1981

1981

Dosier March 11, 2021 - 18:29

(Fragment nga libri i Muhamet Mustafës “Kapërcimi i Vetmisë”, UET Press, Tiranë, 2016)

Image

Sapo kishte rënë muzgu kur, më 11 mars 1981, më mori në telefon axha Nazmi.

- Mora vesh se studentët janë ngritur në demonstrata te Qendra e Studentëve, nuk duan të hyjnë brenda, janë nisur dhe po defilojnë kah qyteti. Po kërkojnë kushte më të mira...

Ç'është e vërteta, kushtet atje edhe nuk ishin të mira. Ne kishim vizituar njëherë gjithë konviktet dhe mensën e studentëve përgjatë një dite, kur isha kryetar rinie me Fatosin. Kishim biseduar me studentë dhe udhëheqësinë e Qendrës dhe vërejtëm shumë probleme: mungesë të ujit të ngrohtë, papastërti, probleme të herëpashershme me ngrohje, ndonjëherë edhe cilësia e dobët e ushqimit. Bëmë një raport për këtë situatë, duke e cilësuar si një burim potencial të pakënaqësive me mundësi eskalimi. Kërkuam që kjo të evitohet, por ne të dy kishim ndërruar punën dhe nuk e dija se çfarë ishte ndërmarrë për t’i evituar ato probleme. Kur po me fliste Nazmiu së pari me shkoi mendja te këto kushte jo të mira. Menjëherë pas tij më thirri Mahmut Bakalli.

- Eja, tha, të lutem, edhe pse tash nuk je më në rini, ty të njohim dhe ke autoritet tek ata. Shko te studentët protestues dhe bisedo, shiko çfarë duan.

Më porosiste që disi të futen brenda dhe të diskutojmë pa problem për gjithë kërkesat e tyre.

- Vetëm le të hyjnë brenda, - sikur po më lutej ai.

Dola dhe i zura para Komitetit duke marshuar në drejtim të hotelit “Grand” dhe bashkë me ta po bënim rrugën përsëri kah oborri i Qendrës së Studentëve. Pashë se edhe Azemi ishte pak para meje në rresht. Kishte edhe të tjerë. Duke ecur ashtu askush nuk i jepte ndonjë konotacion politik kësaj proteste. Shtroheshin vetëm problemet e nduarnduarshme, që ata kishin në jetën e studentëve. Kur arritëm tek oborri i Qendrës, mu aty ku është hyrja në restorantin qendror, fillova të zhvilloj një dialog pak më serioz me ta. U thashë se kishin të drejtë sa u përket kushteve, se edhe vetë i kisha parë të tilla dhe se e kuptonim këtë shqetësim. Tash do të duhej përfunduar me protestën dhe i ftova të hynim në një sallë e të diskutojmë dhe t’i zgjedhim problemet. E pashë se kjo nuk bëri kurrfarë ndikimi që ata të ndryshojnë qëndrimin, ose bile së paku të luhateshin. Atëherë thashë jo pa nervozë:

- Nuk po ju kuptoj çfarë doni në të vërtetë?

Në heshtjen që mbretëroi, njëri nga ata, nuk di kush ishte, as nuk kam tentuar ta kuptoj, m’u afrua te veshi dhe tha:

- “Ne duam Republikë!”.

