'Trepça' mund t’i përfitojë miliona euro nga mbetjet industriale
Një pjesë e mirë e rreth 60 milionë tonëve mbetje industriale të “Trepçës”, të deponuara gjithandej në pjesë të ndryshme të Mitrovicës, të shumtën brigjeve të lumenjve, por edhe në PIM, kanë vlerë ekonomike. Tahiri: Mbetjet industriale të deponuara në PIM janë shitur për t’i siguruar pagat e punëtorëve, shkruan Gazeta "Zëri".
një pjesë është shitur më herët, mbi 80 milionë tonë mbetje industriale të “Trepçës”, që përbëjnë metal, plumb, zink, argjend dhe metale tjera të rralla të akumuluara gjatë 80 vjetëve të punës së gjigantit ekonomik, është pritur që të trajtohen pas miratimit të Ligjit për “Trepçën”. Në “Trepçë” kanë thënë se mungesa e infrastrukturës ligjore ka bërë që mbetjet industriale të mbetën të patrajtuara dhe ato në masë të madhe edhe e kanë ndotur ambientin. Sipas ekspertëve të fushës së minierave dhe minerareve, çështja e mbetjeve industriale duhet të zgjidhet nga Qeveria e Kosovës jo vetëm për mbetjet industriale të “Trepçës”, por edhe të atyre në të gjithë territorin e Kosovës.
“Qeveria e Kosovës do të duhej të merrej me këtë çështje, por tani kur është miratuar Ligji për ‘Trepçën’ trajtimi i tyre do të bëhet pasi që të fillojë zbatimi i tij. Ka pasur tendenca për riciklimin e tyre, mirëpo nuk është arritur të bëhet pikërisht për shkak të mungesës së infrastrukturës ligjore, herë thuhej se ato janë asete të ‘Trepçës’, herë thuhej që janë në përgjegjësi të ‘Trepçës’. Sidoqoftë, tani kemi një ligj i cili duhet të zbatohet dhe besoj se me zyrtarizimin e këtij ligji edhe çështja e mbeturinave industriale do të zgjidhet”, ka thënë Halil Çelaj, ekspert në fushën e resurseve minerare dhe minierave, duke shtuar se në vendet e rajonit mbetjet industriale trajtohen dhe nga ato ka leverdi ekonomike.
Mbi 60 milionë tonë të mbetjeve industriale
Mendohet se aktualisht janë mbi 60 milionë tonë të mbetjeve industriale, të patrajtuara për gati 80 vjet të punës së gjigantit ekonomik kosovar “Trepça”, të cilat janë vendosur kryesisht brigjeve të lumenjve, që mbesin kërcënim i përhershëm për shëndetin e qytetarëve të Mitrovicës.
Të rrezikuar janë jo vetëm banorët e jugut të Mitrovicës, por edhe ata të veriut. Dihet tashmë problemi me pjesëtarët e komunitetit rom, të cilët kanë jetuar për shumë vjet në tri kampe në afërsi të deponimeve me mbetje industriale në veri të Mitrovicës, tek të cilët është gjetur plumb në gjak.
Me këta qytetarë të komunitetit rom, të cilët tashmë janë kthyer në shtëpitë e rindërtuara të tyre në “Lagjen e Romëve” në jug të Mitrovicës, akoma është duke u marrë Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), e cila nëpërmes UNMIK-ut ka administruar me Mitrovicën. Në kohën se ka qenë UNMIK-u në veri të Mitrovicës janë krijuar tri kampe për romët e shpërngulur nga jugu e të cilët kanë jetuar në kushte të rënda dhe në strehimore të kontaminuara nga mbetjet industriale të “Trepçës”.
