Shtëpia që u shndërrua në spital ushtarak
Në gushtin e sivjetmë po kthehet sërish në fshatin Buzhalë.
Por gushtin që nuk do ta harrojë kurrë është ai i vitit 1998.
Në këtë shtëpi, Ibish Ahmeti mjekoi dhjetëra ushtarë të UÇK-së.
Madje mjeku i luftës nuk e ka harruar as pamjen e dhomës që dikur brenda saj mjekoheshin të plagosurit.
“Kush ka mujt na ka ndihmuar me e meremetu shpejt e shpejt se s’ka pasë as rrymë as ujë, as s’ka qenë e lyme. E kemi përgatitë. E kemi improvizuar si spital ushtarak…Jemi mundu me improvizu një tavolinë apo një shtrat ku i kemi trajtuar të plagosurit”, tregon Ahmeti.
Por, sa ishte e vështirë kryerja e detyrës së mjekut në kohë lufte?
“Mungesat kanë qenë të mëdha. Nuk kemi pasë as aparat rëntgeni as pajisje të duhura për atë kohë. Jemi munduar me lu rolin edhe të ortopedit edhe të kirurgut në mënyra të ndryshme si mjek të luftës”, shprehet Ahmeti.
Por, përpos përjetimeve dhe vështirësive, Ahmeti mban mend edhe një rast gëzimi.
“Ky spital ka fillu punën me 7 gusht të vitit 98. Ka qenë një rast interesant mas gjashtë dite, kësaj familjes bash rojës së spitalit i ka lind djalë mas dy vajzave edhe ne si personal i spitalit ia kemi lënë emrin Dielli. Dielli sot i ka 25 vjet”, tregon ai.
Dyert për ushtarët e UÇK-së i hapi familja Buzhala.
Remzie Buzhala e ka të freskët bisedën kur burri ia kumtoi lajmin se shtëpia e tyre do të shndërrohej në spital ushtarak.
“Erdh burri dhe më tha se duhet me patjetër me lëshu për spital shpinë. Bisedoi edhe me babën e vet edhe me vllaznitë e vet, jemi kon edhe na t’pajtimit edhe na gratë. Jemi familjarizu me ekipin mjekësor, e kemi lëshu dhomën edhe Ibishit – doktorit, kemi ndihmue bashkë këtyre motrave medicinale. Jena betua që deri në fund do të qëndrojmë edhe na edhe burrat e tonë edhe krejt”, tregon Buzhala
E që gjithçka të shkonte mirë, jashtë bënte roje Ramiz Buzhala.
Ky kujton ditën kur forcat serbe rrethuan spitalin ushtarak.
“Kanë qenë në atë shpatin atje lart – janë stacionuar serbët, ndërsa tjerët duke ardhur përpjetë edhe na rrethakun mirëpo fati që ata na kanë gjujtë neve edhe na kemi shpëtu, e kemi prronin qitu afër edhe kemi ikun kemi dalë n’mal anej”, rrëfen ajo.
Familja Buzhala përveç që lëshuan shtëpinë e tyre për spital ushtarak, strehuan mbi 150 refugjatë, duke dhënë kontribut të madh në luftën për çlirimin e vendit./teve1