Nga 19 qershori 'Eurowings'-i stacionohet në Kosovë

Nga 19 qershori 'Eurowings'-i stacionohet në Kosovë

Ekonomia May 07, 2019 - 08:19
Lexo tjera detaje

“Eurowings”, pjesë e një prej kompanive më të mëdha në botë në fushën e aviacionit “Lufthansa Group”, edhe zyrtarisht është stacionuar në vendin tonë. Remzi Ejupi, president i kompanisë “Eurokoha”, e cila është partnere e kësaj kompania të madhe botërore, thotë se ardhja e “Eurowings”-it në vendin tonë do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës që nga Aeroporti i Prishtinës të fluturojnë në më shumë se 180 destinacione në gjithë botën, shkruan Gazeta "Zëri".

Prishtinë. Kompania gjermane “Eurowings”, pjesë e një prej kompanive më të mëdha në botë në fushën e aviacionit “Lufthansa Group”, edhe zyrtarisht është stacionuar në vendin tonë. Ardhja në Kosovë e kësaj kompania me famë botërore përpos që do të krijojë vende të reja pune, njëkohësisht do të përmirësojë dukshëm edhe imazhin e Kosovës karshi investitorëve ndërkombëtarë, të cilët ia mësyjnë Kosovës për të investuar. Në njoftimin e publikuara në medie të ndryshme botërore thuhet se “Eurowings”-i ka vendosur të hapë një bazë të re në Prishtinë, duke zgjeruar kështu shërbimet e saj në Evropën Lindore. Aty më tutje thuhet se kompania do të stacionojë një “Airbus A319” në kryeqytetin e Kosovës nga data 19 qershor. Kështu Prishtina do të bëhet lokacioni i trembëdhjetë i “Eurowings”-it.

Image

Linja direkte Prishtinë - Zvicër

Aty më tutje thuhet se për herë të parë “Eurowings”-i do të ofrojë lidhje direkte nga Prishtina për në Zvicër. Në të njëjtën kohë lidhjet ekzistuese me qytetet e Düsseldorf, Munich dhe Stuttgart do të rriten ndjeshëm. Në total, linja ajrore ofron mbi 60 frekuentime javore në dhe nga Prishtina.

Drejtori ekzekutiv i “Eurowings”-it, Thorsten Dirks, ka thënë se me më shumë se 40 milionë udhëtarë të vitit të kaluar “Eurowings”-i është shndërruar midis tri linjave ajrore pikë-për-pikë më të fuqishme në Evropë. “Ne po e konsolidojmë këtë status duke zgjeruar rrjetin tonë në drejtimin e Evropës Lindore. Prishtina do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë kontekst”, ka thënë ai.

Të gjitha fluturimet duke përfshirë destinacionet e reja mund të rezervohen në ditët në vijim, në: www.flyksa.com ose në të gjitha pikat shitëse të "Eurokoha", si dhe në webfaqen e "Eurowings".

Image

Ejupi: Lajm i madh për Kosovën

Në anën tjetër Remzi Ejupi, president i kompanisë së njohur “Eurokoha”, kompani kjo e cila prej vitesh është partnere e kompanisë “Eurowings” , thotë se ardhja e kompanisë gjermane “Eurowings” është një lajm i madh për vendin tonë. Sipas tij, ardhja e kësaj kompanie përpos që do të krijojë vende të reja të punës, njëkohësisht do të kontribuojë edhe në përmirësimin e imazhit të Kosovës karshi investitorëve të kësaj.

Më tutje presidenti Ejupi thotë se nga ardhja e kësaj kompanie në vendin tonë do të hapen shumë linja ajrore. Sipas tij, fluturimet përmes kompanisë në fjalë janë shumë komode dhe të sigurta. “Tash e tutje nga Aeroporti i Prishtinës qytetarët e Kosovës mund të fluturojnë përmes Düsseldorf, Munich, Stuttgart, Köln, Hamburg, Hannover, Zürich, Basel dhe Geneva në më shumë se 180 destinacione të ndryshme në gjithë botën. Ardhja e kësaj kompanie në vendin tonë është lajm i madh si në aspektin social, ekonomik, por edhe në atë politik” ka thënë Ejupi.

Sipas tij, vetëm në përgatitjen e stafit në fillim do të punësohen rreth 300 punëtorë.

E themeluar në mes të viteve ’90-a në Prishtinë, “Eurokoha” u përket pionierëve të tregut të aviacionit të pavarur në Kosovë. Sot “Eurokoha” dhe “Kosova Airlines” janë ndër ambasadorët që përfaqësojnë më së miri Kosovën. “Eurokoha” është pa dyshim zgjedhja e parë për fluturime dhe për aranzhmane turistike. Për gati tri dekada tashmë klientët kanë vlerësuar mundësitë dhe besimin e vazhdueshëm që u kanë ofruar./ZËRI

Image

Image