Z-Mobile mund t’ia 'mjel' edhe disa miliona Telekomit

Ekonomia February 01, 2019 - 19:18
Lexo Detajet

Kompania Z-Mobile në pronësi të Blerim Devollit mund t’ia mjelë edhe disa miliona Telekomit të Kosovës si penallti për shkak të vonesës së pagesës së borxhit nga vendimi Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Pagesa për këto vonesa mund të shkojë deri në 5 mijë euro në ditë. Këtë e konfirmon avokati i Telekomit Gazmend Nushi, i cili thotë se kjo pagesë prej 5 mijë eurosh 5 mijë euro në ditë përfshijnë një periudhë më shumë se 2 vjecare. E avokati i Devollëve Virtyt Ibrahimaga thotë se kjo shumë është diçka më e vogël.

Telekomi i Kosovës dhe operatori mobil Z-Mobile, që është në pronësi të Blerim Devollit, janë në një proces për Njohjen dhe Ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Sipas këtij vendimi, Telekomi i detyrohet kompanisë Z-Mobile me 32 milionë euro për shkak të moszbatimit të kontratës së lidhur mes kompanisë publike dhe kompanisë së Devollëve një dekadë më parë.

Zyrtarisht, ky konsiderohej dëmi më i madh që i është bërë Telekomit të Kosovës nga familja e bizneseve të mëdha në vend, ajo e Devollëve.

Duke u parë se gishti për cuarjen drejt falimentimit të Telekomit po drejtohej nga udhëheqësit e saj, por edhe nga biznesmeni Blerim Devolli, atëherë këta kishin vendosur të organizonin një shoë medial, ku gjoja Z-Mobile po i falte borxhin Telekomit. Vetëm se, ish-shefi ekzekutiv i Telekomit, Agron Mustafa, thoshte se kompania publike do t’ia paguante shpenzimet gjatë procesit gjyqësor në Arbitrazh, që ishin rreth katër milionë euro.

Borxhi nuk u fal, sepse Z-Mobile bëri kërkesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës që kompania publike të zbatonte vendimin e Arbitrazhit. Express muaj më parë publikoi kërkesën që Z-Mobile i ka bërë Gjykatës, ku kërkonte t’i paguheshin rreth 32 milionë euro.

Asnjëherë nuk u bë e ditur nëse u paguan shpenzimet e Arbitrazhit, megjithatë gjoba mbi 30 milionëshe do të rritet edhe më shumë.

Telekomi do t’i paguaj para shtesë për vonesën e pagesës që nga dhjetori i vitit 2016, kur Arbitrazhi mori vendim në favor të Z-Mobile’it.

Avokati i Telekomit, Gazmend Nushi, ka thënë për Gazetën Express se, sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomit i duhet të paguaj për çdo ditë të vonesës nga pesë mijë euro.

“Është vendimi i Arbitrazhit pesë mijë euro në çdo ditë vonesë të Ekzekutimit të vendimit të Arbitrazhit. Janë bërë më shumë se dy vjet prej që është marrë vendimi. Është kjo njëra prej pikave të vendimit të Arbitrazhit”, ka thënë Nushi.

Nëse llogaritën ditët prej kur doli vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit, në dhjetor të vitit 2016, atëherë i bie që Telekomit deri tash i është mbledhur borxhi plus në afër 4 milionë euro.

Avokati i Telekomit mban shpresë në vendimin e Gjykatës Themelore, duke thënë se po pret vendimin e Gjykatës, ndërsa për shumën që duhet ta paguaj për shkak të vonesës dy vjeçare të borxhit mban shpresa edhe në mëshirën e Z-Mobile’it.

“Shpresa ime është te vendimi i gjykatës. Ato eventualisht mund të eliminohen në fazën e përmbarimit”, ka thënë Nushi.

Ai thotë se edhe avokatit të Z-Mobile i është dukur jashtë normales pagesa e borxhit prej 5 mijë eurosh, prandaj kompania e Devollëve, që shpesh ka premtuar falje të borxheve, mund të mos kërkojë paratë shtesë.

“Avokati i Z-mobile dje e pranoi se është jashtë normales . Në procedurën e përmbarimit, sipas fjalëve të tij, nuk do të përfshihet ajo pjesë. Kur vjen puna e përmbarimit, ku me ditë çka kërkojnë”, është shprehur Nushi.

Mirëpo, avokati i Z-Mobile, Virtyt Ibrahimaga thotë për Express se nuk parashihet që atyre t’iu paguhen nga 5 mijë euro për secilën ditë të këtyre dy vjetëve prej kur ka dalë vendimin i gjobitjes së Telekomit.

“5 mijë euro ka qenë dënimi kontraktues për kartela dhe për numra. Por, ajo është liferuar, nuk ecë 5 mijë euro. Shumë më e vogël është”, ka thënë Ibrahimaga.

Megjithatë disa milionë shtesë do të detyrohet t’i paguaj prapëseprapsë Telekomi.

“Është kamat-vonesa ligjore 8 për qind për shumën e dëmshpërblimit të mbetur. Por ajo llogaritët në procedurë përmbarimore”, ka treguar avokati i Z-Mobile.

E nëse paguhet kamata prej 8 për qind të shumës së përgjithshme të borxhit, atëherë i bie që Telekomi duhet t’ia paguaj Devollëve mbi 2.5 milionë euro.