Në atë çast nuk reagova. Nuk ishte se nuk e doja këtë kërkesë, po e dija vështirësinë e arritjes së saj. Edhe nuk e mora aq serioze. Megjithatë në ndërdije e mora këtë si një nder dhe besim të tij ndaj meje dhe kjo që tha ai student mbeti tek unë brenda. Nëse është diku ai student, kam qejf ta takoj. Nuk kishte se si të më vinte keq për këtë kërkesë, por mendoja se me demonstrata dhe trazira nuk po bëhej mirë dhe se kjo do të ishte e dëmshme për proceset në Kosovë. Nuk komentova asgjë, nuk më kujtohet se si kam vazhduar të flas me ta, por kam kërkuar që ta ndërpresin demonstratën dhe dialogun ta vazhdojmë brenda. Atë që më tha ai, që duhet të ketë qenë ndonjë nga organizatorët, e mbajta për vete, nuk i fola askujt për këtë gjatë gjithë kohës deri në ditët e pasluftës. Vazhdova t’i bind ta ndërpresin protestën dhe kur e pashë se kjo nuk po aprovohej, aty kah ora dy e mëngjesit shkova në shtëpi. Studentët mbeten që të gjithë në oborrin e Qendrës, poshtë në rrugën “Ramiz Sadiku”, përballë Bibliotekës, ishte vënë policia në gatishmëri që të mos lejonte edhe një defile tjetër nëpër qytet në ato orë të vona pas mesnate. Nuk munda të definoj tërësisht kontekstin e demonstratës, por ajo që m’u tha në vesh dhe veprimi i grupeve që punonin ilegalisht me bënte të frikësohesha për konotacionin politik dhe për pasojat që kjo do të kishte, tash kur mezi kishim mbyllur konfliktin me “Librin e kaltër” me Serbinë, për sulmet që do t’i bëheshin udhëheqësisë shqiptare të Kosovës se nuk po e kontrollon dot nacionalizmin, ose edhe se po e ushqen atë vetë. Dikur vonë studentët kishin tentuar edhe një herë të lëviznin kah qyteti, por policia kishte intervenuar me gaz lotsjellës dhe ata ishin shpërndarë. Më duket se disa ishin marrë në burg, por edhe ata ishin liruar më vonë.

Menjëherë të nesërmen u mblodh me urgjencë Komiteti Krahinor i LK-së për të shqyrtuar situatën. U paraqit një informatë mbi rrjedhën e ngjarjeve dhe foli Mahmut Bakalli. Ai e vlerësoi se protesta kishte karakter më shumë social se politik, por nuk përjashtoi mundësinë që edhe grupe të caktuara të infiltroheshin dhe ta destabilizonin situatën politike. U kërkua që të shtohet aktiviteti për parandalimin e eskalimit me mjete politike dhe aktivitet të shtuar politik. Njeri nga anëtarët e rinj të këtij forumi politik tha se kërkesat për kushtet janë vetëm një paravan, por në esencë këtu kemi të bëjmë me veprim nga platforma e nacionalizmit dhe iridentizmit shqiptar. M’u duk i pavend nxitimi i tij për të bërë vlerësime. Mahmuti e shikoi në atë mënyrë si t’i thoshte: “thua se nuk e dimë ne këtë”. Me duket se pati edhe një ose dy diskutime nga anëtarët serbë që i binin telit të nacionalizmit dhe iridentizmit, por mbledhja nuk zgjati shumë. Gjithçka u përfundua pas dy-tri diskutimesh dhe me aprovimin e rekomandimeve që të forcohet aktiviteti në universitet për të analizuar situatën dhe ndërmarrë masa për ruajtjen e stabilitetit politik.

