Izraeli u kërkon qytetarëve në Iran të shmangin trenat
Ushtria izraelite ka lëshuar një paralajmërim të pazakontë për qytetarët në Iran, duke u bërë thirrje që të shmangin përdorimin e trenave në të gjithë vendin, me arsyetimin se udhëtimi me to “rrezikon jetën”.
Përmes një njoftimi të publikuar në gjuhën persiane në rrjetin social “X”, autoritetet ushtarake izraelite e cilësuan mesazhin si “paralajmërim urgjent” për përdoruesit dhe pasagjerët e transportit hekurudhor në Iran.
“Për sigurinë tuaj, u kërkojmë që nga ky moment deri në orën 21:00 sipas kohës së Iranit, të shmangni udhëtimin me tren në të gjithë territorin e vendit”, thuhet në njoftim, raportoi “The Guardian”.
Më tej theksohet se prania e qytetarëve në trena apo pranë linjave hekurudhore mund të paraqesë rrezik për jetën e tyre.
Ky zhvillim vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme në rajon, teksa një paralajmërim i tillë shihet si sinjal i mundshëm për rreziqe të sigurisë që mund të lidhen me infrastrukturën hekurudhore në Iran. /abcnews