Xhavid Nimani: Dëshmi për një epokë, 1945 -1981 (VII)

Xhavid Nimani: Dëshmi për një epokë, 1945 -1981 (VII)

Dosier February 08, 2021 - 10:49

E kemi ditur se për përparimin e Kosovës nuk mjafton Kushtetuta e vitit 1974

Prof. dr. Agim Zogaj

Si i vlerësuat demonstratat e vitit 1968?

Ne synonim pavarësimin e plotë nga Serbia...

Nimani: Fillimisht më duhet të them se Plenumi i Katërt i KQ-së i PKJ-së, i mbajtur në verën e vitit 1966, i cili në histori njihet si Plenumi i Brioneve, për ne shqiptarët e Kosovës dhe përgjithësisht për shqiptarët në ish-Jugosllavi ishte me rëndësi historike. Ne atë Plenum u vunë në thumb kritika ndaj Aleksadar Rankoviqit, kuadri i Serbisë, njeriu i dytë në udhëheqje pas Titos, ministër i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, person i cili kishte udhëhequr, drejtuar, inskenuar shumë procese famëkeqe antishqiptare, sidomos me shërbimin e fshehtë serb-jugosllav. Por le ta qartësoj për historiografinë shqiptare, për brezat e sotëm, se Rankoviqi nuk ra nga pushteti, nuk u shkarkua për shkak të veprimeve të tij dhe të UDB-së kundër ne shqiptarëve, por në radhë të parë se kishte përgatitur planet sekrete edhe për rrëzimin e Titos nga pushteti, madje ishte dokumentuar se e kishte përgjuar Titon dhe kishte pasur lidhje me BRSS-në, Moskën zyrtare.... Pas rënies së Rankoviqit nga pushteti, megjithatë, fillon një periudhë e re më e qetë për popullin shqiptar në ish-Jugosllavi. Në mbarë Jugosllavinë, pra edhe në Kosovë, u formuan komisione, të cilat me kompetencë dhe dokumente shqyrtuan deformimet e UDB-së dhe të Rankoviqit e bashkëpunëtorëve të tij. Në atë periudhë edhe ne në Kosovë, të trimëruar nga rënia e Rankoviqit, filluam ngadalë të lëviznim, duke shprehur aspiratat dhe kërkesat për më shumë autonomi të Kosovës. Në pozita udhëheqëse në Kosovë filluan të vijnë kuadrot shqiptare, pra me standardin e përfaqësimit sipas përbërjes kombëtare. Me gjithë këtë fillim të ri të një etape dhe kapitulli të ri për popullin e Kosovës u nxit një nivel i ri i emancipimit politik dhe kombëtar. Në këtë dritë duhet parë edhe demonstratat me platformë kombëtare të studentëve shqiptarë, të organizuara në Kosovë dhe në Tetovë më 1968-n, pra si tendencë për zhvillimin, prosperitetin më të shpejtë të popullit të Kosovës, afirmimin e popullit me shumicë shqiptare.

Prandaj, demonstratat e vitit 1968, që shprehën aspiratën e popullit të Kosovës në ish-Jugosllavi, kishin reflektimin e fuqishëm pozitiv për afirmimin dhe forcimin e autonomisë së Kosovës, deri në kërkesën për Republikën e Kosovës. Më duhet të them se pikërisht në këtë periudhë, pra pas vitit 1966, kur gjithnjë e më tepër si udhëheqje e popullit të Kosovës synonim të shkëputeshim nga ndikimi i Serbisë, në komunistët shqiptarë madje kemi qenë të vendosur dhe të përcaktuar se në aspektin statusor Lidhja e Komunistëve të Kosovës duhej të fitonte më shumë pavarësi, ndërsa në raport me Lidhjen e Komunistëve të Serbisë të fitonim pavarësi të plotë. Synimi, pra, ishte që edhe si Organizatë e Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, sa të ishte e mundur, të forcohej subjektiviteti partiak dhe barazia e Kosovës me republikat e tjera. Që atëherë e kemi ditur se për një pavarësi më të plotë të Kosovës nga Serbia nuk ka qenë e mjaftueshme vetëm Kushtetuta e vitit 1974, por është dashur të siguronim edhe pavarësimin sa ma të plotë nga Serbia të të gjitha segmenteve të jetës shoqërore, politike, në të gjitha rrjedhat shoqërore, ekonomike, akademike, arsimore, shëndetësore, kulturore etj. Edhe sot, nga ajo distancë historike, mendoj se në Kuvendin e Prizrenit (1945) është dashur të kërkonim që Kosova të mbetej e lidhur drejtpërdrejt me Federatën dhe jo t’i bashkohej Serbisë. Nuk mund të them se një objektiv, plan, kërkesë të tillë do të kishim mundur ta realizonim, sepse udhëheqja e Serbisë kishte ndikim të fuqishëm në politikën jugosllave. Prandaj jam i prirë të besoj se në takimin Tito - Enver Hoxha, më 1946-n, në Beograd, ndaj kërkesës së Enverit në lidhje me Kosovën Tito ka dhënë argumentin se për momentin nuk mund të realizohet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, për arsye se nacionalizmi serbomadh ende është i fuqishëm dhe aktiv. Kjo çështje është interpretuar edhe nga politikanë të kohës, por edhe nga studiues, historianë të asaj epoke, periudhë ende e pandriçuar shkencërisht dhe me dokumente arkivore.