Agjencia Kosovare e Privatizimit derisa menaxhonte me “Trepçën” kishte shpallur një tender për shitjen e mbetjeve industriale, por ai ishte anuluar. Çështja e mbetjeve, sipas ish-drejtorit të “Trepçës” Ahmet Tmava, është adresuar qysh moti në Bashkimin Evropian dhe në vendet tjera të zhvilluara, sepse sipas Tmavës industritë përkatëse obligohen t’i trajtojnë mbetjet industriale, fillimisht që të mos ketë mbetje industriale dhe gjithçka të jetë në kuadër të ciklimit të mbyllur, me çka nuk do të ndotej ambienti.
Ai thotë se sa ishte drejtor ishte përpjekur që mbetjet industriale t’i materializojë, pasi që trajtimi i tyre është edhe standard i Bashkimit Evropian që duhet të përmbushet, por që nuk ka arritur të bëjë asgjë në mungesë të infrastrukturës ligjore. E sipas një oferte që kishin dhënë kompanitë e ndryshme, duke marrë pjesë në një tender të shpallur para 7 vjetëve, por që ishte anuluar nga AKP-ja, shuma e mbetjeve industriale që kanë vlerë ekonomike është e madhe. Vetëm mbetjet industriale në deponinë e Artanës ishte thënë se kanë vlerë të madhe ekonomike. Sipas ofertuesve, një ton mbetje industriale në deponinë e Artanës ka vlerë 18 euro, që do të thotë se nga një deponi prej 1.5 milion tonësh mbetje industriale do të përfitoheshin 28 milionë euro. Kaq edhe ka qenë oferta e kompanive në tenderin e publikuar për mbetjet industriale të Artanës.
Tahiri: Mbetjet janë shitur
Në anën tjetër ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues të “Trepçës”, Xhevdet Tahiri, ka thënë se mbetjet industriale të deponuara në PIM tashmë janë shitur dhe se më nuk posedojnë mbetje industriale. “Ndërmarrja ‘Trepça’ deri më tani asnjëherë nuk ka mbijetuar vetëm nga prodhimi që ka realizuar, por ajo ka mbijetuar falë subvencioneve të Qeverisë së Kosovës dhe nga shitja e mbetjeve industriale që kanë qenë të deponuara në PIM. Të gjitha këto mbetje industriale të deponuara në PIM tashmë janë shitur dhe nuk posedojmë më mbetje të tilla për të realizuar mjete shtesë financiare”, ka thënë Tahiri.
Ndryshe, në një raport të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thuhet se mbetjet e rrezikshme kanë rrezikuar jetën e qytetarëve.
“Mbeturinat e rrezikshme janë substancat të cilat për një kohë të gjatë kanë mbetur pa u përdorur nëpër depo dhe reparte industriale. Me kalimin e kohës këtyre substancave kimike u ka skaduar afati ose janë degraduar duke ndryshuar përbërjen e tyre dhe konsiderohen si substanca me rrezikshmëri të lartë. Në këtë grup hyjnë mbeturinat e rrezikshme, të cilat janë mbeturina që kanë së paku njërën nga këto karakteristika: eksplozive, oksiduese, të ndezshme, toksike, kanceroze, korrozive, irrituese, dëmtuese, infektuese, teratogjenike, mutagjenike, që lirojnë gazra toksike në kontakt me ujin, ajrin ose substanca acidike”, thuhet mes të tjerash në raportin e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, sipas të cilit komuna e Mitrovicës prin për nga sasia e mbetjeve të rrezikshme.
Sipas raportit, në shkritoren e “Trepçës” gjenden 6.5 tonë hipoklorur kalciumi, pastaj mbeturina, substanca kimike të lëngëta rreth 45.500 litra, kurse burime radioaktive 3 fuqi, ndërsa në Zveçan janë 136 tonë mbeturina të substancave kimike të rrezikshme në gjendje të ngurtë, po ashtu gjenden edhe 4 trafo me vajra PCB. Mbeturina dhe substanca kimike të ngurta, rreth 85 tonë flotacion, gjenden edhe në Leposaviq./ZËRI