A do të shtrenjtohet buka pas masës tregtare ndaj mallrave serbe?

A do të shtrenjtohet buka pas masës tregtare ndaj mallrave serbe?

Ekonomia nëntor 14, 2018 - 19:52
Lexo Detajet

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, të martën e kaluar i propozoi kabinetit qeveritar vendosjen e masës prej 10 për qind për disa produkte që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.

Por, kjo masë përjashton produktet e markave ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, dy shtete që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Në komunikatën e Odës së Afarizmit të Kosovës, zyrtarë të së cilës sot janë takuar me sektorin e bukëpjekësve, thuhet se luhatja e çmimit të bukës në treg është njëri ndër problemet e bukëpjekësve.

Por se a do të rritet çmimi i bukës pas vënies së masës prej 10 për qind për importin e produkteve nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina ka treguar ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Endrit Shala ka thënë se nuk do të ketë rritje të çmimit të grurit edhe pse importi më i madh është nga Serbia.

“Nuk besoj se do të ketë rritje të çmimit të produkteve e po ashtu edhe të grurit për arsye se lënda e parë mund të merret edhe në vendet e tjera nga tregtarët dhe biznesmenët. Nuk është Serbia vendi i vetëm ku duhet ta marrim grurin”, ka thënë Shala për kallxo.com.

Shala po ashtu ka thënë se do të mundohen ta zvogëlojnë importin e sasisë së madhe të grurit nga Serbia për ta marrë nga vendet e tjera.

“Unë besoj në mirëkuptimin e bizneseve që të shohin alternativa të tjera përveç Serbisë që edhe ata vetë mos të lejojnë që të rritet çmimi për qytetarët e vet”, deklaroi Shala.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë për kallxo.com se nuk do të këtë rritje të çmimeve edhe pas vënies së taksës prej 10 për qind për shkak se bizneset do të rrezikonin pozicionimin në treg.

Rukiqi ka thënë se rritja e çmimeve nuk do të bëhet për shkak se të gjitha produktet, të cilat importohen nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina janë produkte të zëvendësueshme.

“Gjithmonë ekziston mundësia që të futet ai elementi spekulativ i tregut, të ketë lëvizje të çmimeve mirëpo kjo është brenda konkurrencës. Po ju them që është problem të lëvizin çmimet për shkak se i rrezikohet pozicioni në treg. Arsyeja e dytë që mund të them se nuk mund të ketë lëvizje të çmimeve janë stoqet aktuale. Besoj se një pjesë e stoqeve janë të mjaftueshme për një kohë dhe realisht nuk ndikohet drejtpërdrejt te oferta”, ka thënë Rukiqi.

Ndërsa mundësia e rritjes së çmimit të drithërave, specifikisht grurit, nuk përjashtohet nga Rukiqi për shkak se ky produkt importohet në masë të madhe nga Serbia.

“Duke e ditur shumëllojshmërinë e produkteve që janë në Kosovë, nuk shoh shumë potencial për ndonjë ngritje të madhe të çmimeve, por është çështje e lëndës së parë. Kosova dihet që nuk ka lëndë të parë të mjaftueshme dhe e importon. Shembull rasti grurit që importohet në masë të madhe nga Serbia dhe disa produkte në sektorin e ndërtimit, nëse masa vlen edhe te masa e parë edhe mund të ketë ndikime te çmimet në Kosovë”, ka deklaruar Rukiqi.

Vënie e kësaj mase ka nxitur reagime edhe nga Bashkimi Europian.

Zëdhënësja e BE-së Maja Kocijançiq, ka thënë se kjo masë është shkelje e obligimeve të CEFTA-s.

“Këto vendime janë një shkelje e qartë e obligimeve të Kosovës në kuadër të CEFTA-së. BE pret nga Kosova, e cila aktualisht kryeson CEFTA për të përmbushur plotësisht obligimet e saj dhe të revokojë këtë masë”, ka deklaruar Kocijançiq.

Edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të përjashtojë prodhuesit shqiptarë nga masa prej 10 për qind për mallrat serbe.

“Pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për vendosjen e masave mbrojtëse ndaj produkteve që vijnë nga Serbia, kryetari i Komunës së Bujanocit, kërkon nga Kryeministri dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, përjashtimin nga këto masa të prodhueseve dhe produkteve që në Kosovë eksportohen nga Lugina e Preshevës.”, ka shkruar ai në profilin e tij zyrtar në Facebook.