Mediumi amerikan shkruan për “fshatin 8500-vjeçar të zbuluar nën liqenin shqiptar që është më i vjetri i njohur në Evropë”

Mediumi amerikan shkruan për “fshatin 8500-vjeçar të zbuluar nën liqenin shqiptar që është më i vjetri i njohur në Evropë”

Dosier August 20, 2023 - 21:04

Shkencëtarët kanë gjetur ndoshta një nga komunitetet më të hershme në Evropë të strehuar pas një fortese nën një nga liqenet më të vjetër në botë.

Dhe këtij zbulimi i ka kushtuar një shkrim të veçantë edhe mediumi amerikan USATODAY, sipas të cilit, zbulimi nën liqenin e Ohrit në fshatin Lin, Shqipëri, konfirmon se vendbanimet në breg të liqenit të rajonit – i cili shtrihet në kufirin malor të Maqedonisë së Veriut – janë shumë më të vjetra sesa pritej nga arkeologët.

Image

Këtë pretendim, ky medium e ka thënë duke cituar Albert Hafner, profesor i arkeologjisë nga Universiteti i Zvicrës, Bern, në një intervistë me universitetin, përcjell Telegrafi.

“Gjetjet e bëra nga arkeologët zviceranë dhe shqiptarë me ndihmën e zhytësve profesionistë tregojnë se Lin shërbeu si një qendër për zhvillimin e bujqësisë, zejtarisë dhe peshkimit rreth 8500 vjet më parë, duke e bërë atë fshatin më të vjetër buzë liqenit të zbuluar deri më sot dhe madje edhe më i vjetër se të ngjashme me ato që gjenden në Italinë jugore dhe në mbarë Evropën”, kujton mediumi amerikan.

Image

Më tej vë në pah USATODAY, deri në gjetjen e projektit EXPLO, vendbanimet më të vjetra të njohura më parë në rajonet e Mesdheut dhe Alpine ishin disa qindra vjet më të reja.

“Hapësirat arkeologjike në liqenet e Ballkanit jugor (Greqi, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut) ofrojnë një mundësi të shkëlqyer për të hetuar arkivat e pasura të ndryshimeve shoqërore dhe mjedisore në djepin e bujqësisë evropiane”, citon mediumi amerikan faqen e internetit të projektit EXPLO.

Në këtë drejtim, mediumi amerikan thekson deklaratën e arkeologut shqiptar Adrian Anastasi i cili tha për AFP se “ndërtimi i fshatit të tyre mbi shtylla ishte një detyrë komplekse, shumë e ndërlikuar, shumë e vështirë dhe është e rëndësishme të kuptojmë pse këta njerëz e bënë këtë zgjedhje”.

Image

Ndryshe, sipas arkeologëve që folën me AFP, do të duhen edhe dy dekada që vendbanimi të eksplorohet dhe studiohet plotësisht dhe të nxirren konkluzionet përfundimtare.