104 milionë euro interes në emër të borxhit publik
Foto: Laura Hasani

104 milionë euro interes në emër të borxhit publik

Ekonomia nëntor 15, 2018 - 08:13
DETAJET
Image

Kosova është zhytur në borxhe për financimin e projekteve infrastrukturore. Prej vitit 2009 deri më tani Kosova ka paguar interes prej 104 milionë eurosh në emër të borxhit publik. Të paktën kështu tregojnë të dhënat e siguruara nga Ministria e Financave (MF), shkruan sot Gazeta "Zëri".

104 milionë euro është shuma e mjeteve që Kosova është detyruar të paguajë në emër të interesit për borxhin publik nga viti 2009 e deri më tash. Këto statistika zyrtare janë bërë të ditura nga zyrtarët e Ministrisë së Financave në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri”.

Por, me këtë shumë të akumuluar përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës shprehen të bindur se Kosova nuk e rrezikon stabilitetin financiar. Kështu ka thënë gjatë një deklarate për “Zërin” Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj. “Ne nuk jemi as afër për të rrezikuar stabilitetin makrofiskal as të zhvillimit ekonomik. Jemi te një borxh që është rreth 700 milionë euro e që nuk është hiç i lartë, i bie përmbi 10 për qind të BPV-së. Këtë futjen në borxh për të financuar projekte të mëdha kapitale e shfrytëzojnë të gjitha vendet kur janë kushtet e kredisë të favorshme. Ne i kemi shfrytëzuar kreditë e buta, ndihmat. Nuk jemi në rrezik nëse shfrytëzohen racionale, duhet të kemi kujdes eventualisht kur ndodhin procedura në kohën e kushtëzimeve të korrupsionit”, është shprehur Shatri. Kundërshtime për këto deklarata kanë shprehur përfaqësuesit e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa. Anëtari i këtij komisioni nga radhët e Vetëvendosjes, Ali Lajqi, ka thënë për gazetën “Zëri” se borxhi është i rrezikshëm pasi kapacitetet janë të limituara për plane buxhetore. “Borxhi është i rrezikshëm, varet për çfarë investimesh dhe destinimesh kanë. Në këtë rast është një borxh bukur i konsideruar për buxhetin tonë, duhet pasur kujdes në mosarritjen e borxheve, sepse kapacitetet tona janë bukur të limituara për shumë plane buxhetore. Ka borxhe që nuk e arsyetojnë veten dhe shpesh nuk janë të arsyeshme”, ka shtuar në mes të tjerash ai. Për futjen në borxh dhe huamarrje ekspertët e ekonomisë janë duke kërkuar të dhëna se ku po investohen këto fonde.

Kërkohet analizë e hollësishme për borxhin publik

Ekspertët e ekonomisë kanë kërkuar analiza të detajuara sa u përket investimeve të këtyre fondeve në projekte të caktuara. Kështu ka deklaruar eksperti i ekonomisë, Muhamet Mustafa. Në një përgjigje për gazetën “Zëri” ai ka paralajmëruar se ka ardhur koha e analizës së dinamikës dhe strukturës së hyrjes në borxhe, përkatësisht rritjes së borxhit të jashtëm. “Tregues me rëndësi është se ku po investohen këto fonde hua, në cilat projekte, si po merret vendimi për ato projekte, sa është kthimi i tyre, me çfarë përqindjeje vjetore, fitimi, projektet që janë financuar nga ato a po i kthejnë investimet. Kjo duhet bërë para se të bëhet vonë”, ka rekomanduar Mustafa. Më tutje ai ka kërkuar një analizë më të detajuar rreth kësaj çështjeje. “Një vend që e ka borxhin publik në 60 për qind të GDP-së mund t’i ketë punët shumë më mirë dhe t’i kthejë më lehtë këto borxhe nëse projektet kanë një kthim të mirë të investimeve sesa një vend tjetër që ka më pak se 30 për qind të borxhit në GDP, por projektet e investuara nga ato nuk janë rentabile, nuk kanë kthim të mirë, janë zgjedhur keq dhe janë menaxhuar keq në periudhën investuese eksploatuese. Ndaj një analizë më e hollësishme e ecurisë është tepër e nevojshme”, ka theksuar njohësi i çështjeve ekonomike.