Mirëpo asgjë nuk shkoi sipas rekomandimeve dhe kërkesave të kësaj mbledhjeje. Tubimi vijues i demonstruesve ndodhi pas disa ditësh përsëri në oborrin e Qendrës Studentore. U tubua një numër edhe më i madh. Shkuan t’u flisnin rektori Gazmend Zajmi, zëvendëskryeministri Pajazit Nushi, pedagogë universiteti dhe, më duket, nga strukturat politike edhe Azem Vllasi. Ata raportuan se biseda kishte qenë shumë e vështirë, demonstruesit nuk kishin pranuar asgjë nga ajo çfarë kishin thënë rektori dhe zëvendëskryeministri, nuk ishin shpërndarë dhe, ndryshe nga 11 marsi, kishin hedhur parulla mbi pabarazinë e Kosovës, sidomos në aspektin ekonomik (“‘Trepça’ punon, Beogradi ndërtohet”) dhe të tjera të ngjashme, nuk jam i sigurt se në këtë rast ose në ditët në vijim ishte shpalosur edhe parulla “Kosova Republikë”, e shoqëruar edhe me togun “Republikë - Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë”. Kjo po tregonte se gjendja po ndërlikohej dhe se po bëhej tejet serioze. Më duket se pas kësaj ngjarjeje disa nga organizatorët janë burgosur përsëri dhe kjo kishte acaruar edhe më shumë studentët, duke u shprehur edhe kjo me parullën “Duam shokët”. Masa e demonstruesve u zmadhua shumë në ditët në vijim për të arritur një kulminacion më 25 mars. Atë ditë, në orën 14:00, te teatri do të mbahej një miting qendror me rastin e ardhjes së stafetës së Titos në Prishtinë. Organizatorët e demonstratave po synonin që të bashkoheshin me pjesëmarrësit në miting dhe ta pengonin manifestimin. Andaj përreth Qendrës së Studentëve ishin vënë forcat policore që të bllokonin lëvizjen e demonstruesve kah qendra e qytetit dhe ardhjen e tyre te vendi ku mbahej mitingu. Policia e Kosovës kishte qenë shumë e kujdesshme në përdorimin e forcës kundër demonstruesve, andaj udhëheqësia e policisë dhe udhëheqësia politike u gjendën në një moment delikat. Për një moment ata nuk guxuan të pranojnë një rrezik, që edhe më tutje të refuzonin ndihmën e Njësisë Speciale të Policisë Federative, e cila po priste në Kurshumli, në Serbi, nja 20 kilometra nga kufiri Kosovë - Serbi, për dy ditë pëlqimin e udhëheqjes së Kosovës për të hyrë në Kosovë e për të marrë pjesë në shpërndarjen e demonstruesve. Ai pëlqim u dha dhe pas një ore e gjysmë ata hynë në Qendrën e Studentëve me një intervenim të egër tejet brutal, duke ushtruar dhunë ndaj protestuesve, por edhe studentëve që ishin në dhomat e tyre, vajzave e djemve, flitej edhe për dhunë brutale ndaj vajzave. Demonstratat u ndërprenë, protestuesit u shpërndanë dhe konviktet u zbrazën. U krijua një situatë e nderë, pezmi u rrit në gjithë popullatën për këtë intervenim. Ne mbetem të zënë, të mbërthyer midis demonstruesve që nuk donin dialog dhe midis intervenimit brutal të Policisë Federative, e përberë në pjesën dërrmuese nga serbët, e cila i kishte ikur edhe kontrollit dhe komandës së policisë së Kosovës, ndonëse ajo duhet të vepronte nën komandën e policisë së Kosovës. Pati raste edhe të konflikteve midis policëve të Kosovës dhe pjesëtarëve të asaj njësie, disa raste sporadike të masave ndaj tyre nga eprorët e policisë së Kosovës, por në thelb ata vepronin krye në vete dhe përplot me armiqësi ndaj qytetarëve të Prishtinës e edhe policisë së Kosovës. U morën në izolim të përkohshëm disa nga ish të dënuarit politikë.

