Infektuar: 58088
Shëruar: 50953
Vdekur: 1456
Xhavid Nimani - dëshmi për një epokë, 1945 - 1981 (I)

Xhavid Nimani - dëshmi për një epokë, 1945 - 1981 (I)

Dosier December 14, 2020 - 09:31

Partinë Komuniste në Shqipëri nuk e kanë themeluar komunistët jugosllavë  

Prof. dr. Agim Zogaj

Xhavid Nimani ishte protagonist i historisë politike të Kosovës nga fillimi i Luftës Nacionalçlirimtare, ndër autorët e hartimit të Rezolutës së Konferencës së Bujanit, pjesëmarrës i Kuvendit të Prizrenit, i epokës pas rënies së Aleksandar Rankoviqit 1966, me rol të veçantë politik nga viti 1968 në nxjerrjen e Kushtetutës së vitit 1974 të Kosovës, kryetari i parë i Kryesisë së Kosovës me autonominë e 1974-ës, periudhë kur u vendosen themelet e Universitetit të Prishtinës, të Akademisë së Shkencës dhe Arteve të Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë, ndër ideatorët, zbatuesit e bashkëpunimit institucional Kosovë – Shqipëri, i dorëhequr si rezultat i presionit, agresionit politik serb/jugosllav, më 17 korrik 1981...

Njohësit e politikës së Kosovës, të viteve të përmendura, veçmas nga jetësimi i Kushtetutës së vitit 1974 të Kosovës, forcimit të autonomisë dhe avancimit të Kosovës si njësi e barabartë federative e ish-Federatës Jugosllave dhe e pavarësimit nga ndikimi i Serbisë, Xhavid Nimanin e portretizojnë si personalitetin kyç të politikës së Kosovës. I heshtur, i pakompromis, i vendosur në parime, personalitet i cili asnjëherë nuk ishte i interesuar për publicitet, aq më pak për lavde, në fakt, njëri ndër politikanët kryesorë të politikës së avancimit dhe fuqizimit të autonomisë së Kosovës, i bashkëpunimit ndërkulturor me Shqipërinë. Në veçanti, i tërhequr, nxënës i dikurshëm i Krumës në Shqipëri, Xhavid Nimani, i njohur nga bashkëkohanikët ndër personalitetet me ndikimin më të fuqishëm politik të periudhave 1968 - 1974 – 1981 (kryetar i Kryesisë së Kosovës), ishte shquar për guximin dhe vendosmërinë në ballafaqimet me linjën nacionaliste, serbomadhe në Serbi, por edhe të segmenteve të tyre, të cilat i kishin të instaluara dhe të frymëzuara në jetën politike në Kosovë, ndër të cilët printe serbomadhi, Dushan Ristiqi.

Arkivat dëshmojnë për ballafaqim të rreptë dhe shumë të vendosur të tij, së bashku me Fadil Hoxhën dhe Mahmut Bakallin, me linjën nacionaliste serbe, në vitin 1977, e cila, përmes dokumentit politik “Libri i kaltër”, i përpunuar në fshehtësi, kishte synuar suprimimin e autonomisë së Kosovë me Kushtetutën e vitit 1974. Ishte zhvilluar betejë e madhe politike, madje edhe me ndërhyrjen e Titos, për ta shpëtuar Kushtetutën e Kosovës të vitit 1974, me ç’rast kronistët e kohës vënë theksin te qëndrimi historik kombëtar i Xhavid Nimanit, Fadil Hoxhës, Mahmut Bakallit dhe bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë në mbrojtje të autonomisë! Prandaj, me shkarkimin, dorëheqjet e Nimanit, Hoxhës, Bakallit më 1981-n, si rezultat i presioneve të jashtëzakonshme të nacionalistëve serbomëdhenj, Beogradi zyrtar, edhe në dokumentet zyrtare, politike, por veçmas në medie, i akuzoi si “Grupi nacionalist gjakovar”.

