Infektuar: 58088
Shëruar: 50953
Vdekur: 1456
Xhavid Nimani: Dëshmi për një epokë, 1945 -1981 (III)

Xhavid Nimani: Dëshmi për një epokë, 1945 -1981 (III)

Dosier December 28, 2020 - 09:45

Kishim qenë në lajthitje, mashtrime

Prof. dr. Agim Zogaj

Duke e shikuar nga aspekti historik - kombëtar, a ka mundur Enver Hoxha të bënte më shumë për çështjen e Kosovës?

Çka më tha Enver Hoxha?

Nimani: Është vështirë për t’u përgjigjur në këtë pyetje pa pasur në konsideratë rrethanat politike, rajonale, ndërkombëtare të kohës. Ndoshta udhëheqja e atëhershme e Shqipërisë, menjëherë pas vitit 1945, është dashur të jetë më këmbëngulëse në kërkesat e drejta të popullit të Kosovës për bashkimin me Shqipërinë, gjithnjë duke u mbështetur, thirrur në vendimet e Konferencës së Bujanit dhe në Kartën Atlantike për të drejtën e popujve në vetëvendosje. Pra, sikur të kishte kërkuar bashkëpunimin dhe përkrahjen e Fuqive Botërore të kohës në lidhje me çështjen e së drejtës së Kosovës në vetëvendosje. Por, po e përsëris, nuk kishte rrethana historike, ndërkombëtare, sepse vetë shteti shqiptar, që nga viti 1945, kishte përplasje me shtetet e Perëndimit. Me Enverin jam takuar dy herë gjatë luftës dhe po ashtu dy herë të tjera pas çlirimit.

Çfarë ju kujtohet nga ato takime me Enver Hoxhën?

Nimani: Takimi im i parë pas çlirimit ishte kur u mbajt Kongresi i Rinisë në Tiranë, pra në vitin 1945. Me atë rast mua, Bije Vokshin dhe Xhafer Vokshin na kishte thirrur për drekë Enveri. Paraprakisht Enverin e takova në punimet e Kongresit të Rinisë Shqiptare, Unë kam shkuar në Tiranë për të bërë një analizë shëndetësore. Nuk isha i dërguar nga Kosova për të marrë pjesë në Kongres. Shokët e Shqipërisë më ftuan të marr pjesë.

Takimi me Enverin në shtëpinë e tij nuk ishte i gjatë për shkak angazhimeve të tij, ndërkohë që më pastaj kam vazhduar takimin me Nexhmije Hoxhën dhe me Skënderin, kushëririn e Nexhmije Hoxhës. Gjatë takimit të drekës kemi biseduar për shtëpinë e Bije Vokshit, e cila gjatë luftës kishte qenë bazë e luftës antifashiste në Tiranë, në të cilën shtëpi herë-herë kanë jetuar si ilegalë edhe shokët e Byrosë Politike të KQ-së të PKSH-së.

Herën e dytë me Enverin jam takuar sërish në Tiranë, në zyrën e tij në Kryeministri, ku kisha shkuar t’i dërgoj dokumentet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Jugosllavisë për krimet që i kanë bërë grekët pas Luftës së Parë Botërore në Shqipërinë e Jugut. Në atë kohë ambasador i Jugosllavisë në Shqipëri kishte qenë Josip Gjergja, arbëresh nga Zara e Kroacisë. Gjithashtu jam takuar me Koçi Xoxen, i cili ishte sekretar organizativ i PKSH-së. Në takim mori pjesë edhe Josip Gjergja, kurse tema qendrore e bisedës sonë u zhvillua rreth pyetjeve për formimin e komitetit nacionalçlirimtar në Kosovë në kuadër të frontit nacionalçlirimtar. Duke dalë nga takimi Koçi Xoxen m’u falënderua për materialet që i kisha dërguar dhe m’u lut që të mos i tregoja askujt për çfarë kisha ardhur në Tiranë. Dy ditë më vonë personalisht më kërkoi Enver Hoxha për t’u takuar në zyrën e tij. Në zyrë e gjeta të vetëm, ndërsa tema qendrore ishte gjendja në Kosovë, por edhe zhvillimet lidhur me vrasjen e Milladin Popoviqit. Derisa po bisedonim erdhi Koçi Xoxe, kurse Enver Hoxha përnjëherë e ndërroi temën e bisedës. Asokohe nuk munda ta kuptoja përse Enveri e ndërroi temën e bisedës, me qëllim ose jo. Asokohe unë nuk kam ditur asgjë lidhur me marrëdhëniet midis Koçi Xoxes dhe Enver Hoxhës, por sidoqoftë me vetë faktin e ndryshimit të temës së bisedimeve munda ta kuptoja se marrëdhëniet midis Enver Hoxhës dh Koçi Xoxes nuk ishin me mirëbesim. Përkundrazi! Këtë do ta kuptoja kur më 1949-n u bë publike se Koçi Xoxe si ministër i brendshëm kishte qenë në bashkëpunim “të veçantë”, pra edhe të fshehtë, me ministrin e atëhershëm jugosllav të punëve të brendshme, antishqiptarin, serbin, Aleksandar Rankoviq.

