Bizneset alarmojnë për korrupsionin e lartë
Foto: Driton Bublaku

Bizneset alarmojnë për korrupsionin e lartë

Ekonomia mars 14, 2018 - 07:57

Rreth 98 për qind e bizneseve të anketuara nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë vlerësojnë se korrupsioni është problem serioz për zhvillimin e tyre, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Bizneset kosovare nuk e raportojnë korrupsionin në organet kompetente, ndonëse ankohen se kjo dukuri negative e pengon zhvillimin e veprimtarisë së tyre.

Sipas një ankete të realizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, 98 për qind të bizneseve në vend e vlerësojnë korrupsionin si problem serioz, mirëpo 85 për qind e tyre nuk u janë drejtuar organeve të drejtësisë.

Këto të gjetura u prezantuan të martën nga Oda Amerikane e Kosovës në raportin “Studimi mbi perceptimin e korrupsionit”, të kryer me bizneset të cilat operojnë në Kosovë, shkruan tutje "Zëri". 

Korrupsioni nuk mbetet sfida e vetme për bizneset. Sistemi gjyqësor, ndonëse do të duhej të ishte më i besueshmi, nuk e gëzon besimin e bizneseve në Kosovë. Rreth 72 për qind e bizneseve janë deklaruar se nuk i besojnë sistemit gjyqësor.

“Lulëzimi i korrupsionit” po del të ketë pasoja të mëdha edhe në tërheqjen e investimeve të huaja direkte (IHD). 79 për qind e bizneseve të anketuara besojnë se korrupsioni ka ndikim në tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Frika nga hakmarrja i lë bizneset pa raportuar korrupsionin

Frika nga hakmarrja e institucionit përkatës në të ardhmen po i lë bizneset pa e raportuar këtë dukuri. Rreth 75 për qind e të anketuarve janë shprehur se arsyet e mosraportimit të korrupsionit vijnë nga frika e hakmarrjes së institucionit përkatës, ndërsa 72 për qind e bizneseve të anketuara janë shprehur se nuk besojnë në sistemin gjyqësor, përderisa 58 për qind e tyre nuk raportojnë si pasojë e mungesës së rezultateve të kënaqshme në luftimin e korrupsionit.

Për drejtorin ekzekutiv të Odës Amerikane të Kosovës (OEAK) Arian Zekën mbetet interesante se bizneset e kanë renditur si problem kryesor drejtësinë.

“Pasojat e korrupsionit i përjetojmë çdo ditë e ato reflektojnë edhe në të bërit biznes. Derisa zotimet e zyrtarëve të vendit në luftën kundër korrupsionit përsëriten çdo ditë përtej retorikës së bukur rezultatet tregojnë se korrupsioni është i pranishëm. Është interesant që bizneset kanë renditur si problem kryesor drejtësinë”, ka deklaruar kryetari i Odës Amerikane të Kosovës Arian Zeka.

Partneritet mes sektorit privat e Ministrisë së Drejtësisë ka premtuar ministri, i cili drejton këtë dikaster Abelard Tahiri.

“Sektori privat pritet të jetë gjeneruesi më i mirë i të mirave materiale. Është i nevojshëm për një shtet ligjor. Kodi Penal, i cili do të miratohet javën tjetër, ka rritur masat e ndëshkimit. Një risi e saj është suspendimi nga puna e zyrtarëve që përfshihen në korrupsion. Këto ligje definojnë qartë rolin e secilit akter. Zero tolerancë ndaj korrupsionit. Thërras për partneritet mes sektorit privat dhe Ministrisë së Drejtësisë. Gjithë hapat që kemi marrë nuk presim të japin rezultate brenda ditës. Jam i bindur se në një të ardhme do të japin rezultate”, ka theksuar ndër të tjera Tahiri.

Ndërkaq drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Shaip Havolli, ka treguar për shkeljet që kanë hasur gjatë monitorimit të aktiviteteve të prokurimit.

“Kemi monitoruar numër të madh të aktiviteteve të prokurimit. Ne mundohemi që përzgjedhjet t'i bëjmë në nivel lokal dhe në nivel qendror. Autoritetet kontraktuese nuk e dinë se kur shkojmë për t'i hetuar këto aktivitete. Kemi hasur në numër të madh të shkeljeve të Ligjit të Prokurimit Publik. Agjencia është munduar t'u dalë në ndihmë operatorëve që të ndalohet korrupsioni. Ka situata kur as operatorët nuk janë shumë seriozë e mundohen t’i vënë institucionet në lajthitje", është shprehur Havolli.

Grupet e margjinalizuara e ndiejnë më së shumti korrupsionin, sipas Visar Hapqiut, udhëheqës i Institutit për Hulumtime të Odës Amerikane, njëkohësisht prezantues i të gjeturave të raportit mbi “Studimin e perceptimit të korrupsionit”.

“Nëse 98 për qind e bizneseve thonë se korrupsioni është problem dhe 52 për qind thonë se janë përballur me të duhet të dalim me masa konkrete si duhet të përmirësohet kjo. Grupet e margjinalizuara janë ato që e ndiejnë më së shumti korrupsionin. Për ta arritur përmirësimin dy palët duhet të luajnë rolin e tyre, duke kryer punën e tyre në luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni ndikon në uljen e vendeve të punës dhe çon në njëanshmëri”, ka shpjeguar Hapqiu.

Prokurimi publik, fusha më problematike

Fusha e prokurimit publik del të jetë më problematikja. Kështu shprehet Artan Canhasi, nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Canhasi duke prezantuar të gjetura të hulumtimeve ka thënë se klientelizmi, nepotizmi e mashtrimet vazhdojnë të mbesin problemet kryesore të prokurimit publik. “Prokurimi publik është problematik. Pas identifikimit të problemeve, kemi parë se në këtë fushë ka probleme me nepotizëm, mashtrim, klientelizëm”, ka shpjeguar Canhasi nga USAID-i.

Këtë hulumtim Oda Amerikane e Kosovës (OEAK) e ka kryer me 214 biznese të sektorëve të ndryshme, i prirë nga bizneset prodhuese me afër 35 për qind, i pasuar nga bizneset tregtare me rreth 30 për qind, shërbimet profesionale me 20 për qind të teknologjisë së informacionit, me 6 për qind të ndërtimtarisë dhe rreth 5 për qind të bizneseve të tjera.

Ndërsa sa i përket shtrirjes gjeografike dominojnë bizneset që kanë selinë në Prishtinë, 56 për qind të tyre, e pasuar nga Peja me 12 për qind, Prizreni dhe Ferizaj me rreth 7,5 për qind, Gjilani dhe Mitrovica me 3,7 për qind, Gjakova me 1,9 për qind dhe të tjerat me rreth 8 për qind.