Bisedën e realizuar me Xhavid Nimanin, me qëllim të krijimit të një rrëfimi sa më objektiv, të argumentuar në dëshmi dhe fakte për historinë e Kosovës së viteve 1945 - 1981, e kisha filluar në vitin 1991. Ndërkohë që, me ndërprerje të ndryshme, bashkëbisedimi me të ka vazhduar deri në vitin 1998, me fillimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën e kishte parashikuar si domosdoshmëri historike, kombëtare për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb/jugosllav. Në protestat mbarëpopullore, të mbajtura në vitet para fillimit të luftës së UÇK-së, Xhavid Nimani me bashkëshorten, i shoqëruar edhe nga Fadil Hoxha, Ymer Pula dhe bashkëluftëtarë partizanë e bashkëpunëtorë të kohës së tij, kishin qenë në mesin e protestuesve, duke kundërshtuar sundimin serb.

Lufta e Kosovës, e UÇK-së, 1998 -1999, shënimet e daktilografuara direkt nga rrëfimi i tij, i gjeti në shtëpinë e tij, në katin e dytë, ku edhe kishim punuar për disa vite radhazi gjithmonë, ditëve të shtune. Mirëpo, meqë në shtëpinë e tij të uzurpuar ishte vendosur ushtria serbe, një pjesë të shënimeve, ato të periudhës pas dorëheqjes së Xhavid Nimanit, 1981, nga posti i kryetarit të Kosovës, kishin rënë në duart e ushtarakëve serbë.

Për dallim nga bashkëkohanikët e tij, udhëheqës me dekada të Kosovës, Xhavid Nimanit nuk ishte dashur që t’ia argumentonim rëndësinë e shpalosjes së historisë së panjohur të Kosovës, as t’i bënim lutje për të pranuar që, me kujtesën e tij, ta shkruajë një copë historie, t’i hedhim në dritë zhvillimet më shumë se dramatike të rrugëtimit të Kosovës, të popullit tonë në dekadat deri në vitin 1981. Gjatë bashkëbisedimit, përballjes me histori, ishte jashtëzakonisht i drejtpërdrejtë, i hapur, i guximshëm, siç ka qenë edhe në politikëbërje. Nuk ka pasur ngjarje, kapituj, të asaj historie të atyre viteve të nëmura, por edhe krenare, për të cilat nuk ishte i vullnetshëm që të jepte sqarime, detaje, vlerësime. Në tema përkatëse ishte edhe vetë kritik, ndaj vetes dhe ndaj brezit të tij.

Është i pari dhe i fundit politikan shqiptar i viteve të socializmit, autonomisë së Kosovës, Kushtetutës së vitit 1974, i cili e pranoi se kishin bërë gabim që më 1945-n nuk kishin insistuar, madje edhe te Titoja, që Kosova drejtpërdrejt të ishte njësi e barabartë e Federatës Jugosllave, pra që Kosova të mos ishte edhe pjesë e Republikës së Serbisë.

Prandaj në atë moshë të thyer, kur e dinte se dita e çlirimit të Kosovës po afrohej, pikërisht në vitet e ’90-ta, ndërkohë që Serbia e kishte pllakosur rëndë Kosovën e pushtuar, Xhavid Nimani e ndiente, e kuptonte se sa e vështirë dhe e pabarabartë ishte lufta e Kosovës për pavarësi nga sundimi serb/jugosllav. Ndërsa sa herë që kemi biseduar për rrugën e Kosovës drejt çlirimit, lirisë, ai e kishte bindjen se Kosova nuk do të mundë të çlirohej pa luftë, ndoshta sepse vetë kishte qenë luftëtar i një lufte, e cila doli të ishte e humbur. Kishte besim të plotë në djalërinë e Kosovës, me në krye UÇK-në, komandantin legjendar Adem Jasharin me bashkëluftëtarë.

