Foto e rrallë: Ramiz Lladrovci me Adem Jasharin

Foto e rrallë: Ramiz Lladrovci me Adem Jasharin

Dosier dhjetor 20, 2017 - 10:23

Në mesin e shumë fotografive që mban si kujtim nga e kaluara, Ramiz Lladrovci ka një më të veçantë.

I Pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci në profilin e tij në facebook ka një fotografi me komandantin legjendar, Adem Jashari

Lladrovci në këtë fotografi e sila ka vite që është shkrepur, shihet në mesin e luftetarëve të UÇK-së, ndërsa pranë tij është edhe heroi Adem Jashari.

Ky është postimi i plotë i Ramiz Lladrovcit:

Shënim për një foto të paharruar

Fotoja, e cila sot është bërë e pranishme në disa portale, është e fundvitit 1992 dhe e fillimit të vitit 1993, e, për më tepër, është njëra nga fotot që kam bërë në vite të ndryshme me komandantin tonë, Adem Jashari.

Ajo është bërë në dhomën e Shaip Mujës dhe Xhemajl Selmanit, në konviktin e shqiptarëve të Kosovës, në Qytetin e Studentëve, në Tiranë, ku po qëndroja pas njërit nga tri operacionet që më është dashur t’i bëjë.

Historia është kjo:

U arrestova në shkurt të vitit 1992 nga policia serbe, kur po udhëtoja me makinën time, nga Kosova për në Maqedoni. E kisha pritur prej ditësh arrestimin tim, ashtu si e kanë pritur të gjithë pjesëtarët e forcave ilegale çlirimtare.

Arsyeja, e dhënë fillimisht, ishte kundërshtimi i arrestimit tim nga policia, në shkurtin e vitit 1990, pasi isha identifikuar si organizatori kryesor i demonstratave të janarit 1990, në Drenas, në të cilën, pas përleshjeve të ashpëra me policinë dhe forcat ushtarake serbe, në udhëkryqin e hekurudhës dhe rrugës që lidhte Komoranin me Drenasin e Skënderajin, ishin vrarë tre demonstrues, Enver e Shani Morina dhe Sahit Shala, djali i axhes se patriotit dhe humanistit të zhdukur ne prillin e ’98-së Dr. Hafir Shales, i arrestuar nga Fadil Syleviqi, dhe u plagosën 28 të tjerë.

Vrasjet ndodhën nga një eskadron i policisë speciale serbe, e cila, me urgjencë, kishte ardhur nga Beogradi, dhe po vriste qytetarët që demonstronin thuajse në çdo qytet të Kosovës. Ishin ngjarje tragjike, por edhe epokale.

Udhëheqësit kryesorë të këtyre demonstratave të vitieve ’89/90, në Kosovë, ishin Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, etj.

Pasi u arrestova në Han të Elezit, fillimisht më dërguan në Ferizaj dhe më pas në Prishtinë.

Aty më morën në pyetje tre punonjës shqiptarë të sigurimit të shtetit, të cilët vazhdonin punën, edhe pse Policia e Kosovës e kishte dorëzuar detyrën, në shenjë mospranimi të rrënimit të autonomisë së Kosovës.

Gjatë hetimeve moren pjesë edhe gjashtë punonjës serbë të sigurimit, të cilët fillimisht nuk ndërhynë fizikisht ndaj meje.

Dy nga tre punonjësit shqiptarë nuk i njihja atëherë, por e provova mbi veten time egërsinë e tyre të pashoqe.

Njëri prej tyre, më vonë, e gjeti vendin e merituar nga një aksion i Zahir Pajazitit, i dyti, jeton sot në Gjermani dhe ka qenë miku e bashkëpunëtori i një drejtuesi të njohur të UÇK-së, debati me të cilin nuk ka shterrur ende, dhe tjetri, i treti, nuk e di se ku ndodhet.

Për ditë e javë më rradhë më kanë bërë torturat më çnjerëzore të mundshme.

