Agim Çeku si djalë i ri më 1985 në “Zëri” [foto-arkiv]

Agim Çeku si djalë i ri më 1985 në “Zëri” [foto-arkiv]

Dosier October 31, 2021 - 15:55

E përjavshmja e ilustruar “Zëri i Rinisë” i 13 prillit të vitit të largët 1985 kishte në faqen 12 një prezantim për Akademitë Ushtarake të ish-Jugosllavisë.

“Dashuri për profesionin e oficerit” ishte titulli, që pasohej me nëntitullin “Në Akademinë e Ushtrisë Tokësore në Beograd, ku mësimet i ndjek një numër i konsiderueshëm i të rinjve kosovarë, shkollohet kuadri komandues për nevojat e këmbësorisë, njësitë e mekanizuara e të blinduara, artileritke-raketorire, të inxhinierisë, të ndërlidhjeve, të intedanturës, të shërbimit financiar e gjeodet dhe të mbrojtjes biokimike”.

Si “box” i këtij teksti, redaktorët e kohës kishin veçuar një nxënës të akademisë që njihej si shembullor. Bëhej fjalë për Agim Çekun, 23 vjeçari nga Qyshku i Pejës. Ashtu raportohej atëherë, edhepse ditëlindja e tij është 1960, që i bie se ka qenë 25-vjeçar, raporton Zëri.

“Kur erdha në akademi nuk e pata fare vështirë, meqë shpejt iu adaptova qartë çdo gjë. Dashuria e madhe që të bëhem epror më nxiti e më dha vullnet që shokun më të ngushtë ta kem librin - thotë ky djalosh i cili arriti të përfundojë akademinë me shumicën e notave dhjetëshe në indeks, me notë mesatare 9,54”, thuhet në këtë tekst.

Më tej tregohet se asnjë nga kadetët e kombësisë shqiptare nuk e ka arritur atë sukses.

Vite e vite më vonë, Agim Çeku do të ishte një nga emrat kryesorë të luftës në shpërbërje të Jugosllavisë, gjatë luftës në Kroaci. Pas triumfit të kroatëve, Çeku merr pozita të larta ushtarake nga ish-drejtuesi kroat Franjo Tuxhman.

Gjatë betejës "Xhepi i Medakut", në vitin 1993, është plagosur. Më vonë ka marrë pjesë edhe në aksionet më të rëndësishme në Kroaci, siç ishin: "Maslenica", "Vetëtima", "Shtërngata" dhe "Potezi Jugor". Për merita në luftë, Qeveria kroate i ka dhënë disa mirënjohje të rëndësishme. Ndërkohë që në vitin 1996 është emruar Shef i Shtabit të Korpusit të pestë të Armatës Kroate.

Vetëm një muaj para fillimit të bombardimeve të Natos, me 27 shkurt, të vitit 1999, Agim Çeku kthehet në Kosovë. Ndërsa në fillim të prillit emrohet shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ku ishte gjatë tërë kohës së bombardimeve. Me dekret të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Çekut i jepet në shtator, grada e gjenerallejtnantit. Ndërsa dy ditë më vonë emrohet Komandant i TMK-së, ku ishte deri në zgjedhjen në postin e kryeministrit.

Ai bëhet kryeministër i Kosovës pas shkuarjes së Ramush Haradinajt në Hagë dhe largimit nga pozita të Bajram Kosumit.

Në vitin 2008 bëhet kryetar i Partisë Social Demokrate të Kosovës. Në vitin 2011 deri në vitin 2014 rrin si ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Por, ai mbetet posti i fundit politik që ka pasur. Çeku në 2013 provoi të bëhej kryetar i Prishtinës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, pasi kishte aderuar nga PSD-ja në PDK, por pa sukses./Zëri/

Image