Në vazhdim Xhavid Nimani jua rrëfen historinë, deri më tani të panjohur, qoftë të heshtur, të groposurat, të vërtetat e fshehura ose edhe të censuruara nga sistemi i ideologjisë së pushtimit, për të cilin kishte luftuar dhe i cili sistem, ideologji në fund, edhe atij, me neveri, me përçmim, ia dha dënimin e pamëshirshëm. Vitet pas dorëheqjes i jetoi nën barrën e akuzës nga pushteti serb/jugosllav, si nacionalist, irredentist, shqiptaromadh, përkrahës i heshtur dhe inspirator i lëvizjes politike për pavarësimin e plotë të Kosovës nga Serbia, për Republikën e Kosovës, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në jetën e tij nga viti 1981, pas dorëheqjes së imponuar, të detyruar, të gjitha ishin bërë së bashku: ndëshkimi, braktisja, vetmia, harresa, linçimi politik, ndonëse, pushtetin nuk e kishte kuptuar si lavd, përkundrazi, si ngarkesë, përgjegjësi, mbase edhe sakrificë, vuajtje.

Prandaj, në të njëjtën kohë, ai politikan me imagjinatë të thellë në mendime, në veprim politik, shumë pragmatik, jetoi me pendesën se nga pozita e kryetarit të Kosovës nuk i përkrahu demonstratat e vitit 1981, rininë sypatrembur. Kjo, sado që Nimani në ditët e para të demonstratave të asaj Lëvizjeje Kombëtare të Ilegales Shqiptare, të djalërisë guximtare të Kosovës, në ballafaqimet politike, e kishte mbrojtur qëndrimin se demonstratat kishin karakter social dhe jo “kundërrevolucionar”.

Sidoqoftë, gjatë luftës së UÇK-së Xhavid Nimani ishte në Prishtinë, e përjetoi madhështinë e historisë kombëtare, pra edhe të idealeve të tij dhe të brezit, çlirimin e Kosovës nga sundimi i gjatë, i përgjakshëm i Serbisë. Por tani lavdinë e çlirimit të Kosovës, nën flamurin e UÇK-së, si çdo qytetar i Kosovës, e përjetoi falë betejës, sakrificës dhe vendosmërisë titanike të popullit të Kosovës, të fëmijëve, grave dhe burrave heroikë. Madje në vjeshtën e parë të çlirimit të Kosovës në vitin e ndritur 1999, së bashku me Fadil Hoxhën dhe Mahmut Bakallin, kishin pasur një takim të përbashkët me udhëheqësit më të lartë të UÇK-së së përndritur... Pas gjithë atyre viteve të heshtjes, linçimit politik, vetmisë e izolimit, bashkëbiseduesi ynë po e përjetonte një çast lumturie, krenarie, që përballë i kishte kryetrimat e lirisë, djemtë e UÇK-së...

Lufta jonë kishte për qëllim çlirimin nga sundimi serb/jugosllav

Përse ju komunistët shqiptarë, që erdhët nga Shqipëria, nuk e zhvilluat aktivitetin tuaj nën drejtimin e PKSH-së, por me t’u kthyer në Kosovë aktivitetin e zhvilluat nën bashkëpunimin, udhëheqjen e PKJ-së?

