Infektuar: 97996
Shëruar: 82064
Vdekur: 1988
Sfondi i demonstratave

Sfondi i demonstratave

Dosier March 17, 2021 - 21:12

Vazhdim nga “Serbët e Kosovës, një popull i vuajtur”

(Fragment nga libri i Muhamet Mustafës “Kapërcimi i vetmisë”, UET Press, Tiranë, 2016)

Image

Si ndodhi 1981-a, cilat ishin pasojat dhe efektet?

Ndonëse pas vitit 1974 jeta shoqëroro-politike zhvillohej në shenjë të një uniteti të udhëheqjes dhe të marrëdhënieve të mira ndërnacionale, nën sipërfaqe pakënaqësia dhe mosbesimi ishin evidente te të dyja palët. Vlerësimet ishin se pakënaqësia buron nga marrëdhëniet e vjetra, nga kohërat e kaluara dhe se me kohë kjo do të dobësohet dhe do të tejkalohet. Po në praktikë do të ndodhë e kundërta: pakënaqësia dhe tensioni në marrëdhëniet ndërnacionale do të thellohet dhe do të zgjerohet gjithnjë e më tepër.

Një sistem shoqëroro-ekonomik, i konsideruar si “vetëqeverisja integrale socialiste”, që përbënte bazën e zgjidhjeve të Kushtetutës ’74, nuk funksiononte në sferën ekonomike, ndërsa në atë politike ishte formalizuar me një diskrepancë tejet të madhe midis normativës dhe reales. Defektet në funksionimin e këtij sistemi shiheshin veçmas në Kosovë. E këtu duhet të afirmohej dhe të funksiononte autonomia më e madhe, e cila për nga koncepcioni kishte krijuar kushte për zhvillimin e funksionimin e Kosovës si një entitet i veçantë me pozitë të barabartë në Federatë, po me probleme me Serbinë.

Periudha pas vitit 1978 koinçidon me ngecjen në tempin e zhvillimit të tërë Jugosllavisë e veçmas të Kosovës. Ashpërsohen problemet sociale-ekonomike, të cilat marrin ngjyrë nacionale dhe në secilën anë interpretohen si rrezikim i etnosit vetjak. Politika e proklamuar mbi barazinë e plotë nacionale në të gjitha aspektet e jetës dhe të punës haste pengesa për t’u realizuar edhe për shkak të rritjes joadekuate ekonomike, dobësive në qeverisje dhe e gjithë kjo po e kufizonte objektivisht hapësirën e sendërtimit të kësaj politike.

Në periudhën 1976-1980 norma e shtimit të produktit shoqëror (një variant i GDP-së) do të bjerë më tepër se përgjysmë, prej 7,4% në periudhën 1971-1975, në 3,5% në periudhën 1976-1980. Në të njëjtën kohë norma e investimeve rritet, por efikasiteti i tyre zvogëlohet për më tepër se dy herë e gjysmë.

Në këtë periudhë fillon një cikët frontal i investimeve në disa objekte të mëdha infrastrukturore dhe në degët primare-bazike: TC “Kosova B”, shkritorja dhe rafineria e plumbit dhe zinkut në “Trepçë”, “Feronikeli”, hidrosistemi “Ibër” dhe “Radoniq”, zgjerimi i mihjes sipërfaqësore në Bellaqevc. Këto objekte do të gëlltisin pjesën më të madhe të mjeteve të parapara për investime. Nga ana tjetër, për shkak të menaxhimit të dobët afati i ndërtimit të tyre do të tejkalohet dhe edhe në kushtet e inflacionit investimet në këto objekte do të tejkalojnë vlerën e tyre të parallogaritur prej 3-5 herë. Me këto projekte fare pak njerëz do të hyjnë në punë për shkak të natyrës së tyre intensive të kapitalit. Ishte kjo një ndër gabimet e mëdha në politikën zhvillimore dhe ekonomike, jo pse këto objekte nuk duhej ndërtuar fare, por pse ishin filluar përnjëherë dhe ndërtimi i tyre ishte udhëhequr tejet dobët, pasi tejkalonte kapacitete absorbuese, qeverisëse, financiare dhe menaxheriale. Mjetet e Fondit Federativ për kreditimin e entiteteve federative që konsideroheshin ekonomikisht jo mjaft të zhvilluara ishin angazhuar kryesisht në objektet e përmendura. Akumulimi (burimet vetjake për investime) i ndërmarrjeve të tjera ishte fare simbolik, investimet në degët përpunuese të industrisë dhe në veprimtaritë tjera, ku do të mundë të hapeshin më shumë vende të punës, ishin simbolike. Ndaj gjithnjë e më shumë shprehet kriza për vende të punës. Nga ana tjetër, afarizmi i ndërmarrjeve në sferën e ndërtimtarisë, industrisë kimike, në bujqësi ishte i ngarkuar me humbje dhe të ardhura të vogla personale. I gjithë ky konfiguracion e rriste tensionin në sferën sociale gjithnjë e më shumë.