Në më shumë se tre muaj e gjysmë kam provuar mbi veten të gjithë egërsinë e tyre dhe, kur dola, pasi nuk arritën të merrnin asnjë të dhënë, më është dashur të bëj tri ndërhyrje të rënda kirurgjikale, si rrjedhojë e torturave të këtyre shqiptarëve, punonjës të lartë të sigurimit të shtetit, e shpesh herë edhe nga gjashtë punonjësit tjerë serbë.

Më duhet të them se punonjësit e sigurimit serb nuk më kanë toruturuar as një çerekun e këtyre tre shqiptarëve, që po tregoheshin të zellshëm tek padronët e tyre, ku kishin shitur shpirtin, zemrën e mendjen.

Torturat ishin edhe më të rënda, pasi dyshonin se kisha organizuar demonstratat, ndërsa, në anën tjetër, vëllai im, Fehmi Lladrovci dhe kunata, bashkëshortja e bashkëluftëtarja e jashtëzakonshme, Xheva Krasniqi – Lladrovci, po luftonin kundër serbëve në frontin kroat të luftës.

Ky informacion, i përcjellë edhe me foto të Fehmiut, Xhevës dhe bashkëluftëtarëve të tyre, kishte rrjedhë si pasojë e një shkrimi denigrues në një gazetë shqiptare, të cilën e drejtonte Salih Kabashi.

Brenda harkut kohor të një muaji, më kishte vizituar dy herë në qelitë e burgut të Prishtinës Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, i cili, kishte bërë presion të madh pranë autoriteteve serbe që të më lirojnë, pasi kishin parë dhe konstatuar lëndime të rënda trupore ndaj meje, dhe, domosdo, të më jepnin mundësinë e shërimit.

Pas daljes nga burgu, ilegalisht, përmes Maqedonisë nga zona e Dibrës, më kanë përcjellë për shërim në Shqipëri dy shokë të mi të idealit, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët, megjithë rrezikun e ndjeshëm, i morën të gjitha parasysh.

Në Shqipëri më është dashur të operohem dy nga tri herët e nevojshme. Operacionet u realizuan nga profesor Mustafa Xhani, djali i atdhetarit të njohur, Baba Fajë Martaneshi, Hero i Popullit.

Ishin operacione të vështira, dhe, për ironi të fatit, ato lëndime m’i kishte bërë një punonjës shqiptar i sigurmit serb, mik e dorë e një udbashit të njohur me të cilin u pat lidhur fortë edhe një bashkëluftëtar i yni.

Fotoja e cituar më sipër, si dhe të tjerat që janë ende në kujtimet më të shtrenjta, është bërë në njërën nga vizitat e komandantit tonë legjendar, Adem Jashari, së bashku me Jakup Nurën, Halil Selimin, Ramadan Avdiun, Isa Demirin, Alush Shalën, Sefën e Prizrenit, dhe shumë shokë të tjerë të idealit.

Kjo foto, për një informim të saktë ndaj atyre pseudove që duan të marrin merita pa qenë askund protogonistë të ditëve të parat të ngritjes dhe themelimit të UÇK-së, është bërë pas aksionit, i cili njihet si aksioni i parë i organizuar nga rradhët e njësiteve të drejtuara nga Adem Jashari, dhe, për saktësi, para aksionit të dytë mbi hekurudhë, në të njëjtin vend, ku, dy vite e katër muaj më parë, 31 janar 1990, ishin vrarë tre demonstrues drenicas si dhe 28 të plagosur, mes të cilëve edhe dy bashkëmoshatarë të mi, të lagjes Lladrovci.

Gjatë kohës që shërohesha në Tiranë, për mua, si miq, shokë e vllezër, janë kujdesur Shaip Muja, Xhemail Selmani, Islam Krasniqi (Kola), Burhan Hadri e shumë studente tjerë kosovarë, që studionin të fakultetin e mjekësisë.

E tillë ishte lëvizja ilegale çlirimtare atëherë, dhe e tillë vazhdoi deri në lirinë e Kosovës.

Edhe kjo foto flet më shumë se gjithçka tjetër për vëllazërinë mes nesh.

Image