Cilat ishin pra drejtimet dhe objektivat kryesore të udhëheqjes së atëhershme të Kosovës, kryetar i parë i së cilës ishit ju nga viti 1974 - 1981?

Nimani: Së pari, mund të them se është dashur mund i madh, luftë e madhe politike në raport me Serbinë, por edhe me aleatët e saj në ish-Jugosllavi për të nxjerrë Kushtetutën e vitit 1974 të Kosovës. Kushtetua e vitit 1974 na dha pavarësi të fuqishme, reale nga Serbia, u bëmë njësi e barabartë e Federatës Jugosllave, madje me të drejtë vetoje edhe kundër propozimeve të vet Serbisë. Kushtetuta e vitit 1974 na mundësoi themelimin e Universitetit të Prishtinës, që në fakt ishte dritarja e emancipimit tonë kombëtar, themeluam institucionet e pavarura, deri në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve, Qeverinë e Kosovës, Kuvendin e Kosovës, Sekretariatin e Punëve të Brendshme, Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë, të cilin një kohë e ka drejtuar Ukshin Hoti e kështu me radhë. Kishim autonomi në fushën e ekonomisë, arsimit, kulturës e kështu me radhë. Serbia ka qenë vazhdimisht kundër pavarësimit të Kosovës nga Serbia, prandaj në të gjitha bisedat për amendamentet kushtetuese deri në nxjerrjen e Kushtetutës 1974 në nivel federativ, republikan dhe krahinor, ajo kishte dalë hapur kundër synimeve, kundër kërkesave të Kosovës. Unë jam i bindur se historia do të argumentojë se periudha mes viteve 1974-1981 ishte epokë e ngritjes, e fuqizimit të autonomisë së Kosovës, të popullit shqiptar dhe mbi të gjitha fillim i një kapitulli, i cili do të përmbyllej me pavarësimin e plotë të Kosovës nga sundimi dhe jo vetëm ndikimi i Serbisë. Është e vërtetë se unë si kryetar i Kosovës në periudhën e viteve 1974-1981, pra deri kur kam dhënë dorëheqje si rezultat i diferencimit politik nga Serbia, Jugosllavia, mbroj pikëpamjen se në atë periudhë kemi bërë arritje të mëdha kombëtare për Kosovën, duke e avancuar statusin e Kosovës në njësi të barabartë me Federatën Jugosllave. Pakkush mund ta besoj sot që me Kushtetutën e vitit 1974 në Federatën Jugosllave, në secilin institucion të saj, edhe Kosova, edhe Vojvodina, sikur republikat e tjera, e kishte të drejtën në veto. Prandaj Serbia nuk mund ta duronte një status të tillë të Kosovës, edhe pse nuk e kishim statusin e Republikës. Gjithnjë duhet pasur parasysh se lirinë, prosperitetin, autonominë, pavarësinë nuk ta fal askush, ndërsa beteja jonë politike me Serbinë dhe aleatët e saj në ish-Federatën Jugosllave gjithmonë ishte e rëndë, e rreptë. Ne aq mund të bënim me luftë politike në ato realitete, duke pasur përherë synimin që sa më shumë ta forconim autonominë e Kosovës e sidomos ta pamundësonim çfarëdo ndërhyrjeje të Serbisë në zhvillimet e brendshme të Kosovës. Është po ashtu e vërtetë se në realitetet e ish-Federatës Jugosllave, sidomos si rezultat i nacionalizmit serbomadh dhe i pretendimeve të Serbisë për ta krijuar një Jugosllavi unitare, ku primatin do ta kishte Serbia, ne si udhëheqje e Kosovës nuk e aspironim, së paku formalisht, avancimin e statusit të autonomisë së Kosovës në statusin e Republikës. Pra, sidomos kur flisnim me Titon, ne ia bënim me dije se duam sa më shumë pavarësi nga Serbia dhe sa më shumë autonomi në nivel federativ, sikur e kishin edhe republikat e tjera, por nuk mund ta shtronim zyrtarisht çështjen e avancimit të statusit të Kosovës në Republikë. Unë po ashtu e kujtoj fare mirë një bisedë të cilën Mahmut Bakalli e kishte pasur me Titon në Brione, në kohën e diskutimeve kushtetuese, pra në diskutimin e amendamenteve për Kushtetutën e vitit 1974. Tito, gjatë bisedës, në një moment drejtpërdrejt e kishte pyetur Mahmutin: “Përse po insistoni, kërkoni Republikë, çfarë ju duhet Republika e Kosovës?”. Mahmuti, siç më ka rrëfyer, ndër të tjera kishte dhënë argumentin se me statusin e Republikës do ta forcojmë pavarësinë nga Serbia dhe do ta pamundësojmë që ajo të përzihet në punët tona të brendshme. Tito i kishte thënë: “Gjatë diskutimeve kushtetuese për Kushtetutën e Kosovës ju vendosni në të gjitha ato elemente, të cilat i kanë edhe kushtetutat e republikave të tjera jugosllave”. Kini parasysh që me Kushtetutën e Kosovës të vitit 1974, siç e thashë, ne e kishim edhe Komitetin Krahinor për Marrëdhënie me Jashtë, i cili ishte me të gjitha notat objektivë, përgjegjësi sikur sekretariatet republikane për marrëdhënie me jashtë. Ne e kishim edhe Sekretariatin Krahinor për Informata, Sekretariatin Krahinor për Ekonomi, Sekretariatin Krahinor për Arsim e kështu me radhë. Sigurisht, Tito edhe kur ishte çështja e Kosovës kujdesej të mos vinte në kundërshtim të hapur në ballafaqim politik me udhëheqjen e Serbisë e sidomos me bartësit e nacionalizmit dhe unitarizmit serbomadh, i cili gjithmonë ishte në veprim dhe, siç u pa, më 1981-n u vërsul me tërë fuqinë e tij ndaj Kosovës.

