Sa para marrin azilkërkuesit në Kosovë

Sa para marrin azilkërkuesit në Kosovë

Ekonomia mars 21, 2019 - 12:55
Lexoni detajet

Derisa shumë të rinj të Kosovës dëshirojnë të ikin nga vendi dhe për destinim kanë vendet perëndimore, janë qindra të huaj nga vende të ndryshme të botës që gjatë vitit 2018 kanë aplikuar për të fituar azilin në Kosovë.

Kurse, vetëm gjatë periudhës tetor-dhjetor janë evidentuar 294 azilkërkues nga të cilët 179 meshkuj dhe 15 femra. Por, sa i kushton buxhetit të Kosovës një azilkërkues.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, kanë treguar se një azilkërkues për një ditë, buxhetit të Kosovës, mund t’i kushtojë rreth 19-20 euro, shkruan ‘monitor’.

Kurse buxheti vjetor i shtetit të Kosovës për të pritur azilkërkues është 58 mijë e 753 euro, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të kësaj ministrie, gjatë vitit të kaluar janë bërë gjithsej 1563 kërkesa për leje qëndrimi në Kosovë, nga ky numër janë bërë 1534 kërkesa për leje qëndrim të përkohshëm.

“883 vendime pozitive, 274 kërkesa në pritje të vendimit, 340 numri i vendimeve pozitive pa caktim të kohëzgjatjes. Nga numri i vendimeve pozitive për leje qëndrim të përkohshëm janë 797 meshkuj kurse femra janë 737”.

Sipas të dhënave nga MPB, përveç Sirisë, kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare kanë kërkuar edhe shtetas të Turqisë, Palestinës, Pakistanit, Irakut, Algjerisë, Afrikës së Jugut, Tunizisë, Maqedonisë, Shqipërisë e disa shteteve të vogla.

Sipas Ligjit për Azil, mbrojtja ndërkombëtare apo azili u jepet atyre që në vendet e origjinës kanë luftë, persekutohen për shkak të bindjeve politike, përkatësisë së grupit të caktuar shoqëror, përkatësisë etnike, fetare ose racore.

Azilkërkuesit pranojnë një asistencë sociale prej 50 eurove në muaj për individ dhe 75 euro për familje me mundësi rritjeje deri në 125 euro nëse kanë anëtarë më shumë.

Qendra për Azil në afërsi të Lipjanit u ofron shërbime si akomodimin, veshmbathje, pako higjienike, ushqim, shërbime juridike, shërbime psiko-sociale, kurse të kompjuterëve dhe të gjuhës shqipe.

Kushtet që ofrohen nga Qendra për Azil sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme janë të përshtatshme për çdo person.

Gjithë të huajt që kanë fituar të drejtën e qëndrimit në Kosovë edhe janë strehuar në Qendrën për Azil të Kosovës, e cila gjendet në Komunën e Lipjanit. Përveç institucioneve shtetërore të Kosovës, ekzistojnë edhe organizata joqeveritare, të cilat në shumë raste ndihmojnë në forma të ndryshme azilkërkuesit.

Persona të cilët hyjnë në Kosovë dhe paraqiten në polici si azilkërkues, atyre menjëherë iu ofrohet mbrojtja ligjore.