Banorët e 18 fshatrave paralajmërojnë bllokimin e rrugës

Banorët e 18 fshatrave paralajmërojnë bllokimin e rrugës

Ekonomia tetor 11, 2018 - 08:17
Detajet
Image

Faza e parë e punimeve në rrugën “R220”, Bukosh – Gllavotin, që lidh fshatra të Artakollit e për të cilën Ministria e Infrastrukturës së Republikës së Kosovës ka ndarë 1.9 milion euro, ka mbetur pa përfunduar (shtresa e parë e asfaltit). Banorët e zonës kanë paralajmëruar protestë për të dielën, ku do të bllokohet për një orë rruga Mitrovicë – Prishtinë, në Pestovë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Banorët e 18 fshatrave të komunës së Vushtrrisë, që lidhen me rrugën Bukosh – Gllavotin, e cila ndonëse ka filluar të ndërtohet në maj të këtij viti nuk ka arritur të përfundojë as faza e parë (shtresa e parë e asfaltit), do të protestojnë të dielën. Ata kanë paralajmëruar se do ta bllokojnë për një orë rrugën Mitrovicë – Prishtinë, në Pestovë. Vonesat e mëdha në ndërtimin e rrugës janë bërë për shkak të mungesës së fondeve, ndonëse Qeveria e Kosovës ka ndarë 1.9 milion euro për ndërtimin e kësaj rruge. Banorët e kësaj zone kanë protestuar edhe në gusht të këtij viti, duke kërkuar që punët të përfundojnë, pasi gropat e mëdha dhe pluhuri, siç thonë ata, “janë bërë tmerr” për banorët e asaj ane. Ata disa herë janë kërcënuar se do të protestojnë nëse nuk fillon riasfaltimi i rrugës, të paktën shtresa e parë, por kërcënimet e tyre siç duket nuk janë marrë seriozisht nga Ministria e Infrastrukturës. Për këtë arsye banorët kanë vendosur që të dielën ta bllokojnë për një orë autorrugën Prishtinë – Mitrovicë, në Pestovë. “Përmes protestës që do ta organizojmë të dielën do të kërkojmë nga Qeveria e Kosovës, gjegjësisht nga Ministria e Infrastrukturës që të sigurojë mjete dhe të insistojë për ta shtruar të paktën shtresën e parë të asfaltit të kësaj rruge, sepse jeta na është bërë e padurueshme për shkak të gropave dhe pluhurit të madh. Gjatë dimrit, nëse mbetet kështu si është, qarkullimi nëpër këtë rrugë do të jetë shumë i vështirë, ndoshta edhe i pamundur”, kanë thënë me një zë banorët e kësaj zone, të cilët kanë këmbëngulur që shtresa e parë e asfaltit të vendoset para dimrit. 

Rruga filloi të ndërtohet në fillim të prillit

Kjo rrugë, e cila njihet si rruga alternative Mitrovicë - Prishtinë dhe e cila lidh 27 fshatrat e Vushtrrisë, të Obliqit dhe të Prishtinës, ka filluar të ndërtohet në fund të prillit të këtij viti. Përveç trasesë dhe shtrimit me zhavorr punët e tjera nuk janë kryer, ndërsa në fazën e parë, siç thonë banorët, ishte paraparë të vihet një shtresë e asfaltit.                               

Ndryshe, në këtë rrugë nuk është investuar prej kohës së komunizmit, ndërsa gjatë qeverisjes me Vushtrrinë të Bajram Mulakut ishte hartuar projekti, i cili do të financohej nga Qeveria e Kosovës. Me ardhjen në pushtet të Xhafer Tahirit projekti i kësaj rruge ishte iniciuar në Qeverinë e Kosovës. Kryetari Tahiri kishte siguruar mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e kësaj rruge, të gjatë 18 kilometra, e cila lidh 27 fshatra të komunës, me 2 milionë euro. Më saktësisht, projekti i rrugës 18-kilometërshe Bukosh – Gllavotin ka koston prej 1.9 milion eurosh dhe këto mjete janë siguruar nga Qeveria e Kosovës. Për këtë rrugë dhe për disa projekte të tjera infrastrukturore Tahiri kishte marrë mbështetje edhe nga ministri i Infrastrukturës i Republikës së Kosovës, Pal Lekaj dhe nga kryeministri Ramush Haradinaj.                                                                                 

Kjo rrugë, që është ndërtuar në kohën e ish-Jugosllavisë, ka qenë për kohë të gjatë problemi më i madh me të cilin është përballur Vushtrria dhe qytetarët e 27 fshatrave që kanë përshkuar rrugën. Projekti ka qenë dashur të fillojë në vitin 2017, kur Ministria e Infrastrukturës kishte premtuar 800 mijë euro, si dhe të përfundojë në vitin 2019, por projekti kishte filluar të realizohet vetëm në vitin 2018, pas ardhjen në pushtet të Tahirit. 

Rruga, e rëndësisë së veçantë

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka përsëritur shumë herë se kjo rrugë është e një rëndësie të veçantë për Vushtrrinë dhe qytetarët e saj. Sipas tij, projekti i rrugës duhet të përfundojë në vitin 2019, ashtu edhe siç është paraparë me projekt. Ai ka sqaruar se projekti është kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës, e cila edhe e financon atë. Në anën tjetër, në fillim të punëve ministri i Infrastrukturës i Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, pati siguruar se rruga do të përfundojë me kohë. “Punët në ndërtimin e rrugës kanë filluar me kohë, rruga do të kryhet në afatin që është paraparë. Për realizimin e projektit të kësaj rruge ka pasur shumë vonesa dhe punët janë stërzgjatur, për këtë arsye edhe mund të jeni skeptikë, por siguroj se punët në ndërtimin e rrugës do të kryhen në kohën si është e përcaktuar me kontratë”, ka thënë ministri Lekaj.