Cilat ishin objektivat politike e kombëtare të Kosovës?

Nimani: Nga viti 1974-1981 orientimet tona kryesore kanë qenë: 1. Zbatimi i Kushtetues dhe zgjerimi e begatimi i autonomisë, në mënyrë që Kosova praktikisht të bëhej sa më e barabartë me njësitë e tjera federale dhe që shqiptarët në Kosovë dhe në trojet e tyre etnike në ish-Jugosllavi të faktorizoheshin, duke u bërë subjekt i barabartë me popujt e tjerë që e përbënin Jugosllavinë. 2. Zhvillimi ekonomik dhe krijimi i bazës materiale për zhvillim të përgjithshëm të Kosovës, zhvillim shoqëror dhe ekonomik, përmirësim i standardit social dhe tejkalim i prapambeturive, varfërisë ekonomike, objektiva këto të cilat në masë të caktuar ishin në proces për t’i realizuar. 3. Ndërtimi i sistemit të fuqishëm arsimor, që kulmoi me hapjen e Universitetit të Prishtinës dhe me shkollimin, arsimimin masiv të rinisë shqiptare të Kosovës dhe të shqiptarëve nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova Lindore dhe 3. Përmirësimi i vazhdueshëm dhe forcimi shumëdimensional i marrëdhënieve me Republikën Socialiste të Shqipërisë. Të mos e harrojmë se në ato vite të fuqizimit, emancipimit dhe faktorizimit të popullit shqiptar në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi, në strukturën e Këshillit Ekzekutiv të KSA-së të Kosovës, vepronte edhe Sekretariati Krahinor për Marrëdhënie me Jashtë, të cilin e kishin udhëhequr profesorët universitarë, si Zejnullah Gruda, Ukshin Hoti etj.

