Gjermania: Më pak migrim, më pak krim?
A do të jetë më e sigurt Gjermania nëse dëbohen më shumë migrantë të parregullt? Kancelari Merz të paktën jep këtë përshtypje kur flet për dhunën që vjen nga një pjesë migrantësh. Realiteti është shumë më kompleks.
Kancelari gjerman Friedrich Merz foli në Bundestag në mars rreth "shpërthimit të dhunës" në Gjermani dhe se "një pjesë e konsiderueshme e dhunës" vjen nga "grupet e emigrantëve". Nuk ishte deklarata e parë e tillë. Qeveria e tij me të vërtetë e ka ulur numrin e azilkërkuesve me 60 përqind, tha Merz në vjeshtën e vitit 2025.
"Por sigurisht që ne ende e kemi këtë problem në peizazhin urban." Kjo është arsyeja pse dëbimet tani po kryhen "në një shkallë të gjerë". Vërejtja e tij në lidhje me "peizazhin urban", në të cilën ai aludoi për numrin e madh të emigrantëve të rinj, me lëkurë më të errët, ka shkaktuar kritika. Megjithatë, janë pikërisht sukseset zgjedhore të Alternativës për Gjermaninë (AfD), e cila karakterizohet në disa pjesë si e ekstremit të djathtë, që po i vënë nën presion partitë konservatore të CDU dhe CSU. Në dy zgjedhjet e para në lande të këtij viti në Baden-Württemberg dhe Rheinland-Pfalz, AfD mori rreth 19 përqind të votave në secilin prej tyre, që është një rezultat rekord në perëndim të vendit.
Gjendja në qytete dhe të huajt
Kur Jens Spahn, kryetar i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, analizon sukseset e AfD-së, ai shpejt vjen te jeta e përditshme e gjermanëve. "Ka të bëjë gjithashtu me sigurinë në jetën e përditshme, në vendin tim dhe çfarë dhe sa shpejt po ndryshon përreth meje", tha Spahn në një konferencë në Berlin.
Qytetarët shohin se diçka ka ndryshuar në imazhin e qytetit, thotë Spahn. "Panairet e Krishtlindjeve që duken si fortesa, situata në stacionet kryesore - jo vetëm në qytetet e mëdha - sheshet e tregut në shumë qytete të mesme ku diçka ka ndryshuar, vjedhjet në dyqane e të ngjashme - nuk mund të vazhdosh të pretendosh se migrimi i parregullt nuk e ka ndryshuar imazhin e qytetit."
Pasiguria në rrugë e sheshe
Fakti është se 48 përqind e qytetarëve ndihen të pasigurt në vendet publike, parqe, trena dhe autobusë. Kjo rezulton nga një anketë e institutit Infratest dimap nga fundi i vitit 2025. Në vitin 2017, kjo shifër ishte vetëm 21 përqind. Ndjenja e sigurisë në Gjermani ka rënë ndjeshëm, pra. Por a do ta kthejë atë politika kufizuese ndaj azilkërkuesve?
Edhe përfaqësuesit konservatorë të komunave japin një përgjigje paksa të ndryshme për këtë pyetje. "Ajo që ndikon më shumë në ndjenjën subjektive të sigurisë së njerëzve në qytete nuk është krimi i rëndë, por sjellja e papërshtatshme sociale e grupeve të caktuara", tha Thorsten Wünschmann, i cili kryeson inspektimin komunal në Hanau, Hesse, në një konferencë komunale në Berlin. Bëhet fjalë për sjellje që është "shumë poshtë nivelit të veprave penale ose kundërvajtjeve". "Por i frikëson njerëzit në hapësirën publike."
Problemet në shoqëri
Kjo përfshin, ndër të tjera, të varurit nga droga, shumë alkoolikë, lypës agresivë dhe njerëz të pastrehë. Pronat e braktisura dhe të lëna pas dore, mbeturinat dhe papastërtia ndikojnë gjithashtu në imazhin e qytetit. Edhe nëse preken vetëm zona ose rrugë të caktuara, kjo ndikon në të gjithë rrethin.
Ka dallime të konsiderueshme midis zonave rurale dhe qyteteve të mëdha. Disa ankohen për emigrimin dhe pasuritë e paluajtshme të zbrazëta, ndërsa të tjerë ankohen për konflikte që rrjedhin kryesisht nga varfëria dhe interesat në konflikt. Rainer Wendt, kreu i Sindikatës së Policisë Gjermane, raportoi nga Berlini: "Kam jetuar në Alexanderplatz për një kohë të gjatë dhe kushdo që has në punëtorët sezonalë kryesisht nga Evropa Lindore në mëngjes ose gjurmët e tyre në hyrjet e ndërtesave e di për çfarë po flas."
Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë e Brendshme, Christoph de Vries (CDU), flet për grupe të organizuara lypësish, anëtarët e të cilëve shfaqen në të njëjtat vende çdo mëngjes në Hamburgun e tij të lindjes.
Krimi dhe komunat
Sidomos në qytetet më të mëdha, rrugë të tëra janë shndërruar në hapësira jetese për të varurit nga droga, raportoi më tej de Vries. "Në këto pjesë të qytetit, banorët tani po barrikadojnë hyrjet e ndërtesave në mënyrë që askush të mos konsumojë ose shesë drogë atje."
Këto janë kushte të padurueshme. "Është e papranueshme që grupet margjinale të pushtojnë hapësirën publike dhe që qytetarët e zakonshëm të mos guxojnë më të shkojnë atje." Por qytetarët kanë gjithashtu frikë nga rritja e krimit të rëndë.
Policia është përgjegjëse për krimin dhe ndjekjen penale. Në Gjermani, ajo është e organizuar në nivel të landeve dhe ate federal. Komunat, nga ana tjetër, janë përgjegjëse për kundërvajtjet, mbikëqyrjen e tregtisë, ndalimet e qëndrimit, mbrojtjen e të rinjve dhe të ngjashme. Për këtë, ato kanë forcat e tyre të sigurisë që janë pjesë e inspektimeve komunale.
Thorsten Wünschmann nga inspektimi në Hanau flet për përvojat e mira me shërbimin e inspektimit të qytetit. Sidomos kur bëhet fjalë për ndikimin e grupeve të caktuara që shfaqen rregullisht në rrugët e qytetit. "Meqenëse i njohin njerëzit, mund t'i kontaktojnë ata në kohën e duhur. Këta punonjës të qytetit shpesh i njohin njerëzit që lëvizin atje më mirë se kolegët e tyre nga policia."
Komunat në borxhe
Siguria dhe rendi kërkojnë më shumë staf, teknologji më moderne mbikëqyrjeje dhe më shumë para nga niveli federal dhe provincial. Shumica e komunave janë deri në fyt në borxhe. Në vitin 2024, ato regjistruan një deficit rekord prej gati 25 miliardë eurosh, dhe në gjysmën e parë të vitit 2025, kësaj shume iu shtuan edhe 20 miliardë euro të tjera.
Arsyeja kryesore për borxhet janë shpenzimet sociale dhe kostot e personelit në rritje. Në të njëjtën kohë, për shkak të krizës ekonomike, të ardhurat nga taksat nga kompanitë ranë ndjeshëm. Paratë për investime në infrastrukturë mungojnë kudo.
Qeveria aktuale tani dëshiron ta ndryshojë këtë dhe t'i ndihmojë qytetet dhe komunat me ndihmë të konsiderueshme financiare./DW