SHBA-ja kërkon mbështetje të re evropiane për dialogun me Iranin

SHBA-ja kërkon mbështetje të re evropiane për dialogun me Iranin

Bota August 15, 2026 - 00:10

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po zgjeron përpjekjet diplomatike për të nxitur rikthimin e SHBA-së dhe Iranit në negociata, duke përfshirë edhe vende evropiane si Austria dhe Greqia, raporton Associated Press.

Sipas AP-së, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, është takuar këtë javë në Uashington me ministren e Jashtme të Austrisë dhe ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Greqisë.

Pak pas këtyre kontakteve, të dy ministrat evropianë kanë biseduar me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.

AP raporton se përfshirja e Austrisë dhe Greqisë nuk shihet domosdoshmërisht si një përpjekje formale ndërmjetësimi, por si pjesë e përpjekjeve për të ndalur konfliktin dhe për të zhbllokuar negociatat.

“Të gjithë thjesht po u bëjnë thirrje të dyja palëve që ta ndalin këtë lojë të rrezikshme”, ka thënë Ali Vaez, drejtor i projektit për Iranin në International Crisis Group.

Sipas AP-së, përpjekjet diplomatike po zhvillohen në kohën kur SHBA-ja dhe Irani po përplasen për Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës zakonisht kalon një e pesta e naftës së botës.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se Rubio nuk u kishte kërkuar homologëve të tij austriakë dhe grekë që të kontaktonin Iranin apo t’i përcillnin mesazhe Teheranit. Megjithatë, një diplomat evropian i tha AP-së se koha e telefonatave nuk ishte rastësi.

Austria ka ofruar territorin e saj si vend për bisedime të mundshme me Iranin, ndërsa ministrja e Jashtme austriake, Beate Meinl-Reisinger, ka theksuar “urgjencën e rikthimit të stabilitetit në rajon përmes përpjekjeve serioze diplomatike”.

“Nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake. Një zgjidhje diplomatike mbetet e mundshme”, ka thënë Ministria e Jashtme e Austrisë.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, gjatë bisedës me Araghchin ka theksuar rëndësinë e lirisë së lundrimit dhe sigurisë detare.

Sipas AP-së, Irani ka thënë se në bisedat me homologët evropianë është diskutuar për “mekanizmat për menaxhimin e ardhshëm të Ngushticës së Hormuzit”, ndërsa Araghchi ka akuzuar SHBA-në për shkeljen e marrëveshjes së përkohshme të arritur në qershor.