Xhavid Nimani: Dëshmi për një epokë, 1945 -1981 (IX)

Xhavid Nimani: Dëshmi për një epokë, 1945 -1981 (IX)

Dosier February 22, 2021 - 09:05

Serbia vazhdimisht na kritikonte për bashkëpunimin me Shqipërinë

Prof. dr. Agim Zogaj

Pra, edhe para vitit 1981, relacionet midis Kosovës dhe Serbisë ishin mjaft delikate dhe jorrallë edhe me përplasje midis udhëheqjeve

Përse e kritikova Dollancin?

Nimani: Gjithsesi, raportet e udhëheqjes së Kosovës me atë të Serbisë, pra edhe pas rënies së Rankovivqit, 1966, edhe pas vitit 1968, pra edhe pas vitit 1974, ishin të tensionuara. Në fund të viteve ’70 edhe republikat e zhvilluara të ish-Jugosllavisë, pra duke e përkrahur edhe Serbinë, vazhdimisht bënin presion të madh që ta zvogëlonin kontributin financiar ekonomik që e jepnin për Fondin për viset e pazhvilluara. Udhëheqjen e Kosovës e kritikonte edhe Serbia, por edhe disa republika të tjera më të zhvilluara, sikur kemi kërkesa joreale për rritjen e buxhetit, për marrjen e buxhetit nga Fondi përkatës. Madje, disa udhëheqës të atëhershëm serbë, maqedonas e malazezë, aty-këtu edhe sllovenë, na kritikonin ne udhëheqjen e Kosovës se nuk po ndërmerrnim masa edukative dhe administrative për zvogëlimin e natalitetit. Nga disa republika kërkohej me këmbëngulje që të marrim masa administrative. Kjo kërkesë dhe ky presion ne na bëhej në nivel jugosllav, sidomos i shtyrë nga Serbia, në kohën kur pikërisht në ato republika, pra edhe në vetë Serbinë, shteti ndërmerrte masa administrative për stimulimin e lindjes së fëmijëve, rritjes së natalitetit. Në Serbi dhe në Maqedoni ndërkaq kërkesa për masa administrative, pra për zvogëlim të natalitetit të shqiptarëve, nuk kishte vetëm karakter ekonomik, por thjesht politik. Në këtë kuptim ne si udhëheqje e Kosovës, në radhë të parë unë si kryetar i Kosovës, Fadili, Mahmuti, kishim pasur debate të vështira rreth problemeve të zhvillimit ekonomik, debate të cilat i kishim zhvilluar në nivel federativ në Kuvendin e Jugosllavisë, pastaj në mbledhjet e Kryesisë të Komitetit Qendrorë të LKJ-së, në Kryesinë e Jugosllavisë, në Kryesinë e Serbisë, në mbledhjet e Këshillit Ekzekutiv Federativ. Udhëheqja e Serbisë, po ashtu, e përkrahur nga përfaqësuesit maqedonas, malazezë, besa edhe sllovenë, na akuzonte se jemi shumë tolerantë ndaj veprimtarisë së grupeve ilegale atdhetare shqiptare. Në vitin 1979, me rastin e vizitës së Titos në Kosovë, nëpër mbarë Kosovën u shpërndanë, të shkruara, parulla, pamflete kundër regjimit serb/jugosllav dhe kundër vetë Titos. Pasi Titoja u kthye nga Kosova, filloi zbulimi dhe arrestimi i organizatorëve të asaj veprimtarie ilegale. Çështja, sidomos me presionin e Serbisë, u bë shumë e madhe, madje edhe shtypi perëndimor shkroi gjerësisht për ngjarjen, arrestimet, burgosjet e shqiptarëve. Janë edhe shkrimet e shtypit perëndimor, janë sigurisht edhe arkivat dhe procesverbalet nga mbledhjet e niveleve më të larta, deri në Kryesinë e Jugosllavisë lidhur me çështjen. Ç’është e vërteta, ne si udhëheqje e Kosovës insistonim që numri i atyre të cilët do të dilnin para bankës së të akuzuarve të jetë sa më i vogël, edhe për arsye se nuk donim që para botës t’i jepnim publicitet atij procesi gjyqësor. Serbia, në të gjitha takimet e nivelit republikan dhe federativ, insistonte që sa më shumë shqiptarë të arrestuar të dilnin në bankën e të akuzuarve. Pas shumë mbledhjeve, sikur në nivele politike, ashtu edhe me strukturat e sigurisë, gjithsesi edhe me qëndrimin përfundimtar të Titos, numri i të akuzuarve, pra atyre shqiptarë të cilët për shkak të asaj veprimtarie kundërligjore u përfshinë në listën e të akuzuarve dhe të dënuarve, u zbrit maksimalisht dhe me sa më kujtohet ra në afro 70 persona.

