Minatorët e 'Trepçës' kërcënojnë me përshkallëzim të situatës

Ekonomia January 09, 2019 - 08:34
Lexo Detajet
Image

Kryetari i SP-së së Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, ka rikujtuar se janë katër kërkesa të cilat duhen plotësuar nga institucionet e shtetit të Kosovës, në mënyrë që të ndërpritet greva: ngritja e pagave 20 për qind, ndalimi i punësimit pa konkurs, Bordi të dalë para grevistëve dhe të raportojë për punën në 8 muajt e fundit dhe të plotësohen kërkesat nga greva e pezulluar në muajin korrik, shkruan gazeta "Zëri".

Ka vazhduar të martën greva e minatorëve të “Trepçës” dhe ajo më nuk do të ndërpritet përderisa institucionet e shtetit të Kosovës, posaçërisht Qeveria, të mos i plotësojë kërkesat e tyre. Minatorët janë të vendosur që të mbajnë grevë deri në përmbushjen e kërkesave, ndërsa janë kërcënuar se në rast se ato nuk plotësohen atëherë situata do të përshkallëzohet.

LEXO EDHE: Kryeministri, i palëkundur për taksën ndaj Serbisë

Kryetari i SP-së së Punëtorëve të “Trepçës” ka rikujtuar se katër kërkesat e minatorëve grevistë që duhet plotësuar janë: ngritja e pagave 20 për qind, ndalimi i punësimit pa konkurs, Bordi të dalë para grevistëve dhe të raportojë për punën në 8 muajt e fundit dhe që të plotësohen kërkesat nga greva e pezulluar në korrik. 

“Janë kërkesa, të cilat duhet të plotësohen. Greva ka vazhduar dhe ajo më nuk do të ndalet përderisa të mos plotësohen ato. Janë edhe kërkesat nga greva e pezulluar e korrikut, të cilat patjetër duhet të plotësohen për t’u ndërprerë greva. I jemi kthyer grevës, sepse kërkesat tona nuk po plotësohen. Një marrëveshje është arritur me kryeministrin më 13.07.2018 dhe në atë marrëveshje shkruhet se brenda tre muajve duhet të realizohen kërkesat e minatorëve. Deri më tash fatkeqësisht kërkesat nuk janë realizuar”, ka thënë Sadiku të martën.

E ndërkaq kryetari i Këshillit Grevist, Ferid Idrizi, ka kërkuar që minatorëve t’u merren në punë edhe nga një fëmijë, për shkak të gjendjes së rëndë të tyre.

Grevën e minatorëve të “Trepçës” e ka mbështetur edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nëpërmes një deklarate.

Tahiri përkrah kërkesat e punëtorëve

E në anën tjetër ai që është akuzuar nga minatorët se i ka kërcënuar pse kanë hyrë në grevë, ushtruesi i detyrës së drejtorit të “Trepçës”, Xhevdet Tahiri, ka thënë të martën se përkrah kërkesat e punëtorëve. Ai tha gjithashtu se e ka informuar Bordin Mbikëqyrës për kërkesat e punëtorëve. “Unë i mbështes kërkesat e minatorëve, sepse ato janë të drejta. Rritja e pagave është një kërkesë që punëtorët e kanë biseduar edhe me mua dhe kanë kërkuar edhe nga unë, por u kam treguar se nuk ka mundësi, pasi jemi në situatë të vështirë financiare dhe nuk kemi buxhet për rritje të pagave. Nëse do të ketë mundësi menjëherë do të veprojmë dhe kemi për t’i rritur pagat 20 për qind, ashtu siç kanë kërkuar minatorët. Unë i përgjigjem Bordit Mbikëqyrës, e kam informuar atë për kërkesat e minatorëve dhe për shqetësimet e tyre, si dhe për një takim të Bordit me minatorët. Meqë i përgjigjem Bordit Mbikëqyrës e kam informuar atë rreth kërkesave të minatorëve dhe kërkesës së tyre për një takim të mundshëm me ta”, tha Tahiri, i cili ka shtuar se punëtorët kanë kërkuar një takim edhe me zyrtarët e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe me kryeministrin Ramaush Haradinaj për t’u njoftuar me gjendjen rreth Ligjit dhe statutit të “Trepçës”. “Por as përfaqësues të MZHE-së e as kryeministri nuk janë takuar me minatorët grevistë”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se për shkak të grevës prodhimi i xehes në minierën e Stan Tërgut është ndërprerë. 

Bordi nuk prononcohet për grevën

E ndërkaq kryetari i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”, Ardian Syla, dhe asnjë nga anëtarët e Bordit, përveç Shyqyri Sadikut, i cili është kryetar i SP-së së Punëtorëve të “Trepçës” dhe anëtar i Bordit Mbikëqyrës, jo vetëm që nuk u ka shkuar mendja të dalin para minatorëve grevistë dhe të tregojnë për punën e tyre që kanë bërë gjatë muajve të kaluar, por nuk janë prononcuar me asnjë fjalë për grevën e cila ka filluar para 6 ditëve (të enjten e kaluar) dhe efektet e saj. Syla i ka thënë “Zërit” pak ditë më parë se gjendja në “Trepçë” është e vështirë, sidomos gjendja financiare, por pagën aktuale të minatorëve të “Trepçës” e ka cilësuar si “të dinjitetshme”. “Ka shumë probleme që ndikojnë në prodhim, disa prej tyre janë fuqia e re punëtore. Ka mungesë të investimeve kapitale, mirëpo për shkak të kësaj mungese të investimeve teknologjia ka mbetur shumë e vjetër dhe të gjitha këto janë faktorë që ndikojnë në rënien e prodhimit dhe ndikojnë që të mos kemi një prodhim të kënaqshëm e të mjaftueshëm me një prodhim që në të kaluarën e ka pasur ‘Trepça’”, ka thënë Syla, i cili ka konstatuar se paga e minatorëve është “e dinjitetshme” dhe se për ngritje të pagave mund të flitet vetëm pas regjistrimit të ndërmarrjes, pas transformimit në shoqëri aksionare dhe pas studimit të qëndrueshmërisë e studimit të gjendjes aktuale. Ai ka precizuar se paga e mesatare e punëtorëve të “Trepçës” është 750 euro.

Në anën tjetër drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, u ka thënë medieve në Beograd se qeveria e Serbisë do t’i fusë duart në “Trepçë” në vitin 2019, në mënyrë që të ndërtojë fabrika të reja, duke veçuar ndërtimin e Fabrikës së Akumulatorëve në Zveçan, për të cilën Serbia planifikon t’i investojë 13 milionë euro.