Thënë realisht, kur Enver Hoxha vizitoi Jugosllavinë, më 1946-n, ne e prisnim se do ta takonim, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Madje, edhe siç kam kuptuar, Enver Hoxha kishte kërkuar të takohej me ne përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës, por askush nga udhëheqja serbe, jugosllave, nuk na kishte ftuar në takim me Enver Hoxhën, madje as në darkën që ishte dhënë për nder të Enverit. Pra, nuk patëm rast ta takojmë jo vetëm Enver Hoxhën, por asnjë nga anëtarët e delegacionit të Shqipërisë. Kuptohet, edhe bashkëpunimi dhe aleanca me Jugosllavinë, deri në vitin 1948, ishte një lloj romance me plot lajthitje, me kurthet serbo/jugosllave. Sidomos bisedimet dhe planet për krijimin e Shqipërisë si Republikë e shtatë e Federatës Jugosllave ishin gabim i Shqipërisë.

Kam protestuar për tragjedinë e Tivarit te Savo Derleviqi...

Njëra prej çështjeve shumë të diskutuara në historinë bashkëkohore të Kosovës është çështja e së vërtetës për masakrën serbe të Tivarit. Cilat janë dëshmitë tuaja?

Nimani: Një ditë, duke shkuar për në Tiranë, në Kukës dhe në Fushën e Arsit, i takova disa të njohur, të cilët më njoftuan se ditë më parë janë vrarë disa shqiptarë të mobilizuar nga ushtarët serbë dhe malazezë, të cilët, nën përcjelljen e ushtrisë serbe/jugosllave, i kishin nisur për në Mal të Zi. Të njëjtit për vrasjet e shqiptarëve në Tivar nuk më kanë përmendur asgjë. Atëherë, pra, deri në njoftimin që e mora nga miqtë, të njohurit e mi nga Shqipëria, as unë nuk kam ditur, nuk kam pasur informacion për tragjedinë e shqiptarëve në Tivar. Pas qëndrimit tim disaditor në Tiranë, kur jam kthyer në Prizren, në shtëpinë e motrës sime Halisës, erdhi një grup i shqiptarëve, në të cilin grup ishin edhe gratë e disa qytetarëve, të cilët unë i njihja, si fjala vjen shoqja e Beqir Pulës etj. Ata-ato u ankuan dhe kërkuan që të ndërmarrim veprime për t’i liruar burrat dhe fëmijët e tyre, të cilët ishin mobilizuar për t’u dërguar në Mal të Zi. Të gjithë ata qytetarë, burra dhe gra, sipas fjalëve të familjarëve të tyre, ishin shumë të frikësuar se rrugës ushtria serbe, malazeze, do të mundë t’i pushkatojë. Kjo pasi këta qytetarë, këta burra e këto gra që kishin ardhur në takim tek unë, kishin dëgjuar se çfarë tragjedish u kishin ndodhur shqiptarëve të mobilizuar dhunshëm gjatë kalimit, rrugëtimit për në Mal të Zi, në Tivar. Unë, duke e pasur parasysh atë që kisha dëgjuar nga të afërmit e mi, gjatë rrugëtimit tim për në Tiranë dhe tani duke e parë frikën e këtyre qytetarëve, të cilët me të drejtë brengoseshin për fatin e të mobilizuarve, e thirra Predrag Ajtiqin, i cili atëherë, më 1945-n, ishte sekretar i Komitetit të Rrethit në Prizren dhe e diskutova gjerë e gjatë çështjen, pavarësisht se nuk kisha të dhëna dhe njoftim të plotë se çfarë kishte ndodhur, kush e kishte bërë mobilizimin, për cilat qëllime dhe si ka ndodhur që njerëzit të vriten rrugës për në Mal të Zi e në veçanti si kishte ndodhur masakra serbe me të arritur shqiptarët e mobilizuar në Tivar. Pas bisedës së gjatë, me plot përplasje, që e pata me udhëheqësin politik Predrag Ajtiqin, së bashku kemi ndërhyrë dhe e kemi bërë demobilizimin e të gjithë atyre shqiptarëve, të cilët ende gjendeshin në kazermën ushtarake në Prizren. Pjesa më e madhe e të mobilizuarve, pra të cilët ishin në kazermën e Prizrenit, kishin qenë të moshës së vjetër, por në mesin e të mobilizuarve kishte edhe shqiptarë të rinj, thuajse fëmijë nga mosha, për çka unë reagova drejtpërdrejt. Në mesin e atyre që ishin të mobilizuar kishte edhe persona të vetëm, të cilët ishin mbajtës të familjes. E kisha përshtypjen e sigurt se ai mobilizim ishte bërë me dhunë, madje edhe me qëllim që të përmbushej numri sa më i madh i kërkuar nga ato instanca politike, në radhë të parë strukturat ushtarake, të cilat e kishin dhënë vendimin për mobilizim dhe të cilin vendim po e zbatonin me dhunë. Pra të nesërmen, me t’u kthyer në Prizren, shkova në Shtabin Operativ te komandanti Savo Derleviq, i cili ishte komandant i shtabit, pra në fakt komandant i gjendjes ushtarake në Kosovë, e cila gjendje ushtarake ishte shpallur nga niveli më i lartë i ushtrisë jugosllave. Në fakt, ende ishte gjendje lufte dhe sidomos situata bëhej edhe më e rëndë, sepse në Kosovë ishte gjendja ushtarake, ushtria po kontrollonte çdo proces të jetës. Kur t’ia shtojmë këtij fakti edhe veprimet hakmarrëse të shovinizmit serb e malazez mbi popullatën e pambrojtur shqiptare, mund ta marrim me mend se çfarë gjendje e vështirë, me plot të papritura, po mbretëronte. Në takimin, të cilin e kisha me Savo Derleviqin, në prezencë edhe të disa oficerëve të tjerë të shtabit, kam protestuar ashpër për mënyrën e mobilizimit, qëllimin e mobilizimit dhe sidomos për vrasjet e rekrutëve, të mobilizuarve shqiptarë, të cilët, sipas informatave, ishin vrarë në përcjellje e sipër rrugës për në Shkodër, në Mal të Zi dhe në shumicë në masakrën e Tivarit.