Një ditë a dy pas intervenimeve brutale dhe sjelljes vandale nëpër qytet të policëve federativë, gjatë ditëve në vijim u tubua aktivi politik i universitetit. Derisa po hynim në atë mbledhje takova profesor Fehmi Aganin. Ai ishte shumë i revoltuar për intervenimet e policisë në Qendrën e Studentëve, për sjelljen e tyre brenda kampusit, e kishte prekur edhe një fjalim i ashpër i Asllanit ndaj demonstratave dhe gati ishte jashtë kontrollit, profesori që njihej gjithmonë për një gjykim të ftohtë dhe racional. Tha se do të diskutojë shumë ashpër. E luta që ai të mos diskutojë sidomos në tonin që po fliste me mua. I thashë se na duhej brenda në luftën që duhet ta bëjmë brenda institucioneve dhe jo jashtë tyre. Thashë se disa mezi presin që të paraqitet kështu dhe e luta që edhe nëse diskuton të ishte i matur. Nuk pashë ndonjë ndikim të asaj që thashë tek ai. I thashë edhe Gazmendit për këtë dhe e luta të ndikojë për një diskurs tjetër. Mbledhja filloi me raportin gjakftohtë dhe të balancuar të sekretarit të LK-së të universitetit, Ragip Halili, që gjykonte demonstratat, por edhe intervenimin jashtë suazave dhe ligjit. Fehmiu mori fjalën ndër të parët me diskutim shumë të ashpër. Dushkoja, që ishte aty, bënte me kokë kinse aprovonte atë që thoshte dhe kisha përshtypjen se kënaqësia e tij rritej proporcionalisht me ashpërsinë e diskutimit brenda në sallë. Si duket i shkonte sipas planit. Në mbledhjet që mbaheshin në universitet shumica e profesorëve nuk nxirrnin fjalë gjykimi për demonstratat, ishin në favor të qetësimit të situatës. Hezitonin të deklaroheshin, kishin marrë një diskurs oportunist, as-as. Disa rrallë sikur i përkrahin demonstratat, duke gjykuar intervenimin policor e disa që donin të përfitonin gjykonin vetëm demonstratat. Profesorët e nacionalitetit serb e malazez filluan të egërsohen dhe të sulmojnë kursin politik në Kosovë dhe të kërkojnë kreun e nacionalizmit te kolegët e tyre. Situata po ziente atë javë të rëndë, popullata ishte e mllefosur. Kishte protesta aty këtu brenda universitetit dhe shkollave të mesme. Shumë nga ne kishim marrë rolin e zjarrfikësit dhe ishim të lumtur kur ndonjë ditë atë javë nuk kishte pasur manifestime jashtë shkollave. Atë ditë kur nuk kishte demonstrata ne ishim më të disponuar, po aq sa dukej se ishin të zhgënjyer kolegët tanë serbë e malazezë. Ata ngryseshin. Vërehej qartë se pjesa më e madhe tyre kishin qenë shumë të mllefosur me ndryshimet në Kosovë, se asnjëherë nuk e kishin pranuar sinqerisht afirmimin e barazinë më të madhe të shqiptarëve. Demonstratat ata po i shikonin si një shans që proceset të marrin kahje tjetër, sepse kështu gjoja dokumentohej se ishte tepruar me të drejta e liri për shqiptarët e që tash me demonstratat gjoja po dokumentohej. Ne këtë e dinim fare mirë, e dinim se do të paraqitej ky diskurs dhe se këtë do të mundoheshin ta shfrytëzojnë për të ndërruar kursin në Kosovë. Pakënaqësia sa vinte shtohej, nuk po arrinim ta qetësonim situatën. Intervenimi dhe sjellja e policëve nga radha speciale federative dhe zgjerimi i thashethemeve po shpinte kah eksplodimi i revoltës. Në njërën nga ato ditë, kur po me merrte në shtëpi, shoferi im i ri Feriz Gajtani, derisa po hipja në veturë, ende pa u ulur mirë, po me thoshte:

- Drejtor, a ndjeve çfarë e zezëdite ka ndodhur, i kanë vrarë Shkurten (Fejza) dhe Shyhreten (Behluli)

- Jo more Feriz, i thashë, kjo nuk duhet të jetë e vërtetë.

Shkurtja dhe Shyhretja ishin afirmuar me këngët e zjarrta patriotike, ishin shumë të popullarizuara dhe kishin shumë admirues. E vërtetova shpejt se fatmirësisht lajmi që kishte marrë Ferizi nuk ishte i saktë. Po shkonim në drejtim të Shkollës Normale, ku sot është AUK-u. Një grup nxënësish ishin nisur të vinin drejt qendrës, u dola përpara, ishin me disa nga profesorët, u fola për rrezikun dhe i luta që të kthehen në mësim. Një nxënëse, më duket që po e shoh edhe sot, e revoltuar jashtë mase, filloi të më sulmonte me një fjalor të ashpër.

- Largohu thoshte, nuk i dëgjojmë ne tradhtarët, ju jeni tradhtarë.

E pata ruajtur gjakftohtësinë disi. Ky ishte sulmi i vetëm që kam pasur deri atë ditë dhe edhe më vonë nga demonstruesit. Si ta gjykoja një vajzë aq të re, me pëlqente guximi i saj, e kuptoja se ajo ishte revoltuar dhe nuk mund të shihte gjithë kontekstin, por frikohesha se nga po shkojmë. Arsimtarët që ishin me nxënës e qetësuan situatën dhe ai grup u kthye në mësim. U ktheva dhe u ndala në Shkollën Teknike. Kur hyra në sallën e arsimtarëve gjeta një numër arsimtarësh dhe drejtorin, por aty nuk ishte asnjë nxënës.

Ku janë nxënësit? - i pyeta.

Kanë dalë në demonstratë – thanë.

E ju çfarë bëni këtu, çfarë bëni ju këtu kur nuk keni asnjë nxënës në shkollë?

E çfarë të bëjmë ne? - reaguan ata.

Ju duhet të jeni me nxënës, ose këtu në shkollë, ose atje, duhet ju t’i udhëhiqni ata dhe t’i mbroni. Si mund të qëndroni këtu?

