Zbulim i rrallë në Egjipt, gjenden 225 statuja brenda varrit të një Faraoni

Zbulim i rrallë në Egjipt, gjenden 225 statuja brenda varrit të një Faraoni

Dosier December 10, 2025 - 10:08

Një zbulim mahnitës ka zgjidhur një mister. Egjiptologët kanë zbuluar 225 statuja funerare në Tanid, në deltën e Nilit dhe kanë arritur të zbulojnë identitetin e njërit prej banorëve misteriozë të nekropolit mbretëror.

“Kjo është hera e parë që kemi zbuluar statuja në një varr mbretëror në Tanid që nga viti 1946 në Luginën e Mbretërve”, përveç atyre të gjetura në varrin e Tutankhamunit në vitin 1922, tha egjiptologu Frédéric Peyrondeau në një konferencë për shtyp në Paris.

Ishte “mëngjesi i 9 tetorit”, tha shkencëtari, i cili punon së bashku me kolegun e tij egjiptian, Ahmed Naksara dhe drejton Misionin Arkeologjik Francez të Tanidës. Ekipi kishte eksploruar më herët “tre cepat e tjerë” të një varri të ngushtë ku ndodhej një sarkofag imponues. “Kur pamë 3 ose 4 statuja të mbledhura së bashku, menjëherë e kuptuam se do të ishte një zbulim i madh”, shtoi ai.

“Vrapova jashtë për të informuar kolegët e mi dhe përfaqësuesit e institucioneve. Pastaj, u grindëm. Ishte prag i një fundjave. Zakonisht, ndalemi në orën 14:00, por thamë se kjo nuk ishte e mundur. Na u desh të instalonim llamba dhe një kamera për natën”, – tregoi ai.
Ekipit iu deshën 10 ditë për të hequr me kujdes 225 statujat jeshile, qeramike, të cilat ishin vendosur me saktësi të madhe në një zgavër trapezoidale, në një pozicion horizontal.

Statujat, të quajtura “ushabti” ishin “shërbëtorët” që do të shoqëronin të ndjerin në botën tjetër. Më shumë se gjysma ishin figura femërore, gjë që është “mjaft e rrallë”, shpjegoi Peirondo.

Tanid, një vend shumë i rëndësishëm arkeologjik i zbuluar në vitin 1722, u themelua rreth viteve 1050-1030 para Krishtit si kryeqyteti i mbretërve të Dinastisë së 21-të. Sfinksi i madh prej graniti që ndodhet në muzeun e Luvrit vjen prej andej.

Në atë kohë, sundimtarët “braktisën Luginën e Mbretërve, ku kishte pasur shumë plaçkitje, veçanërisht pas mbretërimit të Ramsesit dhe e zhvendosën nekropolin mbretëror në Tanid”, tha egjiptologu.

Midis viteve 1939-1946, arkeologu francez Pierre Montet nxori në dritë 8 varre princash dhe mbretërish të Dinastive të 21-të dhe të 22-të. Në varret, të cilat ishin pjesërisht të pavulosura, u zbuluan sarkofagë prej guri dhe argjendi, maska funerale prej ari, bizhuteri dhe enë që sot zbukurojnë Muzeun e Kajros. Pasi u studiuan, “ushabti” i zbuluar në tetor do të përfshihet në koleksionin e këtij muzeu.

Vula mbretërore e pikturuar në statuja ka zgjidhur një mister të vjetër, pasi u identifikua edhe “pronari” i varrit. Sarkofagu përmban Faraonin Seshonk III (ose Shoshenq, 830-791 p.e.s.). Zbulimi është i habitshëm, duke pasur parasysh se muret e një varri tjetër, në të njëjtin nekropol, dhe sarkofagu më i madh i gjetur atje, mbajnë emrin e tij. 

Image

Image

Image