QKUK i ndërton vetes parking gjigant në vlerë 240 mijë euro
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), do të ndërtojë një parking gjigant për nevojat e saj.
Përderisa Prishtina ballafaqohet me mungesë të madhe të parkingjeve, Qendra Klinike Universitare e Kosovës, tashmë e ka zgjedhur problemin për vete.
Punimet për ndërtimin e parkingut gjigant të QKUK-së pritet të nisin muajin e ardhshëm, në të cilin parashihet të ketë rreth 400 vendparkingje.
Parking do të ndërtohet në pjesën e jugore të oborrit të QKUK-së, përkatësisht mbrapa klinikes së Onkologjisë dhe asaj të Emergjencës së re.
Ky parking gjigant pritet që t’i kushtojë QKUK-së hiq më pak se 240 mijë euro, raporton lajmi.net.
Kompania e cila e ka fituar tenderin për ndërtimin e këtij parkingu është kompania “N.N.T “ABC”.
Këtë e kanë konfirmuar zyra për medie SHSKUK.
Në një përgjigje për lajmi.net, zyra e SHSKUK-së ka thënë se ndërtimi i këtij parkingu pritet të nis në muajin prill.
“Lokacioni i Parkingut të ri në QKUK është në pjesën jugore të oborrit të QKUK-së pas klinikës së Onkologjisë dhe asaj të Emergjencës së re. Parkingu parashihet të ketë rreth 400 vendparkingje. Kostoja e përafërt e këtij parkingu është rreth 240,000 euro, ndërsa punimet pritet të nisin në muajin e ardhshëm”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së dhen lajmi.net.
Në kontratë, vlera e përgjithshme e kësaj kontrate është 236 mijë e 838 euro.
Ndryshe komuna e Prishtinës për vite me radhë nuk ka arritur te zgjedh problemin me parkingjet.

