Buxheti, i pagave dhe i ndihmave sociale

Ndarja e buxhetit për vitin 2019 po shihet si problematike, për shkak se rreth 60 për qind e saj do të shpenzohet në paga të sektorit publik dhe në skema pensionale. Kësisoj vetëm 40 për qind e buxhetit do të mbetet për investime dhe për zhvillim të vendit. Për deputetët në opozitë shqetësuese ka mbetur edhe vendimi për pagesën që do t’u bëhet zëvendësministrave edhe pasi t’u përfundojë mandati, shkruan sot Gazeta "Zëri".
Rreth 1.4 miliard euro e buxhetit të Kosovës për vitin 2019 është paraparë të shpenzohet për paga në sektorin publik, si dhe për skema pensionale. Kjo ndarje pritet të ndikojë negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit.
LEXO EDHE: Dyfishimi i pagave s’i kënaq kirurgët
Po ashtu pritet të shkaktojë pakënaqësi edhe te punëtorët në sektorin privat, pagat e të cilëve konsiderohen shumëfish më të ulëta se të atyre në sektorin publik.
Anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, ka thënë për “Zërin” se për këtë vit më i lartë është buxheti i të hyrave sesa ai i shpenzimeve.
Sipas tij, me ndarjet buxhetore që janë bërë është krijuar një buxhet social ku do të ketë pak mjete për investime kapitale, si dhe pak mjete për hapje të reja të vendeve të punës.
“Shtylla e pagave, e mëditjeve dhe ajo e asistencës sociale ku hyjnë veteranët e luftës, janë diku mbi 55% të buxhetit të shtetit, pra janë diku rreth 1 miliard e 350 milionë euro. Sivjet të hyrat janë 1 miliard e 800 milionë euro, ndërsa shpenzimet janë 2 miliardë e 300 milionë euro. Në këto rrethana ka pak mjete për investime kapitale, për zhvillim dhe për hapje të reja të vendeve të punës e rregullim të infrastrukturës”, ka thënë ai. Osmani ka vlerësuar se pas rritjeve që janë bërë në Ligjin për Paga Qeveria do të duhej të gjejë burime të reja të të hyrave shtetërore.
“Duhet të rriten të hyrat që të mundë të bëhet balancimi i situatës që të mbesin mjete të nevojshme edhe për investime kapitale. Tani Qeveria do të detyrohet të gjejë burime të reja të të hyrave shtetërore, ose duhet t’i rrisë të hyrat nga Administrata Tatimore”, ka shtuar ai.
Buxheti i vendit pritet të ngarkohet edhe më shumë viteve në vijim, pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kaluar një amendament, i cili parasheh paga për zëvendësministrat edhe pas përfundimit të mandatit të tyre. Deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje kanë kërkuar që ky projektligj të hiqet, derisa deputetë nga Partia Socialdemokrate kanë kërkuar zvogëlimin e numrit të zëvendësministrave. Në një konferencë për medie deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, ka thënë se Qeveria obligohet të zvogëlojë numrin e zëvendësministrave deri në mars të këtij viti.
Mbi 615 milionë euro vetëm për paga në sektorin publik
Zyrtari për komunikim me publikun në Ministrinë e Financave, Muharrem Shahini, ka treguar për “Zërin” se si është bërë shpërndarja e buxhetit të Kosovës për vitin 2019. Sipas tij, për paga dhe për mëditje janë ndarë 615 milionë e 770 mijë e 952 euro.
“Ministria e Financave e ka pasur parasysh Ligjin për Pagat, në të cilin ka kohë që është duke u punuar dhe për ndryshimet, të cilat kanë mundur të ndodhin. Për këtë arsye brenda buxhetit të vitit 2019 është akomoduar e tërë shuma që kërkohet për fillim të implementimit të ligjit këtë vit, përveç shumës së rregullt për paga dhe për mëditje në buxhet është paraparë edhe një shumë tjetër shtesë si kontigjencë brenda Ministrisë së Financave dhe për këtë arsye nuk do të ketë asnjë problem për implementimin e Ligjit për Pagat”, ka thënë ai.
Shahini ka thënë se mbi 308 milionë euro janë ndarë edhe për pensione dhe për kompensime.
“Për mallra dhe shërbime 337,397,383 euro, për subvencione dhe transferime 609,481,350 euro, nga kjo shumë janë për ndihmat sociale 30,000,000 euro, për shërbimet sociale 4,500,000 euro, si dhe për pensionet e për kompensimet tjera duke përfshirë kategoritë e luftës 308,337,344 euro”, ka thënë ai më tej.
Hadërgjonaj: Buxheti është i qëndrueshëm
Zëvendëskryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, në një prononcim për gazetën ka thënë se buxheti është i qëndrueshëm dhe nuk është i rrezikuar. Sipas saj, vetëm te Ligji i Pagave mund të ketë reflektime.
“Buxheti që është miratuar në seancën e fundit është shumë i harmonizuar edhe me të hyrat, edhe me shpenzimet. Deri më tani nuk ka asnjë pozicion brenda buxhetit, i cili mund ta rrezikojë atë. Çështja është te Ligji i Pagave që mund të ketë refleksione, por ato janë më vonë dhe një pjesë e madhe e tyre është e planifikuar në buxhet, kështu që nuk ka rrezik”, ka thënë ajo.
Hadërgjonaj ka theksuar se do të ruhet stabiliteti makrofiskal i buxhetit dhe se pastaj nuk do të ketë ndonjë rrezik.
Ligji për Paga nuk stimulon rritje ekonomike
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka vlerësuar se Ligji për Pagat krijon dallim të madh mes sektorit publik dhe atij privat, si dhe nuk stimulon rritjen ekonomike.
Në një konferencë të mbajtur për medie gjatë ditës së djeshme, ai ka thënë se me rritjen e pagave që është bërë me miratimin e Ligjit për Paga është krijuar një dallim mes sektorit publik dhe atij privat.
Në anën tjetër njohësi i çështjeve ekonomike në vend Musa Limani, ndonëse ka vlerësuar se miratimi i Ligjit për Paga ka qenë hap pozitiv, ka thënë se ai lë shumë zbrazëtira.
“Me aprovimin e Ligjit për Pagat është bërë një hap pozitiv drejt nivelizimit të pagave edhe pse ka mjaft zbrazëtira, por më i mirë është një ligj i keq se të mbesim pa ligj”, ka thënë ai.
Derisa janë bërë rritje të pagave për sektorin publik, Limani ka vlerësuar se duhet të ketë rritje edhe në sektorin privat. Sipas tij, paga minimale e sektorit publik dhe atij privat duhet të jetë e njëjtë.
“Si ekonomist mendoj që duhet të jetë paga minimale e njëjtë edhe për sektorin privat. Paga minimale, të cilën e cakton Qeveria për sektorin shoqëror, duhet të vlejë edhe për sektorin privat. Në sektorin privat pagat janë shumë të ulëta dhe kjo gjë duhet të rregullohet nëpërmjet intervenimit të sindikatave”, ka thënë ai më tej.