Gjermania lë prapa Kinën, bëhet vendi i katërt në botë për eksportin e armëve
Një raport i ri nga Stockholm International Peace Research Institute (SIPRI) tregon se Gjermania ka ngjitur një tjetër shkallë në tregun global të armëve, duke lënë pas Kinën dhe duke u renditur tashmë në vendin e katërt për eksportet ushtarake në botë.
Sipas të dhënave të institutit, gjatë viteve 2021–2025 Gjermania ka përfaqësuar rreth 5.7% të eksporteve globale të armëve, një përqindje pak më e lartë se ajo e Kinës, e cila arrin në 5.6%. Ndërkohë, kryesimi i tregut vazhdon të mbahet nga Shtetet e Bashkuara me rreth 42% të totalit të eksporteve. Pas tyre renditen Franca me 9.8% dhe Rusia me 6.8%.
Analistët e lidhin rritjen e rolit të Gjermanisë me shtimin e kërkesës për pajisje mbrojtëse në Evropë, veçanërisht pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022. Konflikti ka shtyrë shumë vende evropiane të rrisin investimet në mbrojtje dhe të forcojnë kapacitetet ushtarake.
Në raport theksohet gjithashtu se Ukraina është kthyer në importuesen më të madhe të armëve në nivel global gjatë kësaj periudhe, duke përbërë rreth 9.7% të importeve botërore. Ky zhvillim lidhet drejtpërdrejt me nevojat ushtarake të vendit përballë luftës me Rusinë.
Sipas SIPRI, pjesa më e madhe e armëve gjermane është blerë nga Ukraina, Egjipti dhe Izraeli. Këto kontrata kanë ndikuar në rritjen e eksporteve të Gjermanisë me rreth 15% krahasuar me periudhën 2016–2020. Vetëm drejt Ukrainës është dërguar rreth një e katërta e eksporteve gjermane të armëve.
Në arsenalin e industrisë ushtarake gjermane përfshihen mjete të blinduara, municione artilerie dhe sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore. Mes pajisjeve më të njohura janë tanku Leopard 2, mjeti luftarak KF41 Lynx, transportuesi i blinduar Boxer si dhe sistemi i mbrojtjes ajrore IRIS-T SLM, të cilat përdoren gjerësisht nga ushtritë evropiane. /euronews