Megjithatë, edhe në periudhën e viteve 1974-1981, e cila në histori njihet si periudhë e fuqizimit, e progresit të Kosovës, Serbia drejtpërdrejt, edhe në nivelin jugosllav, ka shfaqur tendenca, reagime shoviniste, duke kundërshtuar autonominë e Kosovës

Cili ishte plani serb me dokumentin e “Librit të kaltër”?

Nimani: Serbinë e kemi pasur gjithnjë kundër, sepse ajo e ka parë Kosovën si koloni të veten, si tokë të pushtuar nga viti 1912, prandaj kundërvëniet, sulmet, luftërat politike, intrigat e shumëçka tjerët që vinte nga udhëheqjet e Serbisë nuk ishte diçka e re, nuk ishte diçka e papritur për ne. Si rezultat i përpjekjeve të Serbisë për ta kundërshtuar afirmimin e Kosovës, fuqizimin e autonomisë së Kosovës mbi bazën e Kushtetutës së vitit 1974, Serbia në mënyrë tinëzare me akademikët shovinistë të saj dhe në bashkëpunim të fshehtë me Eduard Kardelin, përfaqësues i Sllovenisë në Federatën Jugosllave, e kishte hartuar dokumentin, që në histori njihet me emrin “Libri i kaltër”. Në fakt, për dokumentin “Libri i kaltër” – 1976, i cili kërkonte që në nivel jugosllav të rishikohej edhe një herë Kushtetuta e vitit 1974 e Kosovës, pra me qëllim për t’iu zvogëluar kompetencat, ne kishim marrë vesh shumë më vonë. Ne, pra udhëheqja e atëhershme e Kosovës, lidhur me ato tendenca shoviniste të Serbisë u informuam nga Dushan Alimpiqi, kryetar i atëhershëm i komunistëve të Vojvodinës. Menjëherë, duke e kuptuar këtë projekt antishqiptar, shovinist të Serbisë, me qëllim të revidimit të Kushtetutës së vitit 974 të Kosovës, por edhe të Kushtetutës Jugosllave, e cila krahinës së Kosovës dhe Vojvodinës ua siguronte pozitën si njësi të barabarta jugosllave, unë Fadil Hoxha dhe Mahmut Bakalli e ngritëm çështjen deri te Tito. Pas ndërhyrjes sonë udhëheqja jugosllave u detyrua të organizonte mbledhje të zgjeruara në Beograd, ku morëm pjesë ne udhëheqësit e Kosovës, të Krahinës së Vojvodinës, të Republikës së Serbisë dhe nivele të larta të Federatës Jugosllave. Ndërkohë, me sugjerimin e Titos, ne zhvilluam takim të drejtpërdrejtë me Kardelin, i cili kishte pasur paraprakisht kontakte të fshehta me udhëheqjen e Serbisë lidhur me hartimin e dokumentit “Libri i kaltër”. Kardeli erdhi në Kosovë dhe qëndroi dy ditë. Ditën e parë bisedimet i zhvilluam, kuptohet me mjaft tensione politike, në Prishtinë, kurse ditën e radhës bisedimet i zhvilluam në Brezovicë. Bisedimet ishin aq konfidenciale, sigurisht edhe të vështira, saqë Eduard Kardeli nuk lejoi të incizoheshin. Prandaj, nga ato takime nuk ka stenograme, por ka shënime, të cilat i kemi mbajtur ne pjesëmarrësit. Me rëndësi ne si udhëheqje e Kosovës ishim unikë, të vendosur dhe në të njëjtën kohë edhe udhëheqja e krahinës së Vojvodinës, e zmbrapsëm planin e Serbisë për revidimin e autonomisë së Kosovës dhe të Vojvodinës.

- Vijon të hënën e ardhshme -

FEJTON EKSKLUZIV PËR GAZETËN “ZËRI”. TË GJITHA TË DREJTAT PËR RIBOTIM JANË TË REZERVUARA!