Fejton ekskluziv – rrëfimi i Xhavid Nimanit mbi historinë politike të Kosovës
Xhavid Nimani ishte protagonist i historisë politike të Kosovës nga fillimi i Luftës Nacionalçlirimtare, ndër autorët e hartimit të Rezolutës së Konferencës së Bujanit, pjesëmarrës i Kuvendit të Prizrenit, i epokës pas rënies së Aleksandar Rankoviqit 1966, me rol të veçantë politik nga viti 1968 në nxjerrjen e Kushtetutës së vitit 1974 të Kosovës, kryetari i parë i Kryesisë së Kosovës me autonominë e 1974-ës, periudhë kur u vendosen themelet e Universitetit të Prishtinës, të Akademisë së Shkencës dhe Arteve të Kosovës, Institutit Albanologjik, Institutit të Historisë, ndër ideatorët, zbatuesit e bashkëpunimit institucional Kosovë – Shqipëri, i dorëhequr si rezultat i presionit, agresionit politik serb/jugosllav, më 17 korrik 1981...
Për të gjitha këto zhvillime dhe jo vetëm, gazeta “Zëri” jua sjell një rrëfim ekskluziv të Nimanit, i realizuar në formë interviste nga profesori i Historisë, Agim Zogaj, e i cili ka marrë edhe aprovimin për botim nga familja e të ndjerit, Xhavid Nimani.
Vlen të theksohet fakti se botimi i këtij fejtoni do të nisë në 20-vjetorin e vdekjes së Nimanit (13 dhjetor), si dhe do të përkojë edhe me 100-vjetorin e lindjes së tij, më 1 janar të vitit 1919.
Në pjesën e parë të këtij fejtoni ekskluziv për lexuesin do të sjellim rrëfimin në detaje të Nimanit mbi Partinë Komuniste të Kosovës, lidhjet e saj me Partinë Komuniste të Shqipërisë, atë të Jugosllavisë, si dhe për Konferencën e Bujanit, e vitit 1943-1944.
Pjesa e parë do të botohet të hënën, më 14 dhjetor, për të vazhduar me nga një pjesë çdo të hënë rresht. /Zëri