Dështon për herë të dytë konkursi për drejtor menaxhues të KEK-ut

Dështon për herë të dytë konkursi për drejtor menaxhues të KEK-ut

Ekonomia korrik 17, 2018 - 18:40
Lexo detajet

Për herë të dytë brenda katër muajve ka dështuar konkursi për zgjedhjen e Drejtorit menaxhues të Korporatës Energjetike të Kosovës.

AktivPress mëson se njësoj si konkursi i  parë, ashtu edhe konkursi i dytë tashmë është anuluar.

Derisa, herën e parë postin e shefit të KEK-ut e kanë pretenduar 24 kandidatë, herën e fundit numri i tyre ishte shtuar në 30.

Sipas burimeve të gazetës, konkursi është anuluar për shkak se nuk është arritur të nxirret një listë e ngushtë prej tre kandidatësh që i plotësojnë kriteret për këtë pozitë.

“Nga gjithsej 30 kandidatë që kanë aplikuar, vetëm njëri prej tyre i ka plotësuar kriteret për pozitën e drejtorit”, kanë thënë burimet brenda KEK-ut. Bëhet fjalë për Njazi Thaçin, i cili aktualisht është duke e ushtruar postin e drejtorit menaxhues të KEK-ut, e që rezulton të ketë përvojë menaxheriale 13 vjeçare në KEK.

Konkursi ka qenë i monitoruar edhe nga njëra prej ambasadave të huaja që vepron në Kosovë, e cila siç thuhet, ka qenë e pajtimit që konkursi të përsëritet. “Në mesin e kandidatëve ka pas edhe aso që si përvojë pune e kanë regjistruar menaxhimin e restoranteve në shtetet e jashtme”, ka thënë burimi i gazetës.

Në listën e kandidatëve që kanë aplikuar për drejtor të KEK-ut kanë qenë: Besnik Hyseni, Hyrmet Mytydi Januzi, Istref Klinaku, Ilmi Azemi, Arsim Gjinovci, Agron Haxhiu, Irfan Fejzullahu, Anisa Jakupi, Sherif Idrizaj, Lorik Haxhiu, Habib Basholli, Idriz Blakaj, Njazi Thaçi, Gazmend Amaxhekaj, Selatin Sadiku, Enver Gashi, Ali Krasniqi, Përparim Kabashi, Selatin Sadiku, Shkumbin Bozhdaraj, Aldi Bytyqi, Burim Maraj, Salih Bytyqi, Isak Kerolli, Fatmir Shahini, Adil Januzi, Habib Murati, Mehmet Krasniqi, Mentor Ferizi dhe Naser Rusinovci.

Ditë më parë, Sindikatat e Re e punëtoreve të KEK-ut, e ka paralajmëruar bordin se do të ballafaqohen me reagime sindikale, greva dhe protesta nëse ata e zgjedhin drejtorin e ri jashtë kuadrove të KEK-ut.

“Në KEK kemi mjaftë menaxher të përgatitur, profesionist dhe më përvojë që mund ta drejtojnë KEK-un shkëlqyeshëm. Prandaj keni kujdes se çdo njeri jashtë KEK-ut do të jetë i papranishëm për sindikatën e re dhe do të ballafaqoheni me presione të pandërprerë sindikal që na lejon ligji punës”, thuhet në letrën e kësaj sindikate.

KEK është me U.D  të drejtorit menaxhues që nga fillimi i qershorit, meqë pozita e drejtorit ishte liruar nga Arben Gjukaj në fund të muajit maj.