E ndërtuar para 430 vjetësh nga një shqiptar, rihapet xhamia “Arnaudija” në Banja Llukë [foto]

E ndërtuar para 430 vjetësh nga një shqiptar, rihapet xhamia “Arnaudija” në Banja Llukë [foto]

Dosier May 07, 2024 - 13:48

Në vitin 1595, Hasan Defterdari, ministër i atëhershëm i Financave i Pashallëkut të Bosnjës, i cili ishte me origjinë shqiptare, kishte ndërtuar një xhami në Banja Llukë.

Për shkak të origjinës së ndërtuesit, banorët e Banja Llukës xhaminë e emëruan “Arnaudija”, shkruan Zeri.info.

Image

Siç raportojnë mediat boshnjake, rindërtimi i Arnaudijës, është i fundit nga 16 xhamitë në Banja Llukë, të cilat ishin shkatërruara gjatë luftës e cila zgjati shtatë vjet.

Xhamia është hapur zyrtarisht më 7 maj, ditën e rrënimit të saj në vitin 1993, kur festohet edhe Dita e Xhamive.

Image

Xhamia "Arnaudija" është ndërtuar në stilin klasik osman dhe i përket llojit të xhamive nënkupolë me portik dhe minare guri 30 metra të lartë.

Image

Muret dhe minarja janë ndërtuar gjatë ndërtimit në shekullin e 16-të nga tufa guri i latuar siç duhet, ndërsa kupola dhe trompa janë bërë me tulla turke.

Në turbet gjenden dy sarkofagë të mbuluar prej druri ku prehen themeluesi i xhamisë Hasan-efendiu dhe gruaja e tij.

Image

Renovimi i kompleksit dhe pastrimi i themelit të Xhamisë Arnaudija filloi në qershor të vitit 2003 dhe gurthemeli për rindërtimin u vendos në vitin 2017. Financuesi më i madh i rindërtimit të Arnaudisë ishte Drejtoria e Vakufit e Republikës së Turqisë.

Kjo xhami është në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Image

Arnaudija është një nga 614 xhamitë që u shkatërruan gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë nga viti 1992 deri në 1995 dhe 307 xhami të tjera u dëmtuan.

Gjatë luftës 353 kisha katolike u shkatërruan ose u dëmtuan, dhe 125 kisha ortodokse u shkatërruan dhe po aq të tjera u dëmtuan. /Zëri

Image
Xhamia "Arnaudija" para shembjes, data e fotos nuk dihet