Isha shumë i ashpër, disa më dhanë të drejtë e disa filluan me një demagogji kuazipatriotike. Isha tejet i zhgënjyer me mënyrën sesi ata po silleshin dhe me qyqarllëkun e tyre. Në shumë pjesë qyteti po vlonte, qytetarët po u bashkoheshin demonstratave dhe disa nuk dinin kah t’ia mbanin, brengoseshin vetëm për veten e tyre. Kisha një ndjenjë tejet të keqe. Edhe në qytetet e tjera situata po dilte nga kontrolli dhe më 1 e 2 prill thuaja se e tërë Kosova u ngrit. Protestat e demonstratat me parullat, që i thashë më lart dhe tani jo vetëm studentët e nxënësit, por edhe punëtorët dhe minatorët dhe në përgjithësi qytetarët. Ne nuk lejojmë të rrihen dhe maltretohen fëmijët tanë! Ne u dalim zot fëmijëve tanë, thoshin ata, e këtu shquheshin sidomos punëtorët e kombinatit ndërtimor “Ramiz Sadiku”. Ata kishin marrë mjete të punës, lopata e të ngjashme dhe kishin dalë në demonstrata. Ne edhe më tutje ishim midis demonstruesve, duke u përpjekur të ndikonin në qetësimin e situatës. Në një moment masa u elektrizua, duke thirrur: “kërkojmë shokët”, duke aluduar në lirimin e të burgosurve. Një pjesë e demonstruesve u drejtuan kah burgu, por aty pashë një reagim të shpejtë të një të ish të burgosuri politik, Shemsi Hoxhës, të cilin e njihja, që nuk i lejoi demonstruesit të shkojnë atje, duke e ditur për pasojat tragjike. Në mesin e demonstruesve gjeja shumë të njohur dhe të familjes, gati asnjëri nuk dëgjonte këshillën time se duhet të shpërndaheshin. Haxhi Isaku (Bytyqi), i vjehrri i motrës, m‘u përgjigj: “Ne po kërkojmë të drejta, kjo është demokraci”, më thoshte. Kur po bisedoja me një grup tjetër, aty u ndesha me Hamdi Gërvallën dhe i thashë se situata ishte e rrezikshme dhe duhej të ndikonte që tashmë masa të shpërndahej. Ai nuk kundërshtoi, por as nuk veproi. Pas kësaj ai qe plagosur në dorë, kur kishte tentuar t’ia kthente një gazsjellës të paplasur policisë, ishte kapur dhe ishte burgosur. Më kishte dhënë mua dëshmitar se ai kishte ndikuar në qetësimin e situatës. Gjykatësi më thirri, me keqardhje, me tha, por duhet ta japësh deklaratën. Shkova me përtesë, thashë se e kam parë, pasi unë kam kërkuar të shpërndahen, ai është larguar dhe pastaj nuk e kam parë më. Duket se ai gjykatës, burrë i mirë, këtë e kishte marrë për bazë për ta liruar nga akuza dhe ai, Hamdiu (Gërvalla), gjithnjë më falënderon, sa herë që më takon. Më 1 prill e gjithë rruga (sot
“Nëna Terezë”) prej Kuvendit dhe hotelit “Grand” ishte e mbushur përplot demonstrues. Koncentrimi ishte i madh, sidomos para Komitetit Krahinor, ku tash është Ministria e Kulturës. Nga brendësia e ndërtesës po e dëgjoja një fjalim nga një demonstrues i hipur në një nga drunjtë blini (të Hydajet Hysenit, emrin do ta mësojmë më vonë). Afër meje po shikonte edhe Predrag Cuckiq, funksionar nga Gjilani.

- A e sheh çfarë na ndodhi, mu para Komitetit po lejojmë këtë shfaqje, sikur të mos kishim shtet, as polici.

- Po, thashë, çfarë do të bëje ti përderisa ata nuk janë të dhunshëm? Do t’i mbysje? Kudo në botë ka demonstrata, shfaqen dhe përfundojnë.

- Jo, tha, nuk e ke mirë, ky është dështim i shtetit.

Donte të thoshte është dështim i institucioneve dhe udhëheqjes së Kosovës.

(Vazhdon nesër)