Beteja e Koshares: Momenti kur Agim Ramadani thyen kufirin me luftëtarët e tjerë të UÇK’së
Sot janë bërë 21 vite prej kur ka filluar Beteja e Koshares, e cila qëllimin kryesor e kishte për ta thyer kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku edhe thyerja e tij u arrit më 9 prill të vitit 1999, duke shënuar edhe fitoren më të fortë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK’së), përballë forcave serbe, shkruan Gazeta Metro.
Shtabi i Përgjithshëm i UÇK’së, kishte ndërmarrë një aksion të shkallës së gjerë për ta thyer kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe për të krijuar një korridor për futjen e armatimit në zonat e luftës.
Me këtë qëllim ishte projektuar edhe operacioni’Shigjeta’, ku pikërisht me 9 prill 1999 kishte filluar Beteja e Koshares.
Thyerja e një pike strategjike të kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të atij viti shënoi një fitore të fortë për UÇK’në. Kjo betejë njihet edhe si një ndër betejat më të mëdha të UÇK’së kundër forcave serbe.
Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Më poshtë keni videon ku shihet Agim Ramadani së bashku me luftëtarët e tjerë duke thyer kufirin shqiptaro-shqiptaro.