Sulmi në një spital, konfirmohen mbi 400 viktima në Afganistan
Një sulm pakistanez që goditi të hënën një spital për trajtimin e personave me varësi nga droga në Kabul ka shkaktuar qindra të vdekur dhe të plagosur, konfirmoi sot organizata joqeveritare Norwegian Refugee Council (NRC), e cila ka vizituar vendngjarjen.
“Sipas asaj që kemi parë dhe diskutimeve me agjencitë e tjera të përfshira në operacionet e shpëtimit, mund të themi se ka qindra të vdekur dhe të plagosur”, deklaroi drejtori i NRC për Afganistanin, Jacopo Caridi.
Autoritetet talebane afgane raportuan dje për 408 të vdekur dhe 265 të plagosur nga ky sulm, pa përjashtuar mundësinë e një bilanci edhe më të lartë.
Organizata humanitare NRC, e cila vepron në disa rajone të Afganistanit, vizitoi qendrën e trajtimit për të varurit nga droga për të parë situatën në terren dhe për të vlerësuar mundësinë e ofrimit të ndihmës.
Caridi përshkroi skena tronditëse në vendngjarje.
Sipas tij, objekti, i projektuar për të strehuar rreth 2000 pacientë, ishte dëmtuar rëndë, ndërsa disa pjesë ishin shkatërruar plotësisht.