Tani edhe ju e kishit kuptuar tradhtinë serbe

Kush më kërcënoi me pushkatim?

Nga takimi dhe biseda mjaft e rëndë kuptova se komandanti Derleviq, njëherësh komandant i gjendjes ushtarake në Kosovë, kishte qenë i lajmëruar, i informuar, për çdo mobilizim që u bë në Prizren dhe rrethinë. Atë sigurisht e kishte lajmëruar Shtabi i Brigadës, kurse Predrag Ajtiqi sigurisht e kishte lajmëruar Komitetin Krahinor të PKJ-së. Derleviqi, i cili pra kishte qenë i lajmëruar, i informuar, në një moment gjatë bashkëbisedimit tonë mjaft të tensionuar reagoi me fjalët: “Xhavid, a e di ti se për një veprim të këtillë, të cilin po e bën, mund të shkosh para gjykatës ushtarake?”. Madje dukshëm i nervozuar shtoi: “Për veprimet e këtilla mund të gjykohesh edhe me pushkatim”. Sikur sot më kujtohet, e shikova, dukshëm i pafuqishëm dhe i vetmuar, megjithatë iu përgjigja: “Më mirë të pushkatohem unë, të pushkatohen dy persona, sesa të masakrohet një masë e madhe njerëzish, civilë të pafajshëm, vetëm pse nuk duan t’i shkojnë në frontet e luftës në Dallmaci, Kroaci...”. Me aq përfundoi biseda ime me komandantin Sava Derleviq, në praninë e oficerëve ushtarakë, në kazermën e Prizrenit. Isha i sigurt se komandanti Derleviq, para se unë të shkoja në takim me të, paraprakisht kishte biseduar me ndonjërin prej anëtarëve të Byrosë së Komitetit Krahinor, pra edhe me udhëheqësit në Beograd. E ritheksoj, jo për të shfajësuar veten, as Fadilin ose edhe ndonjë shok tjetër, që kishim dalë nga drejtimi i luftës, por gjithçka ishte nën kontrollin e rreptë të ushtrisë, ndërsa planet e Serbisë kundër shqiptarëve ishin vënë në zbatim... Ishte ai pendim i vonuar për besimin pa kriter që e kishim pasur ndaj serbëve dhe malazezëve. Në fakt, ne nuk ishim çliruar nga sundimi serb, jugosllav...

- Vijon të hënën e ardhshme -

FEJTON EKSKLUZIV PËR GAZETËN “ZËRI”. TË GJITHA TË DREJTAT PËR RIBOTIM JANË TË REZERVUARA!