivave tjera të përcaktuara. Kryetari duhet të sigurojë ndërprerjen e një praktike të tillë të angazhimeve dhe për të gjitha pozitat e rregullta të punës për të cilat Komuna ka nevoja afatgjata kërkesat t’i adresojë me rastin e planifikimit buxhetor. Duke bërë kërkesë për rritje të stafit dhe t’i trajtojë dhe t’i diskutojë me MF-në. Pagesat e tilla duhet kryer nga ‘Kategoria e pagave dhe mëditjeve’”, thuhet më tutje në raportin e ZKA-së.

Mangësi në menaxhimin e personelit

Komuna nuk kishte arritur ende të kompletojë dosjet e personelit në përputhje me Rregulloren Nr. 03/2011 mbi dosjet dhe regjistrin për shërbyesit civilë dhe dosjet në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë.

Auditori ka vërejtur se dosjeve të shërbyesve civilë, punonjësve të arsimit dhe të shëndetësisë u mungonin dokumentet si: certifikata e lindjes, certifikata e shtetësisë, certifikata që nuk janë nën hetime, vendimi i pushimit vjetor dhe dëshmi tjera, që kërkohen të jenë pjesë e dosjeve të personelit; dhe Drejtoria e Arsimit kishte punësuar dy persona në arsim, por që konkursin nuk e kishte publikuar në njërën nga mediet e shkruara, ashtu siç kërkohet me Udhëzimit Administrativ 07/2017 (MPMS), në Nenin 4, pikën 3, por e kishte publikuar në uebfaqen e Komunës. Sipas ZKA-së, mosazhurnimi i dosjeve dhe moskompletimi me dokumentacionin e nevojshëm rrit rrezikun në menaxhim joadekuat të stafit dhe reflekton me parregullsi dhe në mungesë të informatave për stafin e punësuar.

“Kryetari duhet të sigurojë se janë ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e kontrolleve mbi dosjet e personelit, në mënyrë që të gjitha dosjet të jenë të kompletuara me dokumentacionin e nevojshëm deri në fund të vitit”, rekomandon auditori.

Tejkalim i punëve shtesë

Sipas auditorit, anekskontratat sipas Nenit 35 të LPP-së7 janë të lejuara deri në 10% të vlerës së kontratës origjinale. Kontrata origjinale për “Rregullimin e memorialit ‘Ibrahim Rugova’ - faza e IV” ishte në vlerë prej 348.934 eurove. Komuna kishte lidhur një anekskontratë në vlerë prej 92.456 eurosh, që përbënte 26,5% të kontratës origjinale. Pra tejkalimi ishte për 57.563 euro, që ishte mbi 10%-shin e lejuar të anekskontratës. Po ashtu në këtë procedurë të prokurimit auditori ka identifikuar edhe disa mangësi, si në dosjen e tenderit të OE-së fituese që nuk ishte paraparë nënkontraktimi i punëve.

“Pas lidhjes së kontratës, përkatësisht më datën 15.10.2018, OE-ja fituese ka njoftuar Komunën për nënkontraktimin e një pjese të kontratës, që është në kundërshtim me dosjen e tenderit - Neni 4.2; Komuna nuk ka njoftuar KRPP-në brenda dy (2) ditëve nga data kur është marrë vendimi për aplikimin e procedurës së negociuar pa publikim që është kërkesë e Nenit 20 të LPP-së; Kishte vonesa në realizim të kësaj kontrate nga fakti që me plan dinamik dhe me kushte të veçanta të kontratës ishte planifikuar që kontrata të përfundonte në dhjetor 2018. Ne kemi vërejtur se deri në fund të shkurtit 2019 projekti nuk kishte përfunduar dhe nuk kishte as aprovim për vazhdim të punëve ose edhe aplikim të penaleve; dhe Ekzekutimi i kontratës - gjatë ekzaminimit fizik kemi identifikuar se tri pozicione nuk ishin realizuar sipas prodhuesit të kontraktuar: (pozicionet të cilat nuk janë realizuar sipas prodhuesit të kontraktuar janë: B1 prej 12.780 €, B2 prej 760 € dhe pozicioni C1 prej 25.800 €). Menaxheri i kontratës i kishte aprovuar këto ndryshime për arsye se sipas tij ishin me karakteristika teknike të njëjta”, thuhet në raport.

Aty më tutje thuhet se tejkalimi i vlerës së punëve shtesë dhe mangësitë tjera të evidentuara të prokurimit në këtë projekte e deri tek ekzekutimi i punëve rrisin rrezikun që projekti të mos përfundohet me kualitetin e kërkuar dhe të ketë devijime nga projekti fillestar./ZËRI