Shqiptar Demaçi: Rugova e Demaçi s’kanë qenë armiq, opinioni s’është dashur ta hajë karremin e dashakqinjëve
Dr.Shqiptar Demaçi si asnjëherë më parë, në një rrëfim të rrallë ka folur për njërën nga figurat kyçe të politikës së Kosovës, babin e tij, Adem Demaçin.
Përveç figurës së tij, ai padiskutim dha dhe opinionin e tij lidhur me disa nga çështjet më të rëndësishme të ndodhura gjatë asaj periudhe, ku nuk kishte se si të mungonte edhe diskutimi për marrëdhëniet e Demaçit e Rugovës.
Në pasqyrën e tij për këto dy figura nuk ekziston armiqësia, megjithatë ai vlerëson se ishin palët e tjera ato që “u munduan t’i hedhin benzinë zjarrit”.
“Ka elemente dashakeqëse, sepse ne jemi popull i vogël dhe s’kemi nevojë që të përpëlitemi e të fërkohemi me vetveten, por kemi nevojë që të jemi si dy fije paralele të cilat nuk e pengojnë njëra-tjetrën por që e arrijnë qëllimin e vet ashtu siç e kanë drejtimin. Unë mendoj si Shqiptari, jo si veprimtar politik, mirëpo në atë kohë orientimi paqësor i Lidhjes Demokratike ka qenë konsistent”, u shpreh ai.
Dr.Shqiptari ndër tjera thotë se partia e Demaçit dhe ajo e Rugovës nuk e penguan njëra-tjetrën, përkundrazi “këto njëra-tjetrën e kanë ushqyer dhe ndihmuar duke punuar në dy vijat të cilat kanë funksionuar dhe edhe sot funksionojnë mirë”.
“Ibrahim Rugova e Adem Demaçi nuk ishin armiq, por konsekuentë në qëndrimet e veta. Njëri-tjetrin nuk e kanë penguar, e kanë plotësuar. Opinioni ishte dashtë të jetë i qetë, mos të shqetësohet, sepse shqetësimet vijnë më tepër me ide dashakëqija të cilat përpiqen që këto dy vija paralele t’i përpëlitin, e t’i fërkojnë. Opinioni ishte dashtë që këtë karrem që i servohet nga dashakëqijtë mos ta hajë, secili është përpjekur në mënyrën e vet që ta ndihmojë Kosovën të dalë nga balta ku ka qenë dhe rezultati ka ardhë”, deklaroi Shqiptari./klankosova