Shtëpia e lindjes së Hitlerit mund të shndërrohet në stacion policie [video]
Ndërtesa ku lindi Adolf Hitleri, në qytetin Braunau am Inn, pranë kufirit mes Austrisë dhe Gjermanisë, po nis zyrtarisht një kapitull të ri si stacion policie, pas vitesh debatesh mbi të ardhmen e saj.
Qeveria austriake e bleu me detyrim pronën në vitin 2017, pasi ajo ishte në pronësi private dhe më parë përdorej nga një organizatë bamirësie për personat me aftësi të kufizuara.
Dy vjet më vonë u vendos që objekti të rinovohej dhe të shërbente si stacion policie, me synimin për t’i hequr çdo simbolikë që lidhet me liderin nazist.
Në fasadën e ndërtesës është vendosur vetëm mbishkrimi “Polici”, ndërsa i vetmi element që kujton të kaluarën e saj është një gur përkujtimor nga kampi i përqendrimit Mauthausen, me mesazhin: “Kurrë më fashizëm”.
“Qëllimi ishte të parandalohej çdo lidhje me Adolf Hitlerin, në mënyrë që ndërtesa të ishte e lirë nga ky misticizëm”, deklaroi Stefan Mltschoch, drejtues i Departamentit të Historisë në Ministrinë e Brendshme të Austrisë.
Gjatë regjimit nazist, ndërtesa ishte shndërruar në muze arti dhe ishte pjesë e kultit të personalitetit të Hitlerit. Megjithatë, sipas autoriteteve, ai jetoi aty vetëm për disa javë pas lindjes së tij në vitin 1889, përpara se familja të largohej.
Edhe pse vizitorët vazhdojnë të ndalojnë për të fotografuar ndërtesën, autoritetet thonë se rastet e vizitave nga grupe neonaziste janë ulur ndjeshëm vitet e fundit. Në Austri, përdorimi i simboleve dhe përshëndetjeve naziste është i ndaluar me ligj.
Kryebashkiaku i Braunau am Inn, Johannes Weidbacher, tha se shumica e komunitetit lokal e ka pranuar funksionin e ri të ndërtesës. Sipas tij, ishin shqyrtuar edhe alternativa të tjera, si përdorimi për administratë publike ose aktivitete bamirësie.
Megjithatë, vendimi ka hasur edhe kritika. Komiteti Mauthausen, organizata më e madhe e të mbijetuarve të Holokaustit në Austri, argumenton se ndërtesa duhet të shërbente më shumë për edukimin dhe kujtesën historike mbi krimet e nazizmit, duke paralajmëruar se ndryshimi i funksionit nuk do të pengojë domosdoshmërisht vizitat e ekstremistëve.
Ndërkohë, banorët e qytetit mbeten të ndarë në qëndrimet e tyre, ku një pjesë mbështet përdorimin si stacion policie për t’i dhënë fund simbolikës së objektit, ndërsa të tjerë do të preferonin që ndërtesa të vazhdonte të kishte një funksion social ose bamirës.