Pra në raportet me udhëheqjen e Serbisë debatet shkonin deri në konfrontim dhe konflikt të thellë politik. Në këtë kontekst e përmenda fjalën, të cilën e kishte mbajtur udhëheqësi i lartë jugosllav, Stane Dollanc, në kursin e mbrojtjes për funksionarët politikë në Beograd, në të cilën fjalë ai na kishte akuzuar rëndë neve - udhëheqjen e Kosovës, por ne nuk ndiheshim inferiorë në raport as me udhëheqësit e Serbisë dhe as të ndonjë republike tjetër. Ne nga udhëheqësit e Maqedonisë vazhdimisht jemi akuzuar për paternalizëm në raport me vëllezërit tanë në Maqedoni. Ne jo vetëm që interesoheshim që shqiptarët e Maqedonisë të shkolloheshin në Kosovë, por madje në nivele të caktuara edhe kritikonim qasjen nacionaliste antishqiptare të udhëheqësve maqedonas, si në raport me liritë dhe të drejtat e pakicës shqiptare, përdorimin e flamurit kombëtar, shkollimin në gjuhën amtare, diskriminimin e hapur në punësim etj.

Pra, pasi u ktheva në Kosovë, në mbledhjen e Kryesisë së Kosovës e kritikuam ashpër fjalën e Stane Dollancit. Në të njëjtën kohë, meqë ishim të pakënaqur me ndarjen e buxhetit federativ, pra edhe për Kosovën për vitin buxhetor 1980, ne si Kryesi e Kosovës së bashku edhe me Kryesinë e Komitetit Krahinor të LK-së të Kosovës reaguam me shkrim kundër vendimit të Qeverisë federative për ndarjen e buxhetit. Pasi e kishin marrë letrën tonë zyrtare, Cvijetin Mijatoviq - kryesuesi i Kryesisë së RSFJ-së dhe Llazar Mojsovi, kryetari i Kryesisë së KQ-së të LKJ-së, insistuan që ne ta tërhiqnim shkresën tonë zyrtare, çështje të cilën ne nuk e bëmë, por në shenjë hakmarrjeje letra jonë nuk u shqyrtua në asnjërën nga kryesitë shtetërore.

Udhëheqja e Kosovës thuajse edhe para vitit 1981 ishte kritikuar për bashkëpunimin me Shqipërinë, ndonëse ai bashkëpunim ishte zyrtar, legal…

Na kritikuan për shënimin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit

Nimani: Bashkëpunimi i Kosovës me Shqipërinë ishte politikë jona konsistente dhe e vendosur, pas Plenumit të IV të Brioneve, pra pas rënies së Rankoviqit nga pushteti. Ai bashkëpunim ishte edhe në frymën e politikës së jashtme të ish-Federatës jugosllave, për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore me Shqipërinë. Natyrisht, faktori kryesor i përparimit të atij bashkëpunimi ishte populli i Kosovës. Në atë bashkëpunim në veçanti në rrafshin kulturor dhe arsimor ne (Kosova) ishim faktorë krijues. Por udhëheqjes së Serbisë, Maqedonisë, nuk u konvenonte ai bashkëpunim me Shqipërinë, prandaj ata sa herë që kishin mundësi, rast, na kritikonin. Ambasada e Jugosllavisë në Tiranë, sidomos në kohën kur ambasador ishte maqedonasi Lipkovski, nuk ka luajtur rol afirmativ, konstruktiv.

E kujtoj një mbledhje, e mbajtur në gjysmën e dytë të vitit 1980, në Shkup, ku morën pjesë kryetarët e republikave dhe të krahinave, pastaj anëtarët e Kryesisë së Jugosllavisë: Llazar Kolishevski, Vidoje Zharkoviqi, Josip Vrhoveci, sekretar i Punëve të Jashtme dhe sekretarët e punëve të jashtme të republikave dhe të krahinave. Meqë në rend dite ishte tema e marrëdhënieve me Shqipërinë, në takim mori pjesë edhe ambasadori jugosllav në Tiranë, Lipkovski. Qëndrimi i ambasadorit Lipkovski ishte shumë destruktiv. Për mua fjala e tij nuk ishte befasi, sepse ai dhe ambasada jugosllave në Tiranë vazhdimisht dërgonin analiza, raporte shumë negative për vizitat e shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri.

Ambasada Jugosllave në Tiranë kishte hartuar raporte shumë kritike me rastin e shënimit të 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, edhe pse ai shënim i atij përvjetori kombëtar për popullin tonë ishte lejuar dhe ishte miratuar edhe në Kryesinë e Jugosllavisë, pra edhe me lejen e Titos.

Ambasada Jugosllave në Tiranë, e cila në mënyrë tendencioze dhe shpifëse hartonte raporte, ndër të tjera kishte reaguar ashpër me note zyrtare, në mënyrë shumë të ashpër në lidhje me takimin që profesori dhe ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, z. Hajredin Hoxha, me disa profesorë të Universitetit të Prishtinës gjatë një vizite në Krujë ishin takuar me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun dhe udhëheqësit e tjerë të Shqipërisë. Kishte pasur edhe reagime, shkresa sekrete, të cilat drejtpërdrejt nga Ambasada Jugosllave në Tiranë ishin dërguar në nivelet më të larta te zyrtarët jugosllavë në Beograd, natyrisht pa e ditur ne në Kosovë asnjëherë. Për shembull, kishte pasur shkresa sekrete lidhur me furnizimin me literaturë, që shtëpia botuese “Rilindja” në mënyrë institucionale i merrte nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” në Tiranë.