Ritmi i zhvillimit ishte i atillë sa në vend që të zvogëloheshin diferencat e zhvillimit midis Kosovës dhe mesatares së vendit, ato thelloheshin. Pakënaqësia rritej. Rritej pakënaqësia e shqiptarëve përse pjesëmarrja e tyre në jetën ekonomike (punësimi, banesat, të ardhurat) ishte ende nën përqindjen e pjesëmarrjes në popullsi në nivel të Kosovës e të mos flasim për mesataren e vendit. Nga ana tjetër, sendërtimi i politikës së barazisë nacionale dhe përmirësimi gradual i pozitës së shqiptarëve interpretohej si rrezikim i pozitës së serbëve, si ngushtim i hapësirës për ta. Këto kundërthënie në vend se të relativizohen, të zbuten, do të ashpërsohen gjithnjë e më shumë.

Selektimi negativ i kundrove udhëheqëse ishte pista tjetër që pengonte. Si pasojë e ndikimit të strukturave politike (posaçërisht LK) në zgjedhjen e tyre, posaçërisht të drejtorëve, ku shpesh kanë pasur ndikim interesat dhe simpatitë personale. Për drejtorët e shumë ndërmarrjeve ishte më e rëndësishme të qëndrojnë mirë me strukturat politike sesa të kenë rezultate në prodhim e zhvillim të ndërmarrjeve, ishte më mirë të jenë të dëgjueshëm sesa kreativë. Prandaj, përgatitja e kuadrove për proceset bashkëkohore të afarizmit ishte në nivel të pakënaqshëm. Kjo ishte posaçërisht aktuale në komunat jo mjaft të zhvilluara (jashtë 7 qendrave), ku jeta ekonomike e sociale ishte tejet e varfër.

Kur kësaj ia shtojmë edhe pozitën e pavolitshme të degëve kryesore të ekonomisë kosovare në sistemin ekonomik të Jugosllavisë, sidomos në atë të çmimeve, në degët kyçe industriale (energjetika, metalet me ngjyra), në ndarjen primare, ishte vite me radhë jo e kënaqshme, gjë që u shpreh negativisht në mundësitë zhvillimore jo vetëm të këtyre degëve, por edhe tërë ekonomisë.

Këto dobësi në situatën eksplozive sociale, si dhe në vëllimet e tensioneve nënsipërfaqësore ndërnacionale fitojnë peshë edhe më të madhe. Ndonëse shumica prej tyre ishin karakteristike edhe për tërë Jugosllavinë, ato në Kosovë do të ngrihen në katrorë si për nga dimensionet, ashtu edhe për nga pasojat.

Mundësitë e kufizuara për gjallërim ekonomik, ngecja në zhvillim, do të përjetohet si kufizim në afrimin nacional, kështu që te një pjesë e popullsisë rritej pakënaqësia si ndaj politikës ekonomike në nivel të shtetit, po ashtu edhe ndaj udhëheqjes së Kosovës. Për një periudhë kjo udhëheqje ishte mjaft energjike dhe kategorike në kërkesat lidhur me masat që duhet marrë në nivel të Federatës, sidomos për vëllimin e mjeteve nga buxheti federativ dhe fondi i Federatës, por jo sa duhet edhe në evitimin e dobësive në Kosovë, në komuna dhe në ndërmarrje. Dimensioni ekonomik i ngjarjeve në Kosovë të shumtën ose injorohet plotësisht, ose shikohet në mënyrë sipërfaqësore. Ky dimension fiton peshë aq më të madhe, sa më i madh të jetë i ndërlidhur komponenti nacional me këtë problem. Begatia e Kosovës me pasuri natyrore nga njëra anë dhe varfëria në anën tjetër nga një pjesë e madhe e popullsisë marrin ngjyrë nacionale dhe kjo ndikon në ngritjen e tensioneve dhe të pakënaqësisë në popull.

