Gjetjet e shkencëtarëve: Dallgët e oqeanit rriten përtej kufijve të njohur
Shkencëtarët kanë zbuluar se dallgët e oqeanit mund të bëhen shumë më ekstreme dhe komplekse sesa është imagjinuar më parë.
Një studim i ri, i publikuar në revistën Nature, zbulon se në kushte specifike, ku dallgët takohen nga drejtime të ndryshme, ato mund të arrijnë lartësi katër herë më të pjerrëta sesa mendohej më parë.
Është supozuar shpesh se dallgët janë dy-dimensionale dhe kuptimi i thyerjes së dallgëve deri më tani është bazuar në këto supozime. Megjithatë, në oqean, dallgët mund të udhëtojnë në shumë drejtime dhe rrallë përputhen me këtë model të thjeshtuar.
Një ekip studiuesish, përfshirë Dr. Samuel Draycott nga Universiteti i Mançesterit dhe Dr. Mark McAllister nga Universiteti i Oksfordit, kanë zbuluar se dallgët tre-dimensionale, të cilat kanë lëvizje më komplekse dhe shumë drejtimshe, mund të jenë dyfish më të pjerrëta përpara se të thyhen krahasuar me dallgët konvencionale dy-dimensionale, dhe, për habi, ato vazhdojnë të rriten edhe më pjerrët edhe pasi ka ndodhur thyerja.
Zbulimet mund të kenë ndikime për mënyrën se si projektohen strukturat në det të hapur, parashikimin e motit dhe modelimin e klimës, ndërsa gjithashtu ndikojnë në kuptimin tonë themelor të disa proceseve oqeanike.
Profesori Ton van den Bremer, studiues në TU Delft, thotë se fenomeni është i paprecedent, “njëherë që një dallgë konvencionale thyhet, ajo formon një majë të ‘bardhë’ dhe nuk ka kthim prapa. Por, kur një dallgë me shpërndarje të gjerë drejtimi thyhet, ajo mund të vazhdojë të rritet”.
Dallgët tre-dimensionale ndodhin për shkak të përhapjes së dallgëve në drejtime të ndryshme. Forma ekstreme e kësaj është kur sistemet e dallgëve “kryqëzohen,” gjë që ndodh kur sistemet e dallgëve takohen ose kur erërat ndryshojnë papritur drejtimin, siç ndodh gjatë një uragani. Sa më të shpërndara të jenë drejtimet e këtyre dallgëve, aq më të mëdha mund të bëhen.
Dr. Sam Draycott, Lektor i Lartë në Inxhinierinë e Oqeaneve në Universitetin e Mançesterit, tha se “ne tregojmë se në këto kushte drejtimi, dallgët mund të tejkalojnë shumë kufirin e sipërm të zakonshëm përpara se të thyhen. Ndryshe nga dallgët njëdrejtimore (2D), dallgët shumëdrejtimore mund të bëhen dyfish më të mëdha përpara se të thyhen”.
Karakteristikat aktuale të dizajnit dhe sigurisë së strukturave detare bazohen në një model standard të dallgëve 2D dhe gjetjet mund të sugjerojnë një rishikim të këtyre strukturave për të marrë parasysh sjelljen më komplekse dhe ekstreme të dallgëve 3D.
Gjetjet gjithashtu mund të ndikojnë në kuptimin tonë themelor të disa proceseve oqeanike.
Projekti pason kërkime të mëparshme, të publikuara në vitin 2018, që për herë të parë rikrijuan dhe studiuan plotësisht dallgën e famshme Draupner në Qendrën Kërkimore për Energjinë Oqeanike FloWave në Universitetin e Edinburgut. Tani, ekipi ka zhvilluar një teknikë të re matjeje të dallgëve 3D për të studiuar më nga afër thyerjen e dallgëve.
Baseni i dallgëve FloWave është një rezervuar rrethor për simulimin e dallgëve dhe rrymave në shumë drejtime, i cili është i përshtatshëm në mënyrë unike për krijimin e dallgëve nga drejtime të shumta.
Dr. Thomas Davey, Oficer Kryesor Eksperimental i FloWave në Universitetin e Edinburgut, tha se “krijimi i kompleksitetit të gjendjeve reale të detit në shkallë laboratorike është thelbësor për misionin e FloWave. Ky punim e çon këtë në një nivel të ri duke përdorur kapacitetet shumëdrejtimore të basenit të dallgëve për të izoluar këto sjellje të rëndësishme të thyerjes së dallgëve”.