25 vjet nga Konferenca e Rambujesë
25 vjet më parë, në kështjellën e Rambujesë u diskutua për fatin e Kosovës.
16 përfaqësuesit nga Prishtina udhëtuan drejt vendit në afërsi të Parisit, për të negociuar për herë të parë me palën serbe, me ndërmjetësimin e Grupit të kontaktit.
Delegacioni kosovar përbëhej nga anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes së Bashkuar Demokratike dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nuk shkonin mirë në mes vete.
Por rrugës pengesat për pjesëtarët e UÇK-së ishin të mëdha.
Më 5 shkurt autoritetet serbe nuk lejuan që kosovarët të nisen nga aeroporti i Prishtinës. Ky udhëtim u realizua më 6 shkurt të vitit 1999.
Në fakt, atë ditë arritja e përfaqësuesve të UÇK-së, te dy avionët që bartnin delegacionin kosovar, ishte në pikëpyetje, njofton Klan Kosova.
Megjithatë ekipi u kompletua, ani se qëndrimet brenda tij nuk ishin të njëjta.
16 burrat që kishin në dorë fatin e vendit të tyre, kishin qasje të ndryshme sa i përket procesit.
Pala kosovare pranoi marrëveshjen e propozuar në Rambuje, por jo edhe ajo serbe.
Tashmë radha ishte që ndërhyrja e NATO-s të sillte lirinë, aq shumë të pritur në Kosovë.