Afirmimi nacional ishte përcjellë edhe me zhvillimin e krenarisë kombëtare dhe dhembje për ndarjen e kombit, moskomunikimin normal. Kjo ilustrohet edhe me inserte nga dy ngjarje ato vite. Duhet të ketë qenë diku dhjetor ose nëntor, më 1975-n, kur gjatë Kampionatit Ballkanik të Volejbollit për femra në ndeshjen Shqipëri – Jugosllavi, e gjithë salla sportive, tash “1 Tetori” (atëherë “25 Maji”), e mbushur plot spektatorë me erupsion, po përkrahte Shqipërinë gjatë tërë ndeshjes. Kjo u mor si një incident politik, për të cilin u hap një diskutim, po nuk shkoi shumë larg e u hesht. Në krye të Këshillit Organizativ ishin: kryetari i Kryesisë së Kosovës, Xhavid Nimani dhe kryetari i Prishtinës, ing. Naim Mustafa. Kjo ishte një demonstratë dhe manifestim politik i llojit të vet. Diçka e ngjashme ndodhi edhe kur po kremtohej 20-vjetori i Fakultetit Filozofik. Mysafir ishte edhe Ismail Kadareja. Ishte ulur në rreshtin e parë bashkë me të shoqen, Elenën. Isha shumë afër tij, një rresht prapa, kur dekani e përshëndeti atë, duartrokitjet nuk po ndaleshin assesi, ndoshta zgjatën edhe 10 minuta. Pashë se Elana Kadaresë po i shkonin lotët.

Demonstratat e vitit 1981 pa dyshim ishin produkt edhe i këtyre rrethanave politike ekonomike e sociale në Kosovë. Klasa politike, edhe pse qëndronte fort për mbrojtjen dhe avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës, ishte oportuniste në disa raste, burokratike. Kishte edhe llogaritës politikë, siç ka edhe tash, ata shkonin kah e shihnin më oportune. Prapangelja ekonomike e Kosovës, e nga ana tjetër edhe mungesa e “republikës”, ndonëse, e shikuar “teknikisht”, nuk ishte hendikep i madh në kontekstin kohor, megjithatë në ndërdijen e shqiptarëve paraqiste një mungesë serioze. Edhe gjendja e rëndë e shqiptarëve në Maqedoni përbënte burimin tjetër të pakënaqësisë.

Nga ana tjetër, edhe ndikimi i politikës së Partisë së Punës dhe Enverit dhe aparatit të saj propagandistik përbënte burimin tjetër. Veprimi i grupeve ilegale në një situatë të tillë nuk duhet ta kishte edhe aq të vështirë të mobilizojë aderues e protestues dhe e gjithë kjo kishte krijuar terrenin e përshtatshëm për këto demonstrata. Atëherë i kam konsideruar si të dëmshme, pasi ato sollën në tavolinë, e më vonë edhe në rrugë, përsëri tezat nga “Libri i kaltër”. Pas tyre, jo vetëm në qarqe të ngushta, por të hapura në forume, shtyp dhe media elektronike dhe u vu në pikëpyetje gjithçka që ishte bërë në favor të zhvillimit të Kosovës, kulturës dhe dijes shqiptare. Edhe sot mendoj se në këtë aspekt ato ishin të dëmshme, duke mos u lëshuar në analizën e tyre nga aspektet e ndikimit pozitiv, si p.sh. në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për çështjen e Kosovës dhe pozitën jo të zgjidhur të shqiptarëve në Jugosllavi.

