OKB-ja pritet të votojë për një plan për hapjen e Ngushticës së Hormuzit
Foto: AFP

OKB-ja pritet të votojë për një plan për hapjen e Ngushticës së Hormuzit

Bota April 03, 2026 - 18:24

 Sigurimit të OKB-së e mbajtur më 28 shkurt, lidhur me situatën në Lindjen e Mesme.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të votojë më 4 prill një rezolutë të rishikuar që synon rikthimin e transportit tregtar përmes Ngushticës së Hormuzit, teksa fuqitë botërore mbeten të ndara se sa larg duhet të shkojnë për t’u përballur me bllokadën që Irani i ka bërë kësaj rruge ujore jetike.

Drafti i fundit, i paraqitur nga Bahrejni, thuhet se është zbutur pak pas kundërshtimeve nga anëtarët që kanë të drejtë vetoje – Kina, Rusia dhe Franca – që kundërshtuan formulimin paraprak që u jepte vendeve autorizim që të përdorin “të gjitha mjetet e nevojshme” për të siguruar këtë rrugë ujore. Kjo çoi në shtyrje të votimit, që fillimisht ishte planifikuar për 3 prill.

Associated Press raportoi se një version i rishikuar i tekstit tani lejon vetëm “masa mbrojtëse” për të siguruar kalimin e sigurt përmes ngushticës dhe ujërave përreth, duke shënuar një kompromis që synon të shmangë veton, ndërsa ende mundëson një formë e reagimit të koordinuar.

Votimi vjen në një moment vendimtar të luftës që nisi me sulmet e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit në fund të shkurtit, ndërsa mbyllja efektive e ngushticës nga Irani ka tronditur tregjet botërore të energjisë dhe ka nxitur frikë për pasojat nga bllokimi i furnizimeve.

Kina publikisht është deklaruar kundër çdo rezolute që mund të legjitimojë përdorimin e forcës. Ambasadori i Pekinit në OKB, Fu Cong, deklaroi se “çdo autorizim i tillë do të çonte në mënyrë të pashmangshme në përshkallëzim të mëtejshëm dhe pasoja serioze”, duke u bërë thirrje anëtarëve që të kenë prioritet një zgjidhje politike.

“Nga këndvështrimi i Pekinit, pranimi i një përgjigjeje ushtarake ndaj mbylljes së ngushticës do të legjitimonte përdorimin e forcës, sulmet parandaluese dhe zbatimin e njëanshëm të sigurisë”, shkroi Jonathan Fulton, ekspert për Kinën në Lindjen e Mesme në Universitetin Zayed në Abu Dabi, në newsletter-in e tij mbi rolin e Kinës në rajon. “Kina nuk ka fuqinë e fortë për ta parandaluar këtë skenar, por ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe nuk ka gjasa të heqë dorë nga vlera e kësaj fuqie”.

Rusia ka mbajtur një qëndrim të ngjashëm, duke argumentuar se fokusi duhet të jetë në përfundimin e armiqësive, jo në zgjerimin e mandateve të sigurisë në det. Para se Bahrejni të publikonte draftin e tij përfundimtar të rishikuar, ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, tha se propozimi “nuk e zgjidh problemin”.

Franca ka sinjalizuar se mund të jetë e hapur ndaj formulimit të ri në rezolutë, duke theksuar se ka nevojë për masa mbrojtëse.

Rezultati i votimit të 4 prillit mbetet i pasigurt, ndërsa diplomatët po vëzhgojnë nga afër nëse ndryshimet janë të mjaftueshme për të siguruar mbështetje – ose të paktën abstenim – nga anëtarët më të fuqishëm të Këshillit: Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë të drejtë vetoje.

Irani ka bllokuar në masë të madhe trafikun përmes Ngushticës së Hormuzit, duke shënjestruar anijet dhe duke forcuar kontrollin mbi një nga pikat më të rëndësishme të energjisë në botë, pasi përmes ngushticës kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz.

Teherani ka paraqitur po ashtu propozimin e tij për menaxhimin e ngushticës, duke deklaruar se po punon me Omanin fqinj për një sistem që do të kërkonte nga anijet të marrin leje dhe licenca të posaçme për të kaluar nëpër këtë rrugë ujore.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e kundërshtoi këtë koncept, duke shkruar në rrjetet sociale se “e drejta ndërkombëtare nuk njeh skema ‘paguaj për të kaluar’”.

Ajo gjithashtu zhvilloi më 2 prill një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi, lidhur me luftën në Iran dhe ndikimin e saj në ekonominë botërore.

“Sulmet iraniane ndaj anijeve civile dhe kërcënimi për të tjera kanë bërë që trafiku në Hormuz pothuajse të ndalet plotësisht”, tha Kallas në rrjetet sociale.

Që nga fillimi i luftës, vetëm një numër shumë i kufizuar anijesh kanë kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit. Kryesisht bëhet fjalë për anije të lidhura me vende që Irani i konsideron miqësore, dhe po krijohet një sistem ku Teherani paraprakisht miraton kalimin përgjatë një rruge që kalon afër brigjeve të tij. Për shembull, Pakistani ka arritur një marrëveshje që 20 anije të kalojnë nën flamurin e tij, ndërsa edhe vende të tjera aziatike kanë siguruar kalim të sigurt.

Një anije kontejnerësh që sinjalizonte se ishte në pronësi franceze gjithashtu doli nga Ngushtica e Hormuzit më 3 prill, në atë që duket të jetë kalimi i parë i një anijeje të lidhur me Evropën Perëndimore që nga fillimi i luftës.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka sinjalizuar se Uashingtoni nuk do të marrë drejtimin për rihapjen e kësaj rruge ujore, duke u bërë thirrje vendeve që varen më shumë nga furnizimet energjetike të Gjirit, të veprojnë vetë.

Shtetet e Gjirit Persik, shumë prej të cilave janë mikpritëse të forcave amerikane dhe kanë qenë subjekt i sulmeve iraniane, deri tani kanë shmangur kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë, nga frika e përshkallëzimit në një luftë më të gjerë rajonale. /REL