Lufta me Iranin, inflacioni në SHBA rritet në 3.3%

Lufta me Iranin, inflacioni në SHBA rritet në 3.3%

Bota April 10, 2026 - 20:35

Inflacioni në Shtetet e Bashkuara u rrit ndjeshëm në mars, tregojnë të dhënat zyrtare të qeverisë, pasi çmimet më të larta të energjisë për shkak të luftës në Lindjen e Mesme goditën rëndë amerikanët.

Goditja e çmimeve në të gjithë vendin i vuri presion të madh presidentit Donald Trump, i cili ka urdhëruar bisedime paqeje me Iranin dhe përballet me zgjedhjet e mesmandatit në nëntor.

Norma e inflacionit u rrit në 3.3 për qind nga viti në vit në mars, sipas Byrosë së Statistikave të Punës së SHBA (BLS).

Krahasuar me këtë, i njëjti Indeks i Çmimeve të Konsumit (CPI) ishte vetëm 2.4 për qind nga viti në vit një muaj më parë.

Çmimet e benzinës u rritën me 21.2 për qind midis shkurtit dhe marsit – rritja më e madhe mujore që nga viti 1967, kur qeveria filloi të botojë këtë indeks, thuhet në raportin e BLS.

Tregjet e kishin parashikuar këtë rritje, sipas konsensusit të publikuar nga MarketWatch.

Pavarësisht se SHBA është prodhuesi më i madh në botë i naftës së papërpunuar, edhe amerikanët ndjenë dhimbjen, pasi çmimet në pompën e benzinës u rritën ndjeshëm.

Një gallon (3.78 litra) benzinë e rregullt kushton tani mesatarisht 4.15 dollarë në Shtetet e Bashkuara, krahasuar me rreth 3 dollarë pak para fillimit të luftës.

Administrata Trump – e zgjedhur pjesërisht me premtimin për të luftuar inflacionin – pohon se ndërprerjet ekonomike të luftës do të jenë të përkohshme./rtsh.al