Keqpërdorime në ndërtimin e shtëpive të paguara nga Qeveria
FOTO: Laura Hasani

Keqpërdorime në ndërtimin e shtëpive të paguara nga Qeveria

Ekonomia May 31, 2019 - 08:01
Lexoni detajet
Image

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Ministria për Komunitete dhe Kthim (MKK) kompanisë private të kontraktuar për ndërtim të shtëpive për të kthyerit në Kosovë ia kishte paguar që stiropiori izolues të këtë trashësi 5 centimetra, derisa kompania e kishte vendosur atë 3 centimetra, shkruan sot Gazeta 'Zëri". 

Plot shkelje ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2018 për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim (MKK).

LEXO EDHE: S’ka hetim për tenderin e 'kurdisur' të Komunës së Suharekës

Sipas auditorit, duke u bazuar në rregullat dhe në Udhëzuesin Operativ për Prokurimin Publik, pika 61.20 përcakton se “menaxherët e projektit duhet të sigurojnë që operatori ekonomik i përmbush të gjitha obligimet e performancës ose të dërgesës në përputhje me termat dhe kushtet e kontratës”, sdhkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Por në kuadër të projektit “Ndërtimi i shtëpive për të kthyerit” auditori ka ekzaminuar fizikisht dy objekte (shtëpi) të ndërtuara nga MKK-ja për komunitetin serb dhe identifikuam mangësitë si në vijim: Te ndërtimi i objektit (shtëpi 95 m²) në fshatin Preoce – Graçanicë vlera e projektit ishte 34.657 euro. Shtëpia ende nuk ishte përfunduar në tërësi.

“Ne kemi testuar pagesën 32.019 euro që ndërlidhet me këtë projekt, duke ekzaminuar pozicionet 4.13 (Furnizimi dhe punët e muratimit suvatimit), 6.1 (Furnizimi dhe punët e dyshemesë), 7.2 (Furnizimi dhe punimet e zdrukthëtarisë), 8.3 (Furnizimi dhe punët e qeramikës) dhe 11.16, 11.17, 11.19, 11.20, 11.24, 11.27, që ndërlidhet me furnizimin dhe punët e ujësjellësit dhe identifikuam që punimet për këto pozicione në vlerë 2,326 euro nuk ishin kryer fare. Për më shumë, ne kemi vërejtur që në terren montimi i stiroporit ishte me dimensione 3 centimetra, ndërsa ishte paguar për 5 centimetra. Te ndërtimi i objektit (shtëpi 62 m²) në Shtërpcë vlera e projektit ishte 24.886 €, shtëpia ende nuk ishte përfunduar në tërësi” thuhet në raportin e ZKA-së.

Po ashtu më tutje në raportin e ZKA-së thuhet se gjatë testimit të pagesës prej 21.626 eurove, që ndërlidhet me këtë projekt, duke ekzaminuar pozicionet 8.3 (Furnizimi dhe vendosja e granitit artificial jo të rrëshqitshëm të klasit I, në shkallët e hyrjes dhe në tarracë) dhe 14.1 (Furnizimi dhe punimi i rrethojës metalike për shkallë dhe ballkon me lartësi h=0,9 m, ku në llogari të përfshihen komplet punimi dhe ngjyrosja) dhe identifikuam moskryerje të punëve në vlerë 571 euro.

Sipas ZKA-së, vlen të theksohet se pagesat ishin ekzekutuar duke u bazuar në raportet e menaxherëve regjionalë të kontratës.

“Më datën 01.03.2019 ne kemi ekzaminuar punimet në terren dhe kemi vërejtur se punimet nuk ishin kryer sipas kushteve të kontratës. Kjo kishte ndodhur për shkak se menaxherët regjionalë të kontratës kishin nënshkruar raportet që punët janë përfunduar në muajin dhjetor të vitit 2018, përderisa ato nuk ishin finalizuar. Nënshkrimi i raporteve nga menaxherët e kontratave para se punimet e kontraktuara të jenë kryer rrit rrezikun e dëmtimit të buxhetit të Ministrisë, si dhe mospërfitimin e vlerës për paranë e shpenzuar. Ministri duhet të sigurojë që mbikëqyrja e projekteve të jetë më efektive, për t’u siguruar që ekzekutimi i punimeve të kryhet në pajtim me kushtet e kontratës dhe pagesat janë kryer vetëm për punët ose për shërbimet e kryera”, thuhet më tutje në raport.

Dobësi në zhvillimin e procedurave të prokurimit

Neni 28 i Ligjit të Prokurimit Publik përcakton se “specifikat teknike për kontrata pune duhet të përfshijnë si pjesë substanciale të veten një projekt ekzekutiv”.

Sipas auditorit, MKK-ja kishte zhvilluar aktivitetin e prokurimit për projektin “Asfaltimi i rrugës në fshatin Koretishtë të komunës së Novobërdës”, në vlerë 58.605 euro, pa hartuar paraprakisht një projekt ekzekutiv. Po ashtu në projektin “Ndërtimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në komunën e Ranillugut”, në vlerë 247.690 euro, sipas ZKA-së MKK-ja ka zhvilluar aktivitetin e prokurimit pa projekt ekzekutiv.

“Shkaqet e zhvillimit të procedurave të prokurimit janë se komunat përkatëse për realizim të projekteve kishin ofruar vetëm projektet ideore dhe jo projektin ekzekutiv, me ç’rast Zyra e Prokurimit kishte zhvilluar procesin e prokurimit. Zhvillimi i procedurës së prokurimit pa projekt ekzekutiv rrit rrezikun që projekti të mos realizohet sipas standardeve të pranuara të ndërtimit dhe për pasojë mosmarrjen e vlerës së duhur për paranë e shpenzuar. Ministri duhet të shtojë kontrollet për të siguruar se Zyra e Prokurimit nuk do të bëjë inicimin e procedurave të prokurimit për kontratat e punës pa projekt ekzekutiv”, thuhet më tutje në raport.

Menaxhim dhe monitorim i dobët i subvencioneve

Udhëzuesi për subvencionimin e projekteve i MKK-së, nr. 2431, data 16.11.2017, pika 13, parasheh detyrimet e përfituesit të subvencionit. Përfituesit e projekteve sipas ZKA-së janë të detyruar të dorëzojnë raportin përfundimtar narrativ, financiar dhe të ofrojnë dëshmi (fatura dhe dokumente të tjera) se subvencioni është realizuar sipas planit dhe në pajtim të plotë me këtë udhëzues. MKK-ja më datën 06.07.2018 kishte subvencionuar në shumën 3,960 € projektin “Organizimi i turnirit tradicional të Vidovdanit në futboll të vogël”.

Ky projekt parashihej të mbahet nga data 10 deri 28 qershor 2018. “Ne kemi identifikuar se përfituesi i subvencionit nuk kishte ofruar asnjë raport financiar për mënyrën e shpenzimit të mjeteve; Te subvencioni i dhënë për ‘Përkrahje për mbulimin e shpenzimeve për blerjen e pajisjeve për fermë të derrave’, në vlerë 4.980 €, përfituesi kishte ofruar dëshmi vetëm për shumën 500 €, ndërsa për pjesën tjetër (4.480 €) nuk kishte ofruar dëshmi siç kërkohet me udhëzues. Shkaku i mosraportimit me fatura është se pajisjet janë blerë nga personat fizikë” thuhet në raport.

Po ashtu edhe te subvencioni “Blerja e pajisjeve për zgjerimin dhe rritjen e prodhimit të malinave”, në vlerë 4.915 €, përfituesi kishte ofruar dëshmi vetëm për shumën 2.215 euro, ndërsa për pjesën tjetër (2.700 €) nuk kishte dëshmi adekuate (faturë), por kishte sjellë një vërtetim për blerjen e pajisjes.

Gjithashtu te subvencioni “Zgjerimi i bletarisë dhe prodhimi i mjaltës”, në vlerë 4.250 €, përfituesi kishte ofruar dëshmi vetëm për shumën 1.275 €, ndërsa për pjesën tjetër në shumë 2.975 € nuk kishte dëshmi. Te subvencioni për “Mbulimin e shpenzimeve për prodhimin e produkteve qumështore”, në vlerë 4.650 €, përfituesi kishte ofruar dëshmi me faturë vetëm për shumën 1.050 €, ndërsa për pjesën tjetër në vlerë 3.600 € kishte sjellë një dokument për shitblerje pa vlerë financiare (jo faturë). Rastet më sipër kishin ndodhur për shkak të monitorimit të dobët të Ministrisë ndaj përfituesve të subvencioneve.

“Mungesa e raportimit financiar nga përfituesit për realizimin e projekteve rrit rrezikun që mjetet e dhëna të mos realizohen sipas kërkesës së aprovuar dhe të keqpërdoren për qëllime tjera. Ministri duhet të sigurojë se kërkesat e rregullores për subvencione zbatohen me konsistencë në të gjitha rastet, duke përfshirë edhe procesin e mbikëqyrjes në realizimin e projekteve dhe procesin e raportimit të shpenzimeve”, thuhet në raport.