E kundërshtova ngritjen e një rrjeti të spiunazhit jugosllav në Shqipëri

Presionet serbe dhe të qarqeve të caktuara maqedonase dhe jugosllave, qoftë individuale nga udhëheqësit e lartë, qoftë grupore, ndaj udhëheqjes së Kosovës ishin të pranishme në vazhdimësi. Ne si udhëheqje e Kosovës ishim të vendosur për zhvillimin dhe rritjen e nivelit të bashkëpunimit me Shqipërinë në rrafshin institucional, duke qenë të bindur se nuk po e shkelim asnjë normë, asnjë standard të bashkëpunimit ndërshtetëror midis dy shteteve. Megjithatë, qarqe, segmente, nivele të caktuara të udhëheqjes jugosllave në vazhdimësi bënin trysni, presion dhe ngrinin kurthe, duke pretenduar që të na vinin para sprovave, pranë lidhjeve me bashkëpunimin me Shqipërinë, me qëllim që pastaj të na akuzonin edhe para Titos. Nga këndvështrimi i sotëm, është fare lehtë e kuptueshme se përse pikërisht pas vdekjes së Titos dhe pas demonstratave të pranverës së vitit 1981 udhëheqja serbe në veçanti, maqedonase, malazeze, pra ajo jugosllave, me tërë arsenalin e fuqisë politike shtetërore u vërsul mbi udhëheqjen e Kosovës, ndër të tjera me akuzën më të rëndë, për bashkëpunimin e Kosovës me Shqipërinë. Madje, bashkëpunimi i Kosovës me Shqipërinë deri në pranverën e vitit 1981, udhëheqjes serbe - jugosllave i shërbeu si shkas për sulmet e pamëshirshme, për çka edhe pastaj u ndërpre çdo nivel, çdo veprim i bashkëpunimit të Kosovës me Shqipërinë. Për të dëshmuar para historisë për të gjitha ato presione të udhëheqjes jugosllave - serbe ndaj Kosovës në lidhje me bashkëpunimin me Shqipërinë, po e jap edhe një ilustrim, argument. Diku në vitin 1979 u shpeshtuan kërkesat e institucioneve, organeve të punëve të brendshme dhe atyre të mbrojtjes në nivel të Republikës së Serbisë dhe Federatës Jugosllave për të formuar qendra të spiunazhit jugosllav - serb në Shqipëri. Këto kërkesa të Serbisë dhe të Federatës Jugosllave, pra të organeve të punëve të brendshme, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shërbimit Sekret Jugosllav në vazhdimësi kishin ardhur zyrtarisht në adresë të udhëheqjes sonë të Kosovës. Ne nuk kemi mundur të dimë, as të kuptojmë në rast se për ato kërkesa dhe presione ka qenë i paranjoftuar, i parainformuar dhe vetë kryetari Tito. Meqenëse kërkesat e këtyre strukturave dhe niveleve shtetërore kërkonin që ngritja e atyre qendrave të spiunazhit jugosllav në Shqipëri të bëhej, të organizohej, të zbatohej edhe në bashkëpunim me organet e Kosovës, pra edhe me përkrahjen tonë, ne në vazhdimësi i kemi kundërshtuar. Në bisedat tona, pra në cilësinë time edhe si kryetar i Kosovës me shefin e sigurimit sekret jugosllav Franjo Herleviqin, me gjeneralin Quiq e më vonë edhe me Nikolla Lubiçiqin, shefin e ushtrisë jugosllave, ne e kemi kundërshtuar një kërkesë të tillë, duke argumentuar se është shumë kundërproduktive dhe se këto metoda i ngjajnë periudhës së Informbyrosë. Ne ua përsërisnim këtyre udhëheqësve jugosllavë se vetë Tito kishte gjykuar veprimet e tilla, pra ndërhyrjen e tillë sekrete në punët e brendshme të shtetit shqiptar. Në këtë kontekst më kujtohet një bisedë e zhvilluar në Beograd, të cilin unë e kisha zhvilluar me Franje Herleviqin, me Nikolla Lubiçiqin, si dhe me Boris Krajgerin, nënsekretar i Punëve të Brendshme në Federatën Jugosllave e në të cilin takim ishte edhe sekretari i Punëve të Brendshme të Kosovës, Mustafa Sefedini. Tema e bisedës ka qenë plani i Shërbimit Sekret Jugosllav serb, ai i policisë dhe ai i ushtrisë, me qëllim të veprimit subversiv të një oficeri shqiptar dhe të një ekipi të tij për të hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe të ngritjes së qendrës së spiunazhit në Shqipëri.

- Vijon -