Arabia Saudite rikthen në funksion tubacionin kryesor të naftës pas sulmeve
Arabia Saudite ka rikthyer në funksion të plotë tubacionin e saj jetik të naftës Lindje–Perëndim, pas sulmeve që e kishin dëmtuar javën e kaluar, njoftoi të dielën Ministria e Energjisë.
Tubacioni 1,200 kilometra është një nga dy linjat në rajon që anashkalojnë Ngushticën e Hormuzit, ku lufta ka shkaktuar ndërprerje të mëdha tregtare, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Sulmet ndaj tij kishin sjellë humbje të prodhimit prej “rreth 700,000 fuçish në ditë”, raportoi javën e kaluar Agjencia Saudite e Shtypit.
Rikthimi në funksion e çon kapacitetin e pompimit të tubacionit Lindje–Perëndim në rreth 7 milionë fuçi në ditë, ndërsa prodhimin e fushës Manifa në rreth 300,000 fuçi në ditë, tha ministria në një deklaratë të dielën.
Ministria shtoi se punimet po vazhdojnë për të rikthyer plotësisht prodhimin edhe në fushën Khurais.
CNN më herët raportoi se imazhe satelitore të siguruara nga Agjencia Evropiane e Hapësirës tregonin zjarr dhe shtëllunga të mëdha tymi të zi që ngriheshin nga objekti kritik i përpunimit të Saudi Aramco në Abqaiq, pas raportimeve për një sulm iranian.