Nimani: Pas kapitullimit të Jugosllavisë mbretërore, kur ne komunistet shqiptarë erdhëm në Kosovë, ndërkohë në Shqipëri ende nuk ishte formuar Partia Komuniste. Unë isha në Tiranë dhe Elbasan për të kryer shkollimin përkatës. Asokohe në Shqipëri ekzistonin tri grupe të mëdha komuniste: Grupi i Shkodrës, Grupi i të Rinjve dhe Grupi i Korçës, në të cilin kemi bërë pjesë ne nga Kosova. Deri në atë periudhë nuk ka ekzistuar një bashkëpunim e as lidhje e plotë ne mes të grupeve komuniste të Shqipërisë me Partinë Komuniste të Jugosllavisë. Fillimet e kësaj lidhjeje të bashkëpunimit midis komunistëve të Shqipërisë dhe PKJ-së datojnë pas ardhjes sonë në Kosovë, pasi Fadil Hoxha dhe Emin Duraku qysh më herët ishin njohur me disa ish-komunistë të PKJ-së nga Peja. Ne komunistët shqiptarë të Kosovës me t’u kthyer nga Shqipëria në Kosovë kemi filluar të punojmë me masa të gjëra, sidomos me rininë, por gjithnjë duke qenë në bashkëpunim dhe të lidhur ngushtë me udhëheqësit e grupeve komuniste në Shqipëri. Në krijimin e lidhjeve të para të bashkëpunimit midis udhëheqjes së grupeve komuniste të Shqipërisë në komitetin krahinor të PKJ-së, edhe me direktivën e udhëheqjes së përbashkët të grupeve komuniste të Shqipërisë, përkatësisht më vonë të KQ-së të PK-së së Shqipërisë, ne komunistët shqiptarë të ardhur nga Shqipëria u bëmë anëtarë të PKJ-së. Kjo do të thotë që nga ato fillime ne jemi trajtuar si kuadro në radhët e PKJ-së dhe si të tillë kemi filluar të zgjidhemi në organe të ndryshme drejtuese në organizatat komuniste në Kosovë. Në atë kohë PKJ-ja nuk ishte e lidhur me masat shqiptare në Kosovë, Mal të Zi e në Maqedoni. Kishte shumë arsye të mëdha historike, të cilat ndikuan që numri i komunistëve nga radhët e shqiptarëve të ishte shumë i vogël. Një prej arsyeve themelore ishte se PKJ-ja nuk ka pasur qëndrim të drejtë për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Jugosllavi, si në Kosovë, ashtu dhe në Mal të Zi, Maqedoni, në jug të Serbisë, përkatësisht në Luginën e Preshevës. Si arsye e dytë ishte se shqiptarët me të drejtë nuk u kanë besuar komunistëve serbë e malazezë. Po ashtu duhet theksuar edhe faktin se anëtarët e PKJ-së në Kosovë, e sidomos udhëheqja e atëhershme komuniste, kanë qenë nga radhët e kolonëve nga familjet që kanë qenë si kolonë në tokat e shqiptarëve, pra pushtues në Kosovë. Pra, serbët dhe malazezët për ne shqiptarët ishin sundues, pushtues, kolonizatorë, prandaj që nga fillimi dhe gjithnjë ishte e vështirë që me komunistët serbë dhe malazezë ta krijonim një front të përbashkët. Për ne shqiptarët e Kosovës ai realitet ishte krejtësisht i qartë, i kuptuar. Ndaj edhe ne, komunistët, e kuptonim reagimin e bashkëkombësve tanë... Si ta bindnim popullin që të bashkohej me serbët dhe malazezët derisa ata historikisht ishin sunduesit tanë?! Kurse aleatët botërorë antinazi fashistë u bënin thirrje të gjithë popujve, pra edhe ne shqiptarëve, pavarësisht se në cilat shtete dhe në cilat regjime ishim, që të ngrihemi në luftën antifashiste botërore, në koalicionin e madh botëror. Nga ana tjetër, niveli i emancipimit politik, kulturor të popullit tonë ishte shumë i ulët, për ta kuptuar dimensionin politik, ideologjik të luftës antifashiste dhe më pas antinaziste. Propaganda e pushtuesit italian ishte mjaft e fuqishme, e organizuar mirë dhe bënte efekte të shumta ndër masat shqiptare.