Ka pasur spekulime a thua kush mund të ketë qenë organizatori i vërtetë i tyre. Kam dëgjuar organizatorët e tyre të flasin për rolin e tyre edhe në ditët e vona pas çlirimit të Kosovës. Më herët ka pasur aluzione për rolin e UDB-së ose të KGB-së e çfarë jo tjetër. Ka qenë edhe një film fiksion që projektonte Luftën e Tretë Botërore, ku flaka fillonte të ndizej nga Kosova. Edhe Mahmut Bakalli më duket ka bërë një aluzion te KGB-ja, po diçka konkrete nuk është prezantuar. Atë që kam parë dhe ndier ato ditë e që më duket se mund të thuhet me një siguri mjaft evidente është se shërbimet e sigurimit serb e jugosllav e kanë pritur e ndoshta edhe nxitur me metodat e tyre një zhvillim të tillë të ngjarjeve nëpërmjet një lloj skenari (teknikë kjo e parashikimit të zhvillimit të ngjarjeve të mundshme dhe për ndërtimin e strategjisë ekonomike e politike). Ndryshe edhe nuk mund të shpjegohet shpalosja e menjëhershme e projekteve të gatshme dhe të orkestruara pas marsit të vitit 1981, thuaja në gjithë sektorët e gjithë problemet për të bërë presionin e përditshëm e sistematik, një lloj blitz krigu i luftës speciale, që udhëheqja e Kosovës të futet në defensivë dhe dalëngadalë ta humbë terrenin në luftën për të mbrojtur autonominë domethënëse territoriale. Udhëheqja politike e Kosovës dhe shërbimet e saj të sigurimit nuk kanë zhvilluar dhe paraparë një skenar të tillë, ndonëse në situatën e Kosovës elementet, të cilat i dhashë më lart, kjo do të ishte dashur. Po edhe në situata e periudha të tjera ne shqiptarëve na kanë bërë dhe na bëjnë vaki që të mos jemi të vëmendshëm e sistematikë, që punët i marrim të vonuar dhe të na zënë në befasi zhvillimet historike, duke pagur një kosto të lartë për këtë.

Po nëse nga një distancë kohore analizohet se cili do të ishin skenari i zhvillimit të ngjarjeve pa këto demonstrata? Një skenar do të ishte se Jugosllavia do të qëndronte ashtu dhe ndoshta do të integrohej në Evropë me një lloj konfederalizmi. Skenari tjetër ishte se shpërbërja e Jugosllavisë ishte e pashmangshme për shkak të konflikteve ekonomike e politike dhe për shkak se Serbia si republika më madhe ishte e pakënaqur me pozitën e saj dhe se domosdo do të prodhonte një konflikt. Por nëse në Kosovë do të ishte një udhëheqësi më e fortë, një kuvend që nuk do të aprovonte ndryshimet kushtetuese të marsit të vitit 1989, çfarë do të ndodhte? Ndoshta lufta do të fillonte në Kosovë në vend se në Slloveni e më tutje kjo do të ishte më keq ndoshta, e ndoshta edhe Milosheviqi nuk do të kishte sukses dhe Kosova do ta priste shkatërrimin e Jugosllavisë me strukturën e saj institucionale. Ka shumë spekulime tash… të tipit çka nëse…

Efekti i demonstratave 1981 ishte dobësim i pozitës politike të Kosovës në Jugosllavi, dobësim i pozitës së kuadrove me një taban më të fortë kombëtar në strukturat politike që kulmuan me përjashtimin e tyre gradual dhe revidimin e Kushtetues dhe abrogimin e autonomisë në mars të vitit 1989. Efekti pozitiv ishte se ato domosdo krijuan një homgjenizim më të madh nacional si përgjigje ndaj sulmeve serbe, që ishin të mirëseardhura për ato që i përjetoi Kosova pas vitit 1990 dhe i kontribuuan ndërkombëtarizimit të problemit të Kosovës, edhe pse edhe më herët shtypi botëror pati filluar të merrej shumë me Kosovën. Po ajo që shpëtoi Kosovën dhe shqiptarët në të në fakt ishin ndryshimet gjeopolitike, kolapsi i komunizmit, shthurja e Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik dhe me këtë dobësimi i pozitës së Rusisë në vijim e me këtë edhe i Serbisë. Nuk jam i sigurt nëse këtë e kanë projektuar organizatorët e këtyre demonstratave. Përndryshe, pa këto ndryshime globale skenari i zhvillimit të ngjarjeve pas 1981-s në Kosovë ka mundur të jetë më i errtë, bile një skenar shumë i errtë dhe një vuajtje e rëndë në vetmi.

FUND