Rritjen e vlerës së borxhit e kanë komentuar edhe në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI).

Diana Metushi-Krasniqi, nga ky institucion, në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka kërkuar kujdes të institucioneve në këtë drejtim të borxhit publik. “Sipas tremujorit të fundit të publikuar nga MF-ja, borxhi publik është rreth 16,9 për qind, që është rritje prej tremujorit paraprak dhe viteve paraprake. Edhe pse kundrejt standardeve ndërkombëtare për menaxhimin e parasë publike përqindja e borxhit publik kundrejt BPV-së llogaritet i kujdesshëm nëse shkon edhe në 60 për qind në aspektin e borxhit publik ne e shohim si problem duke pasur parasysh që Kosova ka marrë borxhe ose hua prej institucioneve të ndryshme që kanë mbetur gjatë vitit 2017, rreth 380 milionë të huamarrjes kanë mbetur në llogari për shkak se nuk kanë pasur një destinacion të caktuar përderisa ne vazhdojmë të paguajmë interes në atë kredi”, ka thënë Metushi-Krasniqi. Ajo ka përmendur edhe fondet tjera rezervë, të cilat i posedon Kosova dhe nuk i shfrytëzon. “Duke pasur parasysh se Kosova posedon edhe fonde tjera rezervë që nuk po shfrytëzohen nuk shfrytëzohet Fondi për Privatizimin e i cili është i bllokuar në xhirollogaritë bankare dhe nuk përmbushen obligimet ndaj ndërmarrjeve publike e as nuk shfrytëzohen për investime”, ka përfunduar përfaqësuesja e KDI-së.

Gashi: Asnjë vend nuk është zhvilluar nga borxhet e pakontrolluara

Kujdes të shtuar në huamarrje ka kërkuar edhe eksperti tjetër i ekonomisë, Naim Gashi.

Gashi në një deklaratë për gazetën “Zëri” nuk e ka mohuar faktin se Kosova e ka borxhin më të ulëtin në rajon, të krahasuar me GDP-në e vendit sipas tij nuk e kalon as 18-përqindëshin. “Kosova aktualisht nuk rrezikohet nga borxhi publik dhe kamatat, asnjë vend në botë nuk është zhvilluar pa marrë borxh, mirëpo asnjë vend në botë nuk është zhvilluar duke marrë borxh në mënyrë të pakontrolluar. Ideja është marrja në borxh duhet të jetë për projekte zhvillimore afatgjate të cilat gjenerojnë zhvillim afatgjatë jo të merret kredi për projektet që e kanë jetëgjatësinë shumë të shkurtër. Të zëmë, një projekt për të cilin është marrë borxh është ndërtimi i sistemit të ujësjellësit për mijëra hektarë në Rrafshin e Dukagjinit, që është i qëlluar, sepse përfitimet e bujqve dhe të sektorit të agropërpunimit do të jenë afatgjate”, ka sqaruar Gashi.

Ndër prioritetet në këtë mes ai ka përfshirë aktivizimin e “Trepçës” dhe financimin për ndërtimin e termocentralit të ri. “Prioritet duhet të kenë aktivizimi i mirë i ‘Trepçës’, do të duhej të merrej një borxh publik ose pjesërisht, ose ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike në Kosovë. Pse në termocentralin e ri një pjesë të mos e ketë Qeveria nëpërmjet një kredie të butë, që do ta merrte përmes institucioneve financiare ndërkombëtare, për projektet rrugore Kosova ka potencial financiar në buxhetin vetanak t’i ndërtoj rrugët dhe autostradat të cilat janë në ndërtim e sipër. Duhet t’i jepet prioritet sektorit të bujqësisë, sistemeve të ujitjes, ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike dhe sektorit të minierave”, ka shtuar në mes të tjerash ai./ZËRI