Edhe sot nga kjo distancë historike them se në rast se Lëvizja Nacional Çlirimtare si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, të mos ishte e inkuadruar në anën e aleancës antifashiste, ose thënë më mirë me boshtin gjermanoitalian, atëherë pasojat e pasluftës do të ishin shumë më të rënda, sikur për popullin shqiptar në Kosovë, ashtu edhe për shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi, madje edhe për vetë shtetin shqiptar. Populli shqiptar do të akuzohej për bashkëpunim me fashizmin, i cili në fakt do të kishte pasoja të mëdha për ne shqiptarët, që sërish kishim ngelur jashtë trungut të shtetit amë, do të kishte ndodhur ajo që ka ndodhur me gjermanët në Vojvodinë dhe me shqiptarët në Greqi, vëllezërit tanë çamë, pastaj sikur me sudetët në Çekosllovaki. Në fakt, edhe sot mendoj se në një rrethanë të tillë historike, politike, me ne shqiptarët e Kosovës, do të kishte pasoja të mëdha, pra do të ishte realizuar projekti i Vasa Çubrilloviqit për dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të popullit të Kosovës nga trojet e veta historikisht etnike.

Është folur dhe shkruar sidomos në historiografinë serbe/jugosllave se PKJ-ja e ka krijuar PKSH-në, a është ky konstatim i vërtetë?

Nimani: Ky konstatim është i pavërtetë, tendencioz, qesharak dhe në vete përmban nacionalizmin serbomadh, sepse idetë dhe lëvizjet komuniste në Shqipëri datojnë që nga periudha e regjimit të mbretit Zog, pra edhe para se të bëhej okupimi i Shqipërisë nga Italia fashiste. Prandaj, nuk duhet lejuar të manipulohet me të pavërtetën historike gjoja se komunistët jugosllavë e themeluan PKSH-në. Rolin dhe ndikimin e Miladin Popoviqit dhe Dushan Mugoshës në themelimin e PKSH-së duhet analizuar me objektivitet historik dhe jo ashtu siç pretendon historiografia e rrejshme serbe, por edhe ndonjë historian shqiptar, i paditur dhe po ashtu tendencioz. Nga ana tjetër, sipas zhvillimeve të atëhershme politike, por edhe në nivel ndërkombëtar, mund të themi se nuk ka pasur kurrfarë mundësie që Lëvizja Nacionalçlirimtare në Kosovë të udhëhiqej nga PKSH-ja.

Kjo edhe për faktin se Jugosllavia e atëhershme nuk e kishte njohur copëtimin territorial të Jugosllavisë. Edhe një herë dëshiroj të theksoj se PKJ-ja që nga fillimi i krijimit të saj nuk ka pasur qëndrim të drejtë rreth zgjidhjes së çështjes shqiptare në Jugosllavi. Prandaj, ishte e kuptueshme se ne komunistët shqiptarë në Kosovë që nga fillimi kemi pasur vështirësi të mëdha për t’i bindur masat shqiptare të marrin pjesë në luftën nacionalçlirimtare nën udhëheqjen e PKJ-së. Për shkak të urrejtjes, plotësisht të arsyeshme, shumë të madhe të popullit shqiptar ndaj Jugosllavisë, sidomos Serbisë, thuajse ishte i pamundur bashkëpunimi me komunistët serbë e malazezë, ndaj të cilëve shqiptarët, me plot arsye, kishim mosbesim të thellë. Për këtë arsye në udhëheqjen e Komitetit të udhëheqjes komuniste në Prizren ne kemi kërkuar nga komunistët shqiptarë (Xhevdet Doda, Xhavid Nimani e Rexhep Gjiha) që afishet dhe lajmet ditore të nënshkruhen vetëm me Partinë Komuniste, në vend të PKJ-së. Po ashtu edhe organizata komuniste në Gjakovë, e udhëhequr nga Fadil Hoxha dhe Emin Duraku, afishet dhe lajmet ditore i ka nënshkruar vetëm me Partinë Komuniste, derisa nuk erdhën reagimet dhe ndërhyrjet tendencioze të Komitetit Krahinor të PKJ-së. I ruaj kujtimet lidhur me këtë, pra përpjekjen e ne komunistëve shqiptarë për autonomi dhe pavarësi të veprimit politik, përshtypjet e reagimeve të ashpra nga ana e instruktorit të komitetit krahinor të PKJ-së, Milia Kovaçeviq, si dhe anëtarëve të tjerë serbë. Ndërkohë që, megjithatë, me insistimin e ne komunistëve shqiptarë kemi pasur disa raste kur afishet, proklamatat ishin nënshkruar së bashku nga përfaqësuesit e të dyja partive të PKSH-së dhe të PKJ-së për Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit.

Konferenca e Bujanit e legjitimoi të drejtën e Kosovës për bashkim me Shqipërinë

Në cilat rrethana i zhvilloi punimet Konferenca e Bujanit?

Nimani: Konferenca e Bujanit u mbajt më 30, 31 dhjetor 1943 dhe më 1 janar 1944. Ajo mori vendime me rëndësi historike për popujt, sidomos për popullin shqiptar. Rëndësia më e madhe e Konferencës së Bujanit jo vetëm për popullin e Kosovës, por përgjithësisht për popullin shqiptar ishte që duke u mbështetur në parimin e Vetëvendosjes ajo shtroi, parashihte, planifikoi, për pas përfundimit të luftës, çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, e drejtë historike, kombëtare dhe legjitime. Konferenca e Bujanit zgjodhi Këshillin Nacionalçlirimtar për Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit dhe kryesin e tij. Unë isha një ndër hartuesit e Rezolutës, e cila u aprovua në mënyrë unanime, pa asnjë kundërshtim. Ndërkohë, javë më vonë erdhi reagimi i Komitetit Qendror të PKJ-së, që u bë i ditur me anë të letrës së udhëheqësit të lartë të PKJ-së, malazezit Milovan Gjilas. Letra e KQ-së së PKJ-së, e nënshkruar nga Milovan Gjilasi, njeriu i dytë i PKJ-së, pas Titos, përmbante reagimin e ashpër në lidhje me Rezolutën e Bujanit, dokumentet e Konferencës dhe sidomos vendimin e mbledhjes plenare të komitetit PKJ të Kosovës, i mbajtur në Sharr. Letra e Komitetit Qendrore të PKJ-së, e nënshkruar nga Milovan Gjilasi, për ne ishte befasi dhe ishte reagimi i parë, i cili vinte në dyshim pikërisht pjesën kryesore të Rezolutës që kishte të bënte me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe me të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për vetëvendosje. E drejta e vetëvendosjes së popullit të Kosovës, pra për bashkim me shtetin amë, ishte e drejtë legjitime, edhe mbi bazat e së drejtës ndërkombëtare, e drejtë e fituar me pjesëmarrjen në LNÇ, pra në koalicionin e madh antifashist me fuqitë kryesore botërore. Historia e luftërave të Kosovës ishte me përcaktimin për t’u çliruar nga sundimi serb dhe bashkimi me shtetin amë Shqipërinë. Unë edhe vetë isha edukuar në atë frymë, në veçanti gjatë kohës së shkollimit tim në Shkollën Normale në Elbasan dhe Shkollën e Lartë Teknike në Tiranë dhe pastaj kur kisha vazhduar në Shkollën Tekniko-Bujqësore, po ashtu në Elbasan, ku kisha vijuar Drejtimin Teknik.

T’i kthehem sërish letrës së KQ-së të PKJ-së, e cila ishte hartuar dhe nënshkruar nga Milovan Gjilasi, letër e hartuar sidomos nën presionin e Serbisë, presion i cili asnjëherë nuk pushoi. Në përgatitjen e të gjithë dokumenteve të Konferencës së Bujanit kanë marrë pjesë drejtpërdrejt kuadro që kanë luftuar dhe kanë udhëhequr LNÇ-në në Kosovë, por edhe shumë patriotë të tjerë, të cilët jodomosdo kishin bindje komuniste. Për hir të së vërtetës historike, duhet thënë se në atë periudhë Organizata e Partisë, Shtabi Kryesor dhe Këshilli Nacionalçlirimtar i Kosovës kanë qenë të lidhura drejtpërdrejt me KQ-në e PKJ-së, Shtabin Suprem dhe KAQK-në e Jugosllavisë (AVNOI), pra është me rëndësi që nuk kishim kurrfarë lidhjeje të drejtpërdrejtë me PK-në e Serbisë, as me pak me komandën e Shtabit Kryesor të Serbisë. Në shtator të vitit 1944, për herë të parë, Shtabi Kryesor i UNÇ-së i Kosovës vihet nën komandën e Shtabit Kryesor të UNÇ-së të Serbisë dhe merret vendimi që në Kosovë të kthehej Miladin Popoviqi, në detyrën e sekretarit politik. Ai zhvillim ishte paralajmërim i qartë se gjërat po merrnin drejtim jo të mirë për popullin e Kosovës, pra, pavarësisht se nën udhëheqjen e ne komunistëve shqiptarë të Kosovës kishim marrë pjesë aktive në luftën kundër pushtimit nazifashist...

Derisa ne komunistët shqiptarë, pse jo, edhe me internacionalizmin idealist, me gabimet politike nuk dyshonim ne pretendimet shoviniste serbe, jugosllave, udhëheqja komuniste serbe dhe jugosllave kishte të tjera objektiva dhe plane për Kosovën dhe për shqiptarët përgjithësisht në ish-Jugosllavi. Si rrjedhojë e politikës gllabëruese të komunistëve serbë dhe jugosllavë, në shtator të vitit 1944, për herë të parë shtabi kryesor i UNÇ-së i Kosovës vihet nën komandën e Shtabit Kryesor të Serbisë dhe, siç e theksova më lart, merret vendimi që Miladin Popoviqi të kthehet në Kosovë në detyrën e sekretarit politik. Ndërkohë, edhe pse shtabet kryesore të UNÇ-së në kohën e luftës u formuan në të gjitha pjesët e Jugosllavisë që pretendonin të bëheshin njësi federale, shtabi kryesor i Kosovës si në heshtje u shndërrua në Shtab Operativ, pa u bërë paraprakisht kurrfarë bisede me ne komunistët shqiptarë në Kosovë. Duhet ta saktësojmë faktin historik se menjëherë pas çlirimit, 1945, me ardhjen e Miladin Popoviqit, Dushan Mugoshës, Spasoja Gjakoviqit, Kërsto Filipoviqit, Mita Nikoviqit, Zhivojin Gjurçiqit, ne komunistët shqiptarë dhe udhëheqësit e luftës më nuk ishim faktorë kryesorë të vendosjes së çështjeve, marrjeve të vendimeve historike me rëndësi të asaj kohe dhe atyre zhvillimeve. Roli, ndikimi i ne udhëheqësve shqiptarë ishte zvogëluar fuqishëm, ndërsa ishte fuqizuar roli, ndikimi vendimmarrja e udhëheqësve serbë dhe malazezë. Unë Fadili dhe shokë të tjerë filluam ta kuptonim se diçka po ndryshon dhe se komunistët serbë dhe malazezë sërish, sikur në kohën e Mbretërisë jugosllave, po e rikthenin sundimin mbi ne shqiptarët, pra sundimin, por tani me emblemën komuniste. E hetonim se ishim mashtruar dhe, aq më keq, të indoktrinuar nga ideologjia e internacionalizmit proletar, komunist, si dhe nga ideali se do të çlirohemi nga regjimi i mbretërisë serb/jugosllave, edhe kishim mashtruar ata, të cilët i kishim thirrur të vinin me ne...

- Vijon të hënën e ardhshme -

Fejton ekskluziv për gazetën "Zëri". Të gjitha të drejtat për ribotim janë të rezervuara!