Termocentrali 'Kosova e Re' përplas shoqërinë civile dhe Qeverinë
Disa organizata joqeveritare nga Kosova dhe ndërkombëtare kanë nisur të hënën, siç thuhet, një ankesë zyrtare tek Komuniteti i Energjisë, përkatësisht tek mekanizmi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, duke sfiduar ligjshmërinë e marrëveshjes së blerjes së energjisë për jetësimin e projektit të Termocentralit, “Kosova e Re”.
Në ankesë të nisur nga Fondacioni, Balkan Green, Instituti për Studime të Avancuara GAP, Grupi për Studime Politike dhe Juridike, INDEP dhe CEE Bankwatch Network, pretendohet se marrëveshja 20-vjeçare për blerje të energjisë elektrike, e nënshkruar nga Qeveria e Kosovës me kompaninë, ContourGlobal në dhjetor të vitit 2017, nuk është në përputhshmëri me rregullat e Traktatit të Komunitetit të Energjisë.
Sekretariati i Komunitetit të Energjisë është mekanizëm mbikëqyrës për zbatimin e marrëveshjes për energji që është nënshkruar në Athinë, i quajtur Traktati i Komunitetit të Energjisë.
Ky Traktat ka hyrë në fuqi në vitin 2005, me qëllim të krijimit të një rregullative të qëndrueshme si dhe një kornize tregu, e cila përfshinë vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore në një treg të vetëm energjetik të Bashkimit Evropian.
Por, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës pohojnë se ky projekt është mirë i argumentuar mbi baza krejtësisht ligjore dhe në përputhje me dispozitat e aplikueshme në Kosove si dhe në përputhje me Traktatin e Komunitetit të Energjisë.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka në një përgjigjeje për Radion Evropa e Lirë, thotë se “për këtë çështje është me rëndësi të nënvizohet fakti se Qeveria e Kosovës në pyetjet e pranuara nga Sekretariati i Energjisë ka sqaruar të gjitha çështjet pa përjashtim. Deri më sot, Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar pyetje shtese ose kërkesë për sqarime”, tha Lluka.
Ndër të tjera, në një komunikatë të lëshuar nga këto organizata, vlerësohet se kontrata aktuale do të krijonte vështirësi për buxhetin shtetëror dhe konsumatorët e energjisë elektrike në Kosovë, pasi garanton që një kompani shtetërore do të blejë gjithë energjinë e prodhuar nga ContourGlobal me një “çmim të targetuar” prej 80 euro për megavat, që përbën çmim shumë më të lartë për energjinë në krahasim me rajonin.
Qeveria e Kosovës ka themeluar një kompani publike – Ndërmarrja e Re e Energjisë Elektrike e Kosovës (NKEC), e cila do të shërbejë si ndërmjetëse ndërmjet Contour Global dhe pjesës tjetër të tregut të energjisë në Kosovë.
Kjo ndërmarrje (NKEC) do të blejë 100 për qind kapacitetet prodhuese të Termocentralit “Kosova e Re” dhe më pas këtë energji do t’ia shesë KEDS-it ose ndonjë kompanie tjetër.
Por, ministri Lluka shprehet se Qeveria e Kosovës në vitin 2010 ka marrë aprovim nga Sekretariati mbi strukturën e këtij projekti me theks të kontratës afatgjate për blerje të energjisë.
“Elementet si garancia financiare për përformancë të ndërmarrjeve publike, lirimet fiskale, transferimi i përkohshëm i tokës dhe pagesat e disponushmerisë në asnjë forme nuk përbëjnë ndihmë shtetërore dhe nuk janë në kundërshtim me rregullat e tregut te lire të energjisë”, thotë Lluka.
Sipas tij, elemente të tilla janë të lejuara me legjislacionin në fuqi si dhe praktikën gjyqësore evropiane.
Gjithashtu, shton ministri Lluka, projekte me struktura të ngjashme janë ndërtuar edhe në shtetet e BE-së.
Në kontratën e nënshkruar, sipas organizatave joqeveritare thuhet po ashtu se “shteti i Kosovës është zotuar ndaj kompanisë publike që ka në pronësi minierën e linjitit t’i ofrojë tokën për ndërtimin e termocentralit kompanisë për një shumë simbolike prej 10 eurosh”.
Dardan Abazi, hulumtues në Institutin për Politika Zhvillimore, INDEP në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se kjo kontratë do të krijojë monopol në tregun energjetik.
“Së paku për 20 vitet e ardhshme do të mbyll tregun energjetik të Kosovës. E kjo mbyllje e tregut padyshim qe drejtëpërdrejtë dëmton qytetarët. Sepse po të kishim një treg të hapur më konkurrencë të lirë në treg, atëherë edhe çmimet do të binin dhe akterët e ndryshëm në treg do të garonin me çmim më lë lirë për konsumatorët”.
“Në këtë rast, njërit nga akterëve në treg u garantohet çmimi, u garantohet lënda e parë, garantohet produkti të cilin e prodhon 24 orë për 20 vite e ardhshme, atëherë nuk mund të flasim për konkurrencë në treg. Dhe kjo në fakt e pengon vetë principin bazë të ekonomisë sonë e cila është e përcaktuar edhe në Kushtetutë, që jemi ekonomi e tregut të lirë”, tha Abazi.
Sido që të jetë, ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” është thënë se do të fillojë në pjesën e parë të këtij viti, por për shkak të procedurave të Korporatës së Jashtme Private e Investimeve e SHBA-së, OPIK, për sigurimin e mjeteve të nevojshme financiare për ndërtim, realizimi i projektit është shtyrë për disa muaj.
Termocentrali “Kosova e Re”, llogaritet të jetë investimi më i madh i huaj në Kosovë me një vlerë prej 1.3 miliard eurosh.
Ndryshe, Banka Botërore, vitin e kaluar ka deklaruar se nuk do ta mbështesë ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill, edhe pse vite më parë kjo bankë ka premtuar ta lëshojë një lloj garancie të riskut, që do t’ia mundësonte investitorit të